Nga Rezenbrik Serjani
-Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
30 milionë lekë për “kafazet e qenve” dhe 21 milionë lekë për “përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara” !
Bashkia Vlorë, institucioni që duhet të ishte në krah të Vlorës, përmirësimit të shërbimeve e jetesës së qytetarëve të saj, infrastrukturës dhe zhvillimit urban, duket se ka zgjedhur prej kohësh tashmë të jetë në krah të abuzimit, tenderimeve të fryra, arrogancës institucionale dhe shpërdorimit të prioriteteve e përgjegjësive publike.
Nga ky ekzekutiv vendor kemi parë e dëgjuar mjaftueshëm këto dekada; shkelje, abuzime, korrupsion, arrogancë, keqadministrim, mungesë të theksuar përgjegjësie ndaj qytetarëve e lloj e soj deformimesh morale e institucionale të të gjitha formave, por ekzekutivi “i përçarë” vendorë i dalë nga zgjedhjet e vitit 2023 dhe në vazhdim përfaqësojnë etalonin e të gjitha cilësive të lartpërmendura.
Ai është ekzekutivi më antivlonjatë në historinë e këtij qyteti. Është administrata më e zhytur në zullume korruptive e institucionale. Është ajo administratë ( derivat i politikave sektare antivlonjate e antikombëtare të sektit Rama) që e ka shndërruar Vlorën mos të jetë më Vlorë. Abuzimi, mbetet kryefjalë e punës së bashkisë. Vjedhja, kryetemë e saj. Arroganca, kryetitullare e institucionit të parë të qytetit.
Kësaj radhe, pas vendimit absurd për subvencionimin e çdo qeni me 260 euro (më shumë sesa pensionet e të dy gjyshërve të mi të marra së bashku), Bashkia Vlorë, në planet e saj buxhetore, ka zgjedhur që për “kafaze qensh” të shpenzojë rreth 30 milionë lekë, ndërsa në zërin buxhetor të planifikuar për “përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara, për vitin 2026”, ka planifikuar 21 milionë lekë.
Janë jo vetëm të korruptuar, arrogantë dhe rrugaçër institucionalë, por janë të pashpirt !Korrupsioni i ka shndërruar në njerëz që e urrejnë këtë qytet !
Ky është prioriteti i 2026 për Bashkinë Vlorë.
Mes realitetit të lagjeve të lëna në mëshirë të fatit, që presin një dorë asfalt dhe një linjë furnizimi me ujë; zona rekreative që presin të pastrohen nga papastërtitë; rrugë që lëngojnë nga mungesa e shërbimit të pastrimit; sezonit turistik të dështuar, shkolla që pikojnë ende me shiun e parë; studentë ekselentë që nuk marrin asnjë qindarkë bursë nga bashkia; kanale që presin të pastrohen dhe të dezinsektohen; Bashkia e nxin akoma më shumë kontrastin, me dozat e saj të abuzimit.
Prioritet i Bashkisë Vlorë sot e gjithë ditën mbetet vjedhja!
Gazeta RD