Elda Menga, TCH: Sot u raportua që kryeministri Edi Rama do të mbledhë në një takim kryebashkiakët për të diskutuar edhe për hartën e re territoriale. Ndërkohë pyetja ime është, a do të ketë edhe një mbledhje nga ana juaj e kryebashkiakëve të djathtë apo edhe këshilltarëve të djathtë, për të diskutuar mënyrat dhe format se si do e kundërshtoni këtë hartë të propozuar nga Partia Socialiste?
Dhe Partia Demokratike ishte e para që hodhi idenë e referendumit, a po ndërmerrni ju hapat e duhur për t’ju drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tërheqjen e formularëve tip në mënyrë që të mblidhni firmat e nevojshme për zhvillim të referendumit lokal apo kombëtar, siç e keni parashtruar?
Sali Berisha: Ka një zhvillim shumë pozitiv në këtë aspekt. Qëndrimi i qartë publik i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale lidhur me ndryshimet e hartës së njësive territoriale në Shqipëri, përcaktohet se karta e këtij Kongresi, e firmosur nga Shqipëria, detyron referendumet, detyron konsultimet. Dhe kjo është përgjigjja që ka marrë zonja Tabaku si kryetare e komisionit për reformat nga ky Kongres.
Natyrisht, Edi Rama nuk pyet për asgjë, ai njeh vetëm interesin e karriges së tij dhe të pushtetit të tij të pakufishëm, i cili po shkon drejt një fundi të turpshëm dhe plotësisht të merituar për të.
Ne do ndërmarrim të gjitha hapat që ekzistojnë për hartën më të mirë të mundshme të ndarjes së njësive territoriale.
Harta jonë paraqet 111 njësi, por ajo është e hapur për diskutim. Që nga diskutimet me komunitetet, aty ku ekzistojnë kushtet më minimale të krijohen dhe njësi të tjera. Ky është qëndrimi ynë.
Decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik.
Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hiper-centralizimin e pushtetit në Shqipëri, në disa aspekte, ju nuk e njihni, por absolutisht më shumë se diktatori Enver Hoxha.
Në diktaturë, ishin komitetet ekzekutive të rrethit, por kishte dhe lokalitete, të cilat ishin si komunat, me këshilla dhe me kompetenca, në të cilën qytetarët merrnin lejet, merrnin vërtetimet, kishin gjendjen civile, pra kishin një seri shërbimesh. Dhe ajo ishte diktatura më moniste. Ishte më keq se Koreja e Veriut sot, po këtë e kishte. Ky i hoqi, ky fshiu, ky është vetëm vetë.
Ndaj dhe çdo ditë që qëndron në pushtet është një ditë e humbur, e dhimbshme për shqiptarët.
-A keni në plan të mblidhni kryebashkiakët dhe këshilltarët e djathtë për të kërkuar mbledhjen e firmave për referendum?
Sali Berisha: Ne do të marrim të gjitha veprimet e duhura.
Gazeta RD