Qytetarët votojnë në shesh: Ne vendosim këtu! Divjaka Bashki!

Në protestën kundër reformës së re territoriale në Divjakë, një i ri ka ngritur zërin kundër shkrirjes së bashkisë dhe mungesës së konsultimit me qytetarët. Ai deklaroi se vendimet për fatin e komunitetit nuk mund të merren pa dëgjuar banorët dhe kërkoi që qeveria, Parlamenti dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale të marrin parasysh vullnetin e qytetarëve.

I riu u shpreh se dëgjesat publike për këtë reformë nuk janë zhvilluar realisht me komunitetin dhe u bëri thirrje banorëve të Divjakës të bashkohen për të mbrojtur bashkinë e tyre. Ai organizoi një votim simbolik në shesh, duke kërkuar që qytetarët të ngrinin duart për të shprehur qëndrimin e tyre: që Divjaka të mbetet bashki.

“Ata nuk erdhën të na pyesnin, ndaj le t’ua dërgojmë ne mendimin tonë”, ishte mesazhi i tij, ndërsa nga sheshi u përsërit thirrja: “Divjaka Bashki!”.

Pjesë nga deklarata:

Kush e ka kërkuar mendimin tonë atje? Për sa më sipër, përderisa Shqipëria po shkon drejt reformës së dytë administrative-territoriale të centralizuar, pra në kundërshtim me Kushtetutën, duke larguar dhe përkeqësuar shërbimet ndaj qytetarëve, në momentin e dorëzimit në Parlament të projektligjit duhet që bashkë me të të ishte përfshirë edhe mendimi ynë. Nuk duhej të vinin më pas për të na pyetur dhe për ta bashkëngjitur atë, sepse mendimi ynë nuk është kërkuar fare.

A ka pasur dëgjesa publike në bashkinë tonë për këtë reformë? Apo dëgjesa publike është quajtur ajo e disa personave, që mezi numërohen me një dorë, dhe që është mbajtur me dyer të mbyllura? Pra, mund të jetë marrë kjo si dëgjesë, besoj.

Prandaj, të dashur gjyshër, nëna, baballarë, motra dhe vëllezër, nisur nga ky fakt, duke qenë se askush nga ata që duhet të bënin këtë dëgjesë publike nuk ka ardhur të na pyesë, le ta bëjmë një votim këtu në shesh!

Duke iu drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Parlamentit të Shqipërisë, le të shprehim vullnetin tonë dhe të drejtat tona ligjore, që na i garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Doja që ta bëja këtë votim në shesh, por më dëgjoni me kujdes, sepse do të bëj tre pyetje njëra pas tjetrës dhe dua që ju të ngrini duart lart, ndërsa kamerat të kapin vullnetin tonë. Prandaj ju kërkova të gjithëve të mblidheni bashkë, të ngremë duart të gjithë dhe kamerat të dokumentojnë mendimin tonë.

Sa nga ju duan që Divjaka të mbetet bashki? Të ngrenë duart lart të gjithë dhe kamerat t’i kapin! Mbajini duart lart që t’i kapë kamera, sepse ata nuk erdhën të na pyesnin. Atëherë, le t’ua dërgojmë ne atyre vendimin tonë! Merreni mendimin tonë: Divjaka Bashki!

Pyetja e dytë, tashmë normalisht, do të bëhen të gjitha pyetjet. Sa nga ju janë të pavendosur për këtë, pra e duan apo nuk e duan? Të ngrenë duart.

Pra, Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe zotit Kryeministër, këtë duhet ta kishit bërë ju përpara se të dërgonit projektligjin në Parlament. Duhej të kishit pyetur popullin, të kishit ardhur këtu, jo ta kishit bërë në mënyrë të fshehtë me dy-tre persona, me katër anëtarë të Këshillit të Bashkisë apo me këdo tjetër.

Prandaj, për sa më sipër, i bëjmë thirrje Parlamentit të Republikës së Shqipërisë që të mos e votojë këtë projektligj antikushtetues!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ftoj qytetarët të solidarizohen me qytetarët e bashkive në zhdukje!

Berisha: Të dashur miq që ndoqët këtë bisedë. Ju falënderoj me shumë respekt për pyetjet …