Pse duhet një konsultim i plotë për reformën territoriale!

Nga Ylli ASLLANI

Të nderuar miq,
Dëshiroj t’ju informoj shkurtimisht mbi takimin online të zhvilluar ndërmjet Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë me përfaqësues të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, lidhur me procesin e rishikimit të hartës administrative-territoriale të Shqipërisë.
Shkak për këtë takim u bë draft-raporti dyshimtë i paraqitur nga disa deputetë të PS për shkrirjen e pamotivuar dhe të rrezikshme të 15 bashkive!
Ky përbën një sinjal alarmi për jetën dhe perspektivën e qindra mijëra banorëve, por dhe fatin e demokracisë vendore!
Përtej thyerjes së cdo procedure normale, më shumë në këtë nxitim të PS na shqetësoi këmbëngulja e Kryeministrit për të bërë fakt të kryer një projekt politik që ishte pritur në mënyrë masive me kundërshti dhe zemërim nga mbarë qytetarët në dëgjesat e para…!
Ndaj menduam të kërkojmë bashkëpunim me organizatat evropiane që monitorojnë demokracinë vendore në Shqipëri, për ta sjellë procesin brenda standarteve dhe normave të një vendi që aspiron integrimin në BE
Për këtë arsye në 17 gusht, Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë iu drejtua Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, duke kërkuar një takim urgjent për shqetësimet mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi i rishikimit të hartës territoriale.
Takimi u zhvillua me procedurë të përshpejtuar.
Mesazhi ynë ishte i qartë dhe institucional:
Ne nuk kundërshtojmë reformën territoriale. Kundërshtojmë një reformë pa konsultim real, pa kritere të qarta, pa alternativa të krahasueshme dhe pa miratimin e komuniteteve që preken drejtpërdrejt nga ndryshimi i kufijve të tyre vendorë.
I shpjeguam se është tepër e rrezikshme krijimi një harte të re bashkiake pa konsultime gjithë përfshirëse, analiza dhe proces profesional!
Argumentuam se nga 16 aktivitetet e parashikuara në proces, 11 faza të rëndësishme të konsultimit, analizës dhe përgatitjes së alternativave nuk u realizuan.
Theksuam se dëgjesat e kryera deri tani nuk ishin konsultime mbi shkrirjen e 15 bashkive, pasi komuniteteve nuk iu paraqitën alternativa konkrete për të cilat të shpreheshin.
Një boshllëk serioz mbetet edhe mungesa e një konsultimi të plotë për Tiranën, e cila përfaqëson peshën më të madhe demografike, ekonomike dhe administrative të vendit.
Kjo është një sinjal për mos transparencën, qëllimet politike të hartuesve të drafit të maxhorancës dhe legjimitetin e hartës së re!
Qëndrimi i përfaqësuesve të Kongresit ishte i qartë:
Kongresi nuk do të ndërhyjë në zgjedhjen e një harte politike.
Por do të ndjekë respektimin e standardeve evropiane të konsultimit publik dhe çështjen e marrjes së miratimit të komuniteteve për ndryshimin e kufijve vendorë, në kuadër të Nenit 5 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Dhe më e rëndësishmja:
KONGRESI NA KËRKOI NJË RAPORT ME FAKTE DHE PROVA.
Shoqatës iu kërkua të përgatisë një raport më të gjerë, bashki më bashki, mbi:
▪️ konsultimet dhe dëgjesat e zhvilluara;
▪️ pjesëmarrjen e qytetarëve;
▪️ alternativat e paraqitura;
▪️ qëndrimet e komuniteteve;
▪️ vendimet e këshillave bashkiakë;
▪️ kundërshtimet dhe kërkesat lokale;
▪️ dhe dokumentet që provojnë nëse komunitetet janë dëgjuar dhe nëse është marrë realisht qëndrimi i tyre për ndryshimin e kufijve.
Të nderuar qytetarë,
Kjo është një mundësi për tu bërë pjesë e këtij procesi, që debati të mos zhvillohet vetëm mbi deklarime politike, por mbi fakte, dokumente dhe prova të verifikueshme.
Sepse çështja nuk është vetëm: “Cila hartë është më e mirë?”
Por: “A po ndryshohet harta me miratimin e komuniteteve, në përputhje me standardet evropiane të demokracisë lokale dhe autonomisë vendore?”
Për këtë arsye të gjithë komunitetet që preken nga reforma duhet të qëndrojnë të angazhuara deri në fund në procesin e konsultimit!
Cdo qytetar, këshilltar apo i zgjedhur vendor duhet të shpreh qëndrimin e tij me peticione, vendime këshillash dhe demostrime civile!
Ne si shoqatë do ta bëjmë detyrën tonë.
Do të dokumentojmë procesin në çdo bashki dhe për çdo komunitet të prekur.
Një konsultim i plotë nuk e pengon reformën.
Ai i jep reformës legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri!

May be an image of one or more people and text

No photo description available.

May be an image of one or more people

About Redaksia

Check Also

Si do t’i zgjidhë Pasqyra këto halle?!

Nga Belind KELLIÇI Edi Rama tha se ka gjetur zgjidhjen për hallet e njerëzve dhe …