Nga Agron GJEKMARKAJ
Kronika qysh ditën e parë i vu qëllim vetes të bëhet zëdhënëse e marifetit, hajrit, nurit e lezetit! Ajo e ka zët të shpërndajë kará haberre apo katil fermane! Temjan kundër djallit përhap kudo, sidomos tani kur njerzia po pushon ndanë hijeve si sheleget nën mriz apo duke bërë kollotumba në ujë!
Ja edhe gojëligu Gaz Bardhi, që ju thafte ajo shkarpë, ka rënë në paqe e rehati për pak ditë duke lexuar dosje të reja të cilat i gjen pari, Jorushi i Tabakeve me statuset e saj plot me daramete na kujton se vjeshta po troket, por t’i gëzohemi ende ditëve të pakta të verës se koha është e pamëshirshme dhe vetëm ajo vlen, Enno Bozdo na përcjell linqet me mynxyrat që nxijnë horizontin, Klevis Balliu urdhëresa si një lajmës që të kujton borxhin e vonë, Kryezëvendës Lideri Flamur po mpreh armët me një limë guri diku nën një lis, mjerë kush do bjerë në atë teh! Oerdi në amfiteatrin e Durrësit mendon që motet ikin, gurët behen histori ! Belindi s’po lë gur pa lëvizur kundër qeverisë edhe në mes të zhegut! Si nuk lodhet i bekuari!
Kronikës iu kërkua nga lart si ndihme miqesore që gjatë gushtit të shpërndajë lajme të këqija që të përgatitet opinioni publik për ndryshimet në qeveri!
Vetëm muzhdenë e ëmbël që Etilda do kthehet që të gëzohen shokët e partisë po e japim! Se u bëhet zemra mal! Edhe pse këshilltare ajo po bëhet copash që varka të mos fusë ujë, një dy me kanaçe në dorë duke mbushur e derdhur! Merzia e Babos denesja e saj!
Atyre që do mbeten të gëzojnë të ngratet e pak melhem mbi plagë është njerzillek!
Ja Delina Ibrahimi si ka shkuar puna të duket profesoreshë e shkuar profesoreshes , saqë dhe opozitës do i lutemi ta konsiderojë si të tillë! Ajo mëson dhe Qefseren si të rrijë në karrige, si të flasë, si të duket sikur ëndërron vizione të mëdha, sikur nuk flet se nuk ia vlen, jo se nuk di! Madje edhe nëse Briseida Bakerri i zë vendin, ajo nuk duhet të japë shenja pezmi, se kështu e lyp kjo punë! Të mos e bësh veten, të shitesh si idealist kur pragmatizma të copëton xhanë!
Le Festim de Gozha, pasi bëri ca gomarlliqe në fillim, tani e ka kuptuar që do jetë si biçim zëvendës ministri se ministër i punëve të jashtme është Babua, i cili bën politikë të madhe, ashtu siç e lyp dinjiteti e tarasqelleku i një shteti serioz koxha si ky i yni!
Ndërsa me pocaqillëqet e hartimet skolareske merret Festua, se ka dhe të vluarën në Bruksel e gjynah t’i prishet terezia! Shyqyr që u dhanë mundësinë! Pastaj kanë gojë e thonë që Babua nuk bën sevape!
Tezja, e cila dikur nuk përkthente keq, tani ka roitur ca, pehlivanllëqet e kanë rënduar, e zë gjumi në zyrë, jepet dhe pas rakisë shejtanja , vartësve u hakerrehet me ulërima, u ka ndaluar edhe leximin e “Kronikes” e cila në kohën e Ogit lexohej kolektivisht në atë bina! Ndërsa tani si trakt.
Pastaj pritet që studentët t’i bashkohen protestës në Tetor, sikur nuk i ka punët mirë, po natyrisht nuk do tregojmë asgjë që të pushojë mbarë! Bah si dojete kjo vjeshte ankthi!
Edhe me Termenë, i cili ia ka bërë benë, është thyer!
I zgjedhur për analfabetizmin e tij, shkathtësinë për të numëruar, mendjen kabà, më i gjerë se gjatë, hames e zgraps i madh, tarrtakuti i kultures, i konsideruar ministër më kopuk e injorant qysh nga viti 1912, duket se i ka punët mirë, se kulturës shqiptare në këto kohë të vështira i duhet një timonier i tillë, që nuk ka dilema, që nuk bën pyetje, që e trajton kulturën me jabrashllëk e putra! Këtë sukses me kulturën vetëm Babua e ka arritur! U qamë për Margaritnë, që na vraftë Zoti, na vraftë!
Edhe këtij Lameqyqes s’ka kush t’i shkruaj, meit kaluar meitit, i mirë për shef sektori apo drejtor drejtorie, duket sikur i këndojnë kuvliet mbi krye, po ne, për gjynah, i japim do dyll për veshët mos te degjoje sirenat e te shohe filmin e Odiseut te kinemaja ngjite me ministrine!
Toni hyri më të madh qerratai, vinte duart në ije, psherëtinte, mendohej, ecte ngadalë, numëronte sumbullat në jelek, po nuk bëri beteja të mëdha për Babon në vakt kur hirra ndahet prej djathit, tani lëshon proklamata për integrimin, të cilat bëjnë me qeshë edhe Ulësinë, i cili për atë seriozitet e intelektualizem rron!
Dufi i mbrojtjes edhe nuk rrezikon, se ka përmasat e një kllufi në çdo pikëpamje, ndonëse me një karvan makinash kalon semaforët me të kuq, se gjithë ai personalitet, helbete! Shqipërinë e hijeshojnë teveqelet dekadë pas dekade!
Ndaj i plasi shpirti Nolit kur sokëlliu: ti, Halim, që s’di këndim, bëhu vezir për arsim! Me plaçin sytë, kështu më tha Ditmari një ditë, tek shpaloste një plan të detajuar për rrëzimin e Babos, të konsultuar me këta të Sorosit në Tiranë!
Në vende kyçe per mesymje do vendos tre kandidaturat që gjermanët i propozuan Babos për ta zëvendësuar dhe që ai i bëri def!
Nxori një hartë dhe tregonte pika e momente kur do t’i bashkohej Klosi, Braçe e të tjerë socialistë!
Ky Tao besëplotë se Babua do hapë qesenë për moskursimin e tij, qejf ka t’i bëjë këpucët Nikos, por tek e fundit nuk i fryn buzët edhe po të zbojë Karà Kaçin me Lameqyqen! Tek e fundit edhe po nuk i dha gjë do shtiret si me i kenaqur , te pelcasin shpirtin keto pune!
Tejet i mërzitur Erjon Malaj trokiti në dyert e “Kronikës”, rënkonte e ndukte leshrat, sa pushonte ia jepte përsëri vajit, me bëte të blej dy kostume të Pjeter Kardeni, ankohej, nuk po më bie t’i përdor kurrë, më ktheni lekët, merrni kostumet, ofshantë”! Prit, more i uruar, i thamë, se nuk dihet ça ndodh, po ti mos trego me atë të mjekësisë se ia harrojmë emrin , me Sofjan lozonjarin, Ervin buçkon, Sypetrit Malajn, mbahu, mos u lësho! Një shpresë i regëtiu dhe ndezi shikimin! Iku, por u kthye përsëri, pyeti: më tregoni ndonjë gjë, tha, se pres gjuhën e nuk flas! Ç’ llomotitet për Saren, Zeniqenë dhe Kidin, duke bërë shenjën e ngjitjes me gisht!
Në atë rrugë, i thamë, janë Babua, siç ka bërë parlamentin, do bëjë qeverinë e vatanin, selamet domethënë!
Babua bën mirë të mendojë edhe për akademik Kostaqnë, një postiçino i cili nga grek safi u shndërrua në një nacionalist shqiptar të ndezur, duke u bërë dhëndër në Kuç, boll i ngrati punoi si hyzmeqar në Tabir, ku shpesh nuk ia dinë as vlerën, të ngratët që Kryetaret sjellin nga anë e anës asaj ograje te cilet librin e dinë dëngel!
Teksa Kronika, e cila shquhet për subjektivitetin e cila shpërndan e heq tupe, bën hatëre e ndera, vendos fletërrufe e telendira, nuk ka se si të mos vuajë kur sheh që të gjithë gëzojnë, ndërsa Dallamanga Genc Gjonçaj rri në zyrë duke pritur një telefonatë! Hajer ishallah!
Këshillë për lexuesit: Kronika mund te lexohet rresht per rresht, nga fundi per te shkuar ne fillim, nga e mbara dhe nga e kunderta, si e vertete por edhe si fantazi, si lajm por edhe si buzeqeshje në keto ditë zhegu ku nuk buzeqesh njeri edhe po ti lutesh me lek!
Gazeta RD