Shkodra nën pushtetin e armëve, qeveria jep shfaqje

Nga Luçiano BOÇI

Vetëm tri ditë pasi një qytetar u plagos me armë zjarri në mes të ditës, në lagjen “Partizani”, sot Dukagjini u përgjak nga vrasja e babë e bir dhe plagosja e rëndë e një qytetari tjetër.
Nga qendra e Shkodrës deri në Pult, armët po flasin më shpesh se ligji.
Këto nuk janë më episode të shkëputura. Janë kambana alarmi për degradimin e rendit dhe braktisjen e sigurisë publike.
Policia shfaqet pasi krisin armët. Qeveria shfaqet më pas me njoftimin standard se “po punohet për zbardhjen e ngjarjes”.
Por ku është shteti përpara se të merren jetë?
Sa armë qarkullojnë lirshëm?
Sa konflikte lihen të fermentojnë derisa përfundojnë në gjak?
Terreni i vështirë nuk mund të jetë alibi për mungesën e shtetit. Dukagjini është Shqipëri dhe Shkodra nuk mund të trajtohet si një territor i harruar, ku krimi përcakton vetë orën dhe vendin e goditjes.
Lamallari dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet t’u japin menjëherë përgjigje shkodranëve, jo me bilance propagandistike, por me masa konkrete sigurie.
Qeveria e Ramës është e fortë me qytetarët dhe kundërshtarët politikë, por e pafuqishme përballë armëve dhe krimit.
Kur arma flet më fort se shteti, rendi ka rënë. Dhe përgjegjësia është vetëm politike!

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "VITO w w W syri.! net EMRAT/ Te shtëna Te armë në Dukagjin/ Vriten babë e bir, një tjetër i plagosur rëndë 23 Aug 2026"

About Redaksia

Check Also

Disa fjalë për deputetin Vullnet Sina që “fshiu” nga harta Selenicën…

Nga Kristi KAMBERAJ Disa fjalë pas asaj që ndodhi, për banorët e 15 bashkive që, …