Reforma Administrativo-Territoriale u vu sot përballë dëgjesës me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë paraqitën shqetësimet mbi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkuan vlerësimin e tij, sipas standardeve evropiane.
Në dëgjesën me përfaqësueset e larta të Kongresit, Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, Shoqata theksoi se nuk kërkon mbështetjen e një harte të caktuar, por që ndryshimi territorial të mbështetet në konsultim të plotë, evidencë të qartë dhe konsensus të gjerë.
Presidenti i Shoqatës, Fisnik Qosja, e cilësoi qëndrimin institucional dhe jo politik.
“Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, deklaroi Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri.
Zv.presidenti i Shoqatës, Albert Malaj, paraqiti tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor.
Sipas Shoqatës, nuk u zhvilluan disa prej mekanizmave të parashikuar, përfshirë raundet e mëtejshme të konsultimit, sondazhin publik, publikimin e kritereve dhe alternativave dhe konsultimin mbi paketën ligjore.
“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, tha Malaj.
Eksperti i nivelit të lartë për Reformën Territoriale-Administrative, Ylli Asllani, e cilësoi procesin të njëanshëm. Ai tha se opozita kishte kërkuar një Komision të Posaçëm Parlamentar bipartizan dhe se kjo kërkesë u pranua pas presionit ndërkombëtar. Sipas Asllanit, pavarësisht kërkesave të opozitës dhe ekspertëve, jo të gjitha aktivitetet e parashikuara u zhvilluan.
Në mënyrë të veçantë, ai përmendi Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se nuk u zhvilluan dëgjesat me qytetarët e kryeqytetit.
“Po bëhet një reformë pa pyetur qytetarët. Është një prerje e hartës pa asnjë analizë”, deklaroi Asllani, duke ngritur edhe shqetësimin për mungesën e ekspertizës ndërkombëtare dhe akademike në proces.
Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, solli në vëmendje qëndrimin e komunitetit ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë. Curri tha se Fushë-Arrëzi ka votuar kundër shkrirjes dhe kërkoi që Kongresi t’i tërheqë vëmendjen qeverisë për mosdëgjimin e komunitetit.
“Ne komunikojmë me deputetë dhe përfaqësues të mazhorancës dhe na thonë: nuk është reformë e mirë, por jemi të detyruar ta votojmë”, deklaroi Curri.
Në përfundim, Shoqata kërkoi nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të shqyrtojë dokumentacionin, konsultimet e zhvilluara dhe qëndrimet e bashkive e komuniteteve, si dhe të vlerësojë përputhshmërinë e procesit me standardet evropiane të autonomisë vendore.
Debati, sipas Shoqatës, nuk lidhet vetëm me numrin apo kufijtë e bashkive, por me mënyrën se si merret një vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët, shërbimet publike, përfaqësimin dhe autonominë vendore.
Mesazhi përfundimtar ishte i qartë: çdo ndryshim i hartës territoriale duhet të mbështetet në evidencë të verifikueshme, konsultim real dhe konsensus të gjerë.
“Një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, ai i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri”, përfundoi Qosja.
Gazeta RD