Deputetja e larguar tashmë nga grupi parlamentar i PS, Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve që kanë përfshirë vendin nga veriu në jug.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka kritikuar mënyrën sesi institucionet po përballen me emergjencat.
Duke u ndalur te rastet e Lurës, Krujës, Mallakastrës, Fushë-Arrëzit dhe Orenjës, Koçeku tha se pavarësisht nëse zjarret janë të qëllimshme apo aksidentale, dëmi ndaj natyrës dhe parqeve kombëtare mbetet i njëjtë.
Deputetja kritikon gjithashtu prioritetet e qeverisë, duke iu referuar “Paketës së Maleve”, ndërsa argumenton se mbrojtja e pasurisë natyrore duhet të jetë në qendër të vëmendjes.
Reagimi
Zjarret e kanë mbërthy këtë vend, prej jugut në veri. Lura, Kruja, Mallakastra, Fushë-Arrëzi, Orenja…
Disa thonë se janë të qëllimshme, disa të paqëllimshme, por pak rëndësi ka kjo punë.
Në të dyja rastet asht me të ardhë keq. Ajo që duhet me na interesu sot, ma shumë se kurrë, asht si me i parandalu këto dame kolosale që po i bahen natyrës dhe parqeve tona.
Nji shtet serioz kishte me mbajtë përgjegjësi në të dyja rastet, sepse kishte me e konsideru veten si garantin kryesor për sigurinë e mjedisit dhe pasunisë natyrore. S’kishte me e delegu fajin te kurrkush.
Nji shtet solid s’kishte me e konsideru mbrojtjen nga zjarret si çështje improvizimi, por si çështje sigurie, që kërkon planifikim, mjete, parapërgatitje dhe ndërgjegjësim përgjatë gjithë vitit, dhe jo në momentin e fundit.
Por me sa duket, prioriteti i këtij shteti ka qenë ma tepër Paketa e Maleve, sesa mbrojtja e vetë Maleve.
Me kështu lloj prioritetesh dhe me kështu lloj paketash nuk kanë me u djegë veç malet, por vetë demokracia, dhe pasunia ma e pasun e këtij vendi: Natyra jonë.
Gazeta RD