Këshilltari për Sigurinë në Partinë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka ngritur alarmin për situatën e zjarrit në Lurë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjunkshi ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet dhe mobilizimin e kapaciteteve ajrore.
Ai shkruan se pas më shumë se tetë orësh nga shpërthimi i zjarrit, flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi dhe situata ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas tij, zjarri ka përfshirë qindra hektarë pyje dhe kullota, ndërsa tashmë rrezikohen banorët e Borje-Lurës, banesat dhe bagëtitë e tyre. Gjunkshi paralajmëron se flakët mund të përbëjnë rrezik edhe për fshatin Fushë-Lurë.
Reagimi i Xhemal Gjunkshit:
Lura po digjet!
Situata ka dalë jashtë kontrollit
Kanë kaluar më shumë se 8 orë nga rënia e zjarrit në Lurë dhe flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, duke shkrumbuar qindra hektarë pyje e kullota.
Situata ka dalë jashtë kontrollit.
Rrezikohen banorët e Borje-Lurës, banesat e tyre dhe gjëja e gjallë. Tashmë rrezikohet edhe fshati Fushë-Lurë.
Nuk kemi më përballë vetëm një zjarr pyjor. Kemi një rrezik real për jetën e banorëve dhe pronat e tyre.
Në këtë situatë kërkohet urgjentisht:
* vlerësim profesional i situatës në terren;
* shtim i menjëhershëm i forcave zjarrfikëse dhe personelit;
* mjete të rënda dhe pajisje të përshtatshme për terrenin malor;
* mobilizimi i Forcave të Armatosura;
* ndërhyrje ajrore me helikopterë dhe avionë;
* një plan i qartë veprimi për mbrojtjen dhe, nëse është e nevojshme, evakuimin e banorëve.
Prej vitesh kemi dëgjuar premtime për avionët e fikjes së zjarreve. Kryeministri dhe ministrat e Mbrojtjes ndër vite kanë folur për kapacitete ajrore që do të ishin në dispozicion të vendit.
Ku janë këto kapacitete?
Qytetarët kanë nevojë për shtetin në terren, jo për deklarata nga zyrat e institucioneve.
Mobilizoni kapacitetet që dispononi dhe dërgoni ndihmën ajrore tani!
Lura nuk duhet braktisur!
Mbroni banorët!
Mbroni Fushë-Lurën!
Veproni tani!
Gazeta RD