10 vite mashtrim me hekurudhën Tiranë–Durrës–Rinas/ BE-BERZH dhanë 70 milionë euro

Nga Adri Nurellari

Kur Ursula von der Leyen erdhi në Tiranë dhe kryeministri e çoi për të inspektuar hekurudhën Tiranë–Durrës–Rinas, iu servir një copë e vogël e së ardhmes europiane të Shqipërisë: 70 milionë euro investim me financim BE–BERZH, 12 minuta Tiranë–Rinas, 22 minuta Tiranë–Durrës, shpejtësi deri në 120 km/h dhe përfundim në pranverën e 2024-ës. Von der Leyen e vlerësoi punën; me sa duket askush nuk pati mirësinë t’i shpjegonte se në Shqipëri afatet e përfundimit të veprave publike janë më shumë një zhanër i letërsisë fantastiko-shkencore sesa njësi matëse e kohës.

Pranvera e 2024-ës iku, 2025-a u shua, dhe tani jemi në prag të vjeshtës së 2026-ës, ndërsa i vetmi udhëtar i rregullt në këtë linjë ka qenë buxheti. Nga 70 milionë euro fillestare, fatura ka fluturuar në rreth 120 milionë euro, duke dëshmuar se e vetmja gjë që lëviz me shpejtësi në këtë vend është fryrja e kostove.

Për ta futur në perspektivë, ne kemi hyrë tashmë në vitin e gjashtë të punimeve, ndërsa në Turqi, në afërsisht të njëjtën periudhë, u ndërtua linja Çerkezköy–Kapıkule: 153 kilometra hekurudhë e re me dy palë shina, e elektrifikuar dhe e sinjalizuar, e projektuar për shpejtësi deri në 200 km/h, me dhjetëra ura, tunele, mbikalime e nënkalime. Po ashtu, Serbia, në afërsisht katër vjet, ndërtoi dhe vuri në punë 75 kilometra hekurudhë Beograd–Novi Sad, me dy palë shina dhe për shpejtësi deri në 200 km/h.

Ndërkohë kanë kaluar plot 10 vjet nga Samiti i Parisit i vitit 2016, ku projekti u përzgjodh si një nga projektet fituese rajonale. Në këtë pikë, hekurudha Tiranë–Durrës nuk është më projekt transporti, por test i durimit kombëtar. Një dekadë për 39 kilometra hekurudhë dhe ende numërojmë. Me këtë ritëm, kur treni të niset më në fund, ata të rinj durrsakë që e prisnin trenin në pranverën e 2024-ës nuk do të kërkojnë më biletë studenti, por ulje pensionisti.

About Krye Redaktor

Check Also

Tregu audioviziv rrezikohet nga monopolizimi

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh zëvendëskryetar i komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, …