Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka denoncuar mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar rastin e turistes australiane të kafshuar nga gjarpri në Valbonë, duke e cilësuar si një tjetër dëshmi të problemeve të sistemit shëndetësor.
Sipas saj, në vend që rasti të shërbente për një hetim dhe për përmirësimin e shërbimeve, ministria e ka paraqitur si sukses, duke e kthyer në propagandë.
Reagimi i Ina Zhupës
Një turiste e kafshuar nga gjarpri në Valbonë telefonoi 112 për të kërkuar ndihmë. Telefonata iu mbyll. Ndihma nuk erdhi nga shteti, por nga njerëzit dhe autoritetet e aktivizuara nga familja e saj mijëra kilometra larg.
Dhe kur më në fund mbërriti në spital, u përball me mungesa që nuk duhet të ekzistojnë në asnjë spital: kushtet më elementare, si akulli dhe fashat.
Më e dhimbshmja është se, në vend të një hetimi dhe një ndjese, kjo histori u kthye në propagandë nga ministria si një sukses.
Ky është problemi i madh i një sistemi që kujdeset të “shes sapunin për djath” sesa të përmirësohet realisht dhe t’ju përgjigjet nevojave të qytetarëve. Çdo ditë mijëra qytetarë përballen me këto situata në një sistem që nuk i përgjgjet nevojave, thjesht marrin vëmendje ndërkombëtare kur gjenden turistët.
Gazeta RD