Nga Luçiano BOÇI
Rama nuk i mblodhi kryebashkiakët në Kuç për t’i dëgjuar. I mblodhi për t’u mbyllur gojën duke i kërcënuar.
Sepse, kur mendimin e kërkon pasi ke vizatuar hartën, pasi ke vendosur cilat bashki do të zhdukësh dhe pasi e ke depozituar projektin në Kuvend, nuk quhet konsultim.
Quhet njoftim ekzekutimi dhe ekzekutim politik e atyre që nuk janë pro.
Dhe halli i Ramës nuk ishte harta por refuzimi.
Kundërshtitë e nisura me protesta dhe qëndrime nga kryetarët e këshilltarët e majtë e shfazuan Ramën.
Prandaj sot nisi kërcënimet për t’i mbyllur gojën.
Rama ishte mësuar ti shihte kryetarët e bashkive duke marrë urdhra, jo duke dhënë argumente.
T’i shihte si administratorë elektoralë që i nënshtrohen “shefit”., jo si të zgjedhur vendorë që flasin në emër të qytetarëve.
Prandaj i thirri në rresht.
Jo të gjithë kryebashkiakët e vendit. As shoqatat e pushtetit vendor, ekspertët, komunitetet apo ato të opozitës.
Mblodhi njerëzit e vet.
Pra një mbledhje partie për një hartë shtetërore.
Katër orë e gjysmë, jo për të pyetur nëse reforma ishte e drejtë, por për të kuptuar sa e madhe ishte revolta.
Aspak për të rishikuar hartën, por për të matur koston politike të saj.
Nuk i thirri për të dëgjuar kënd, por për t’i kërcënuar që të heshtin.
Dhe maska ra shpejt.
Kur kryebashkiakët e Poliçanit, Dimalit, Selenicës dhe Divjakës mbrojtën bashkitë e tyre, Rama nuk u dha përgjigje me shifra, standarde apo kritere.
I akuzoi se po nxisnin protestat e digjnin tesat e partisë.
Çfarë ironie?!
Njeriu që prej vitesh i përdor bashkitë si degë elektorale të PS-së, zemërohet kur një kryebashkiak guxon të dëgjojë qytetarët që e kanë votuar.
Njeriu që e ka shndërruar pushtetin vendor në zgjatim të Kryeministrisë, fyhet kur dikush i kujton se bashkia nuk është pronë e partisë.
Mjafton fjalia e Juliana Memajt për të kuptuar të gjithë dramën e pushtetit vendor: “Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.”
Dhe kaq mjaftoi për ta nxjerrë nga mbledhja.
Sepse në oborrin e Ramës mund të thuash gjithçka, përveç së vërtetës.
Adriatik Zotkaj u përplas me të dhe u largua. Kryebashkiakët e tjerë kundërshtuan standardin e dyfishtë: pse shkrihen disa bashki dhe shpëtojnë të tjera me tregues më të dobët? Ku janë kriteret? Ku është analiza ekonomike? Ku është konsultimi me qytetarët? Ku është ekspertiza europiane?
Përgjigjja është e thjeshtë: kriteri është interesi i pushtetit sepse Rama e ka të qartë se kjo nuk është reformë që ndjek qytetarin. Është hartë që ndjek votën.
Nuk synon t’i afrojë shërbimet, të fuqizojë komunitetet e as të decentralizojë pushtetin, përkundrazi.
Takimi i Kuçit tregoi edhe diçka tjetër.
Rama nuk ka më frikë vetëm nga qytetarët në protestë e opozita.
Ka filluar të trembet keqazi nga zëri që ngrihet brenda radhëve të veta.
Sepse protesta e opozitës mund të etiketohet. Revolta e qytetarëve mund të përbuzet.
Ndërsa kur kundërshtimi vjen nga kryebashkiakët, këshilltarët dhe socialistët e territoreve që ai kërkon të fshijë nga harta, propaganda çahet.
Rama sot i mblodhi që të largoheshin si zëdhënës të hartës së tij.
Megjithatë nuk ia doli.
Disa prej tyre folën me kurajë si dëshmitarë kundër saj.
Dhe kjo është e vërteta e mbledhjes në Kuç.
Kryeministri shkoi për të shuar revoltën, por vetëm sa dëshmoi se ajo ka hyrë tashmë brenda shtëpisë së tij politike.
Harbutëria e babëzia politike e jo vetëm politike e Ramës, është shkaku i çdo të keqe në këtë vend.
Gazeta RD