Shqipëria po digjet, Rama refuzon ndihmën e ofruar nga Kosova për të shuar zjarret

Ndërsa refuzuan ndihmën e ofruar nga Kosova për të shuar zjarret të cilat prej javësh po shkrumbojnë sipërfaqe të tëra masive pyjore, qeveria Rama duket se ka kërkuar ndihmën e Çekisë për 2 avionë për të shuar flakët.

E bëri të ditur sot ministri I Mbrojtjes, Ermal Nufi në një prononcim nga Mirdita ku një vatër zjarri shumë agresive krijoi një situatë tepër të vështirë.

Mësohet se dy avionët po punojnë në Dukat për të shuar zjarret.

“Në Dukat kemi të angazhuar dy avionët që i kemi nga drejtoria e Republikës së Çekisë për shuarjen e zjarreve” tha ministri Nufi.

Sa i takon situatës së zjarreve në Mirditë, ministri pranoi se kemi të  bëjmë me një situatë të vështirë të cilën la të kuptohet se është shkaktuar nga dora e njeriut.

“Kemi patur një situatë shumë të vështirë, rreth para dy orësh, konkretisht me një shpërthim të një vatre zjarri e cila ishte shumë agresive. Menjëherë kanë ardhur forcat nga bashkia, nga zjarrfikëset vendore dhe është kërkuar ndërhyrja edhe nga ajri. Kemi bërë të mundur që dy helikopterë nga Forcat Ajrore të vijnë për të asistuar të gjitha forcat që po luftonin këtu në terren, për shkak se  terreni siç e shikoni është i thyer dhe mungesa e rrugëve për te vatrat e zjarrit e bën shumë të vështirë ndërhyrjen.

Situata duket nën kontroll, është evituar djegia e shtëpive apo e banesave. Në atë që edhe ju vetë e shikoni duket që situata është nën kontroll, pra nuk rrezikojmë që të kemi banesa apo jetë të humbura në këto momente që flasim. Është situatë e vështirë, kërkon një angazhim shumë të madh trupash. Na vjen keq që përballemi me këtë situatë, pra rreth orës 12:00 në mesditë, domethënë çdo ditë dëgjojmë që në mesditë të përhapen dy-tri vatra zjarri që është të themi jashtë logjikës njerëzore, por kjo është punë e Policisë së Shtetit pastaj për identifikimin e të gjithë shkaqeve të këtyre zjarreve. Po bëjmë çmos që të ruajmë natyrën, të ruajmë banesat, të ruajmë jetët e njerëzve. Jemi së bashku këtu me prefektin, me kryetarin e bashkisë, me forcat e zjarrfikësve, me Policinë e Shtetit, me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Po bëjmë çmos që mos të kemi asnjë dëm në jetë njerëzore apo në banesa. Siç e shikoni dhe live, Forcat Ajrore janë në operacion dhe janë në ndërhyrje për të bërë të mundur përmbajtjen e vatrës dhe shuarjen e saj, por siç e shikoni dhe vetë është e vështirë.” tha Nufi.

Situata të vështira janë në malin e Dajtit, në Dukat të Vlorës por dhe në Gojan të Pukës.

“Situatat më problematike në rang vendi janë tani që flasim në Dukat, në Vlorë. Kemi mbi 150 forca vetëm nga Forcat e Armatosura, pa llogaritur zjarrfikësit që po ndërhyjnë edhe atje në shpat mali. Është zonë e vështirë, rrezikon edhe atje që të ketë përhapje. Era na ka penalizuar jashtë mase. Kemi situatë shumë të vështirë në Gojan, në Pukë, për shkak të riaktivizimit të një vatre në Gojanin e Madh… Ne do të shkojmë së bashku me të gjitha strukturat drejtuese edhe në Gojan, atje na pret edhe prefektja. Kemi të stacionuara atje nga Forcat e Armatosura, nga Regjimenti i Veriut, mbi 60 forca që po punojnë për përmbajtjen e zjarreve.

Kemi gjithashtu situatë të vështirë në malin e Dajtit, po punohet për përmbajtjen e asaj vatre zjarri atje me Forcën Ajrore gjithashtu. Në Dukat kemi të angazhuar dy avionët që i kemi nga drejtoria e Republikës së Çekisë për shuarjen e zjarreve. Këto janë vatrat kryesore. Kemi në Klos gjithashtu, kemi dërguar edhe atje 30 trupa nga Forcat Tokësore për të bërë të mundur ndihmën e zjarrfikësve që janë atje. Në Gojan gjithashtu siç e thashë edhe në fillim kemi të angazhuar shumë nga forcat zjarrfikëse që vijnë nga qytetet e tjera, nga Kukësi, nga Hasi, nga vendet përreth, nga Kamza gjithashtu. Dje kemi pasur një situatë shumë të vështirë atje në Milot. Çdo ditë dalin vatra të reja, çdo ditë shuajmë vatra. Jemi duke luftuar së bashku me pushtetin vendor, së bashku me të gjitha strukturat qendrore që t’i bëjmë ballë gjithë kësaj situate”.

About Redaksia

Check Also

Protesta e 83-të/ Duan të na presin shpresën, por nuk na ndal askush! Qeveri teknike në radhë të parë!

Në protestën e 83-të kundër qeverisë Rama, aktivisti nga Milano akuzoi qeverinë për përkeqësimin e …