Akrobacitë e shifrave ekonomike

Nga Luçiano BOÇI

Ndërsa janë ndezuar alarmet për deindustrializimin e vendit qeveria ka nxituar ta shesë rritjen ekonomike prej 3,71% si një sukses historik.

Shqipëria qenka sipas ministrit në krye të rajonit dhe po i afrohet me shpejtësi Bashkimit Europian.

Autoironi e ministrit apo lajthitje vere nga nxehtësia e zjarreve?!

Por çfarë tregojnë realisht shifrat?

Së pari, rritja 3,71% është publikuar nga INSTAT dhe tregon ndryshimin e ekonomisë në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025.

Por kjo nuk do të thotë aspak se ekonomia u rrit me 3,71% brenda tre muajve.

Krahasuar me tremujorin paraardhës, rritja e përshtatur sezonalisht ishte vetëm 0,77%.

Pra, kemi një shifër pozitive, por jo mrekullinë ekonomike që kërkon të vizatojë propaganda.

Së dyti, Shqipëria nuk është e para në rajon. Kosova është rritur me 5,43%, ndërsa Shqipëria me 3,71%. Shqipëria renditet e dyta, përpara Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

E të shpallësh veten “në krye” kur një vend tjetër ka një rritje dukshëm më të lartë, nuk është statistikë. Është reklamë qeveritare.

Edhe krahasimi me Bashkimin Europian është paraqitur në mënyrë të njëanshme e nga kjo nuk mund të përfundosh se Shqipëria po kap Europën.

Një njeri që ecën pak më shpejt për disa metra nuk do të thotë se e ka kapur atë që ndodhet kilometra përpara.

Treguesi që mat realisht distancën ekonomike është PBB-ja për frymë, e përshtatur sipas fuqisë blerëse.

Shqipëria ndodhet vetëm në 42% të mesatares së Bashkimit Europian.

Pra, hendeku mbetet 58 pikë përqindjeje. Madje, ky tregues ishte 42% edhe një vit më parë.

Ku është atëherë “ngushtimi me shpejtësi” i distancës?!!!

Pjesa më demaskuese gjendet brenda vetë të dhënave të INSTAT-it.

Nga rritja totale prej 3,71%, grupi “administratë publike, arsim dhe shëndetësi” dha 1,68 pikë përqindjeje, ndërsa taksat neto mbi produktet dhanë edhe 0,74 pikë.

Së bashku këta dy zëra përbëjnë rreth 65% të gjithë rritjes së raportuar.

Në të njëjtën kohë, industria ra me 2,17% dhe bujqësia me 0,49%.

Pra Shqipëria përtej ftohtësisë së shifrave është në degradim industrial e bujqësor.

Ne nuk kemi një ekonomi prodhuese që po shpërthen.

Nuk kemi bujqësi që po ringrihet dhe industri që po hap vende të reja pune. Kemi një rritje të mbështetur në masë të madhe nga grupi i administratës, arsimit e shëndetësisë dhe nga taksat.

Ministri e quan këtë “dëshmi të vizionit dhe politikave të qëndrueshme ekonomike”.

Por tabelat e INSTAT-it nuk provojnë as se rritja erdhi nga investimet e huaja direkte, as se biznesi po përjeton ndonjë lulëzim të përgjithshëm.

Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: nëse rritja prej 3,71% është meritë e vizionit të qeverisë, rënia e industrisë dhe e bujqësisë meritë e kujt është?!

Realiteti pothuaj dramatik i vendit nuk mund të fshihet as pas krahasimit me tremujorë e as me lek “të fortë”.

Image

About Redaksia

Check Also

Sërish koha më dha të drejtë…

Nga Adriana KALAJA Ngjarja e fundit e dhunshme në Vuno, kundër gazetarit të mirënjohur Arjan …