Nga Luçiano BOÇI
Rama dhe Bashkia e tij në Elbasan e kanë kthyer detyrimin kushtetues për konsultimin e qytetarëve në një shfaqje të turpshme.
Gjashtë rajone thirren brenda një dite, në një sallë me vetëm 100 vende, dhe kjo farsë kërkohet të shitet si “mendimi i popullsisë”.
Opinioni i 123 mijë banorë të Elbasanit i mbyllur në një salle 100 vendëshe.
Rekord Guiness për efektshmëri dëgjesash.
Absurditet bio!
Dhe kjo nuk është paaftësi organizative, sepse paaftësia e kësaj Bashkie është e shpallur sheshit me kohë.
Është një organizim i qëllimshëm për të kufizuar pjesëmarrjen, për të mbytur zërat kundër dhe për të prodhuar alibinë administrative që i duhet pushtetit për një hartë të vendosur paraprakisht.
Njëqind karrige nuk përfaqësojnë gjashtë rajone.
Ato janë vetëm skenografia e një vendimi të marrë.
Salla nuk është zgjedhur për të dëgjuar qytetarët, por për të mbushur procesverbalin.
Pjesa kryesore patronazhistë e administratë
Kështu Rama nuk po konsulton reformën.
Ai po kërkon ta legalizojë me farsë antikushtetuese një hartë të imponuar politikisht.
Bashkia e Elbasanit është vënë në shërbim të kësaj skeme, duke cënuar hapur pjesëmarrjen publike dhe duke tentuar ta paraqesë zërin e një salle të kontrolluar si vullnetin e të gjithë qytetit.
Ky është manipulim i hapur politik i konsultimit publik dhe përdhosje e frymës kushtetuese.
Qytetarëve nuk po u kërkohet mendimi për të ndryshuar vendimin. Thjesht po u kërkohet prania për të justifikuar një vendim që është marrë pa ta.
Kjo në Elbasan nuk është dëgjesë publike.
Por dëgjesë e pushtetit me vetveten, sepse qytetarët përjashtohen, kundërshtimet filtrohen, karriget fotografohen dhe procesverbali firmoset.
Kjo është përbuzje për qytetarët dhe imponim me forcë i një vendimi politik.
Dhe më e bukura e kësaj dëgjese “publike”, është se vetë drejtuesi i Bashkisë nuk pati as kurajo dhe as guxim të vinte vetë për dëgjesë para Komisionit të reformës në Kuvend.
Gazeta RD