Banorët e lagjes nr. 15 në qytetin e Durrësit kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e degraduar të rrugës, e rehabilituar vetëm një vit më parë.
Banorët shprehen se kjo situatë ka ardhur për shkak të punimeve me cilësi të dobët, ndërsa ata denoncojnë edhe punimet e papërfunduara për kanalin e ujërave të bardha, të cilat kanë nisur gjatë fushatës së fundit elektorale dhe janë lënë në mes
Kjo është një nga rrugët më të reja në qytetin e Durrësit, e rehabilituar rreth një vit më parë nga Bashkia e këtij qyteti. Rruga ndodhet në lagjen nr. 15, por, siç duket edhe nga pamjet, mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që ajo të degradojë dita-ditës.
Gropat e thella, veçanërisht në ditët me shi, vështirësojnë ndjeshëm lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve të vogla.
Ndërkohë, qytetarët pohojnë se, përveç punimeve jo cilësore, një tjetër shkak i dëmtimit të rrugës janë edhe mjetet e tonazhit të rëndë që qarkullojnë në këtë zonë.
Qytetarët shprehen se, përveç gjendjes së rrugës, një tjetër problem shqetësues në zonë është edhe kanali i ujërave të bardha. Sipas tyre, punimet për këtë kanal nisën gjatë periudhës së fushatës elektorale, por ende nuk kanë përfunduar.
Tubat vijojnë të qëndrojnë prej kohësh të shpërndarë në rrugë, duke penguar lëvizjen dhe duke krijuar një situatë të papërshtatshme për banorët.
Banorët pohojnë se janë ankuar disa herë pranë Bashkisë së Durrësit për këto problematika, por, sipas tyre, deri më tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete.
Gazeta RD