Banorët e Divjakës kanë vijuar edhe mbrëmjen e së hënës protestën kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Divjakë me atë të Lushnjës.
Pavarësisht ditës së pushimit, qytetarët janë mbledhur sërish në protestë, duke kërkuar që Divjaka të ruhet si njësi e veçantë e pushtetit vendor. Paralelisht, vijon edhe mbledhja e firmave për peticionin që pritet t’u dërgohet institucioneve shtetërore.
Para protestuesve ka folur një qytetare, e cila falënderoi banorët dhe emigrantët që iu janë bashkuar protestës. Ajo e cilësoi mbrojtjen e Divjakës si një kauzë për ruajtjen e identitetit, shërbimeve lokale dhe pasurive natyrore të zonës.
“Janë interesa të errëta që duan të kafshojnë dhe të gllabërojnë pasuritë e Divjakës”, u shpreh qytetarja, duke akuzuar qeverinë se përmes reformës territoriale synon t’u hapë rrugë interesave të klientëve të saj.
Ajo solli në vëmendje edhe Parkun Divjakë-Karavasta, duke paralajmëruar se bashkimi me Lushnjën mund të cenojë aksesin e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës.
Sipas saj, ruajtja e bashkisë lidhet edhe me ofrimin e shërbimeve pranë qytetarëve, në mënyrë që banorët të mos detyrohen të udhëtojnë drejt Lushnjës për dokumente dhe shërbime administrative.
“Ne e kemi treguar që nuk e lëmë për gjysmë një kauzë të nisur. Kjo është kauza jonë, ta mbrojmë Divjakën dhe të mbajmë larg duart e grabitqarëve nga pasuritë natyrore”, deklaroi ajo.
Në fund, qytetarja u shpreh se protesta do të vijojë deri në tërheqjen e projektit, duke e mbyllur fjalën me thirrjen: “Të rrojë Divjaka bashki!”
Gazeta RD