Nga Rezenbrik Serjani-Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Një kështjellë me vlerë 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete luksoze motorike (për të mos përmendur pasuritë e sektuestruara në Shqipëri nga SPAK), janë disa nga pasuritë e identifikuara në Francë të Ermal Beqirit, krahut të djathtë të Ergys Agasit, njeriut pas praktikisht të gjithë tenderave të trukuar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në vlera dhjetra milionë euro.
AKSHI përfaqëson një nga institucionet më të fuqishme në administratën tonë publike, për sa i përket menaxhimit të fondeve për teknologjinë e informacionit, digjitalizimin e shërbimeve publike dhe ndërtimin e infrastrukturës dixhitale të Shtetit. Mesatarisht në vit, AKSHI tenderon shërbime me vlerë nga 40-60 milionë euro.
Si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, persona sot të kërkuar dhe nën hetim nga SPAK, me nj perandori financiare pronash dhe asetesh t tjera n Shqipr dhe i dyti edhe në Francë, krijuan për vite me rradhë atë që në teknologjinë e informacionit quhet “vendor lock-in”(kyçja, fiksimi i shitësit), pra, varësia e institucionit të AKSHI-t nga një furnizues i vetëm. Më saktë, nga kompanitë e TI, të drejtuara ose të lidhura me Agasin dhe “specialistin” Beqiri.
Kjo dyshe, e bekuar dhe e ruajtur me kujdes nga sekti Rama, madje nga vetë Lideri Global, bëri në 7-8 vitet e fundit që Shteti ynë të humbiste gradualisht deri në zerim fuqinë e tij negociuese për kontratat e blerjeve të pajisjeve dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit. Deri në episodin kur Agasi e “urdhëron” ish-drejtoreshën e AKSHI-t që të dyfishojë fondin limit nga 2 në katër milionë euro të një tenderi, vetëm pse do ai!
Me indiferencën dhe padijeninë totale të Kuvendit dhe strukturave të tjera kontrolluese të Shtetit, AKSHI krijoi një varësi mafioze afatgjatë nga kompanitë e dyshes Agasi-Beqiri, të cilat fitonin në mënyrë të përsëritur me dhjetra tendera.
Askush nga institucionet kontrolluese të Shtetit nuk u shqetësua të dinte sa kompani konkurrojnë të këta tendera, sa kompani përjashtohen, sa është diferenca mes ofertave, nëse specifikimet ndryshojnë nga një tender në tjetrin dhe nëse fituesi merr më pas kontrata mirëmbajtjeje ose shtesa të tjera.
Ky model u përsërit me vite me rradhë për dhjetra e dhjetra tendra me vlera nga qindra mijëra euro në disa dhjetra miliona euro. Nëse për tenderat e zakonshëm publikë kërkohet transparencë, për tenderat e teknologjisë së informacionit kjo kërkesë është edhe më e madhe. Në këtë sektor, specifikimet teknike, licencat, mirëmbajtja, integrimi i sistemeve dhe kontratat pasuese mund të krijojnë një varësi afatgjatë të shtetit nga një ose disa kompani private.
Nëse një agjenci publike si AKSHI, administron kontrata të mëdha për sisteme informatike, shërbime cloud, mirëmbajtje, siguri kibernetike, platforma elektronike dhe infrastrukturë teknologjike, atëherë çdo procedurë duhet të jetë e kontrollueshme në çdo fazë.
Kuvendi dhe institucionet kontrolluese të Shtetit duhet të dinë kush e identifikoi nevojën për “x” apo “y” shërbim, kush hartoi specifikimet teknike, kush përcaktoi fondin limit, sa kompani morën pjesë, sa oferta u paraqitën, si u pikëzuan ofertat, kush e fitoi kontratën, kush janë pronarët dhe administratorët e kompanisë, cilët janë nënkontraktorët, sa është paguar deri tani dhe nëse kontrata është ndryshuar pas nënshkrimit.
Pa këto të dhëna, transparenca mbetet vetëm formale. Kuvendi ka qendruar në rolin e noterit të rëndomtë të sektit Rama dhe asnjë institucion kushtetues kontrolli nuk ka ushtruar kontroll real mbi AKSHI-n dhe tenderat e tij.
Me sa duket, Agasi dhe Beqiri i kanë dhënë “kumbullat” dhe “dardhat” që “meriton” Ramës dhe sektit të tij për mbrojtjen dhe bekimin. Deri në nivelin që u dukej vetja si vetë Shteti dhe organizonin rrëmbimin dhe frikësimin e sipërmarrësit që ankohej për tenderat e fituara nga kompanitë e tyre!
Sot SPAK ka për detyrë imediate të ndihmojë në ekstradimin në Shqipëri të sipërmarrësit Ermal Beqiri të arrestuar në Francë dhe të gjejë ku fshihet e ta ekstradojë sipërmarrësin tjetër Ergys Agasi, dy kumbarët e Ramës për vjedhjet në strukturat publike të teknologjisë së informacionit.
Gazeta RD