Në ditën e 86 të revolucionit të Flamingove, pavarësisht tentativave të Ramës që përmes propagandës të heqë vëmendjen nga protesta dhe kërkesat e tyre, qytetarët janë të vendosur në dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë së tij.
Edhe pse një ditë më parë Rama prezantoi platformën ‘Mirror Albania’, si kundërpershë, protestuesit i ripërsëritën edhe njëherë kërkesat e tyre, duke nisur me anulimin e ligjit të zonave të mbrojtura, investitrorët strategjikë, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore për hapjen rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Teksa shprehen se nuk udhëhiqen nga interesa personale, protestuesit kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen derisa zëri i tyre të dëgjohet nga qeveria.
“Jemi në shesh, në ditën e 86. Për të protestuar për të njëjtat kërkesa. 86 ditë kanë kaluar, por kërkesat tona nuk kanë ndryshuar. Sepse as arsyet që na sollën këtu nuk kanë ndryshuar akoma. Ne nuk jemi këtu për protagonizëm. As për interesa personale apo partiake. Jemi këtu sepse besojmë, se qytetarët duhet të dëgjohen. Dhe se vullneti i sovranit duhet të respektohet. Kërkesat tona janë të qarta, legjitime dhe të panegociueshme. Një, dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jo partiake, me mandat 12 mujor. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit. Si dhe miratimin e të drejtës për referendum popullor. Duke përfshirë ndër të tjera, ndryshimin e kodit zgjedhor. Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme. Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra për ligjin për zonat e mbrojtura. Anulimin e ndryshimeve të bëra për ligjin e trashëgimisë kulturore. Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si paketa e maleve. Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike. Dhe së fundmi, kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë, teknikë dhe qytetarë jo partiakë, të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, të njëjtat kërkesa për të cilat kemi dalë në shesh për 86 ditë.
Dhe nëse përballë kemi qeveri që zgjedh të mos dëgjojë, ne do të vazhdojmë të flasim. Nëse zgjedh të mos reflektojë, ne do të vazhdojmë të protestojmë. Sepse ky shesh nuk është i asnjë partie. Por është shesh i qytetarëve, dhe ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare, deri në realizimin e kërkesave tona. 86 ditë nuk na kanë lodhur!”, tha ai.
Gazeta RD