Gjekmarkaj: Turizmi nuk ndërtohet me statistika! Në Lezhë mungojnë uji, dritat dhe siguria!

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, ka ngritur një sërë shqetësimesh me të cilat sipas tij po përballet sezoni turistik në Lezhë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj thotë se, pas deklaratave për fluks rekord turistësh, fshihet një realitet tjetër, si mungesë energjie dhe uji, trafik, probleme me shërbimet shëndetësore dhe, mbi të gjitha, shqetësime serioze për sigurinë në plazhe pas rasteve tragjike të mbytjeve.

Gjekmarkaj shkruan se, pavarësisht pretendimeve për rritje të fluksit të turistëve, bizneset në Shëngjin raportojnë një numër më të ulët pushuesish krahasuar me një vit më parë.

Reagimi i plotë

VDEKJE NË PLAZHE, TRAFIK DHE MUNGESË DRITASH, ANA TJETËR E REALITETIT TURISTIK

Sezoni turistik në Lezhë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, po përballet me pasoja të shumta. Ndërsa Bashkia Lezhë dhe qeveria mburren me një “fluks” turistësh, nga terreni bizneset sjellin të dhëna krejt të tjera, ku Shëngjini po përballet me një numër më të ulët turistësh krahasuar me vitin e kaluar.

Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me mungesën e shërbimeve.

Zona bregdetare e Shëngjinit, Tales, Patokut dhe pjesë të tjera të qarkut janë përballur me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesë të ujit të pijshëm.

Lezha mund të jetë një nga shembujt më të qartë të mungesës së shtetit në raport me investimet dhe shërbimet bazë.

OSHEE është një tjetër histori dështimi. Si në verë, ashtu edhe në dimër, mijëra banorë mbeten në terr për orë të tëra. Zona e Hotelit të Gjuetisë, Ishull-Lezha në tërësi, Balldreni, Zejmeni, Zadrima, Bregu i Matës dhe zona të tjera përballen vazhdimisht me probleme të energjisë. E njëjta situatë është edhe në Mirditë e Kurbin.

Dhe pastaj qeveria pret rritje të turizmit!

Si mund të presësh më shumë turistë kur nuk garanton energji, ujë, rrugë dhe shërbime minimale?

Por një tjetër problem serioz është siguria në plazhe.

Këtë sezon, Shëngjini dhe Talja janë përballur me raste tragjike mbytjesh. Sot humbi jetën një i ri, duke e bërë edhe më të dhimbshme pyetjen se sa të sigurta janë plazhet tona dhe sa seriozisht po merret shteti me sigurinë e pushuesve.

Siguria në plazhe nuk mund të jetë thjesht një tabelë apo një deklaratë.

Kërkohen roje bregdetare të pranishëm, kullat e vrojtimit funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë, monitorim dhe ndërhyrje të shpejtë në çdo rast emergjence.

Çdo jetë e humbur në det është një tragjedi për familjen, por edhe një kambanë alarmi për institucionet.

Problemet nuk mbarojnë këtu.

Trafiku është kthyer në një makth. Nga Miloti drejt Lezhës dhe Shëngjinit, në ditët e sezonit turistik, udhëtimi mund të zgjasë me orë të tëra. Pushuesit që duhet të shijojnë pushimet përfundojnë të bllokuar në trafik.

Edhe më shqetësuese është gjendja e shërbimit shëndetësor. Raste të turistëve që kanë përfunduar në spitale kanë ngritur pikëpyetje serioze për mungesën e medikamenteve dhe shërbimeve minimale që duhet të ofrohen.

Turizmi nuk ndërtohet me statistika propagandistike dhe deklarata për “flukse rekord”.

Turizmi ndërtohet me infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi, siguri dhe mbi të gjitha me garantimin e jetës së pushuesve, që fatkeqësisht Lezhës i mungojnë.

Lezha ka potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por potenciali nuk mjafton kur shteti mungon pikërisht aty ku duhet të jetë më shumë i pranishëm.

 

About Redaksia

Check Also

Incidenti në Pustec/ Këlliçi: Injorimi i Himnit nuk është gafë, por dështim i diplomacisë!

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Pustec gjatë …