Shqipëria që duam, një Shqipëri ku puna të lejon të ndërtosh jetën tënde këtu!

Nga Nikola KEDHI

Propaganda thotë vazhdimisht se ekonomia është rritur. Se PBB-ja është rritur. Se konsumi është rritur.
Po qytetari? A është bërë më i pasur? A e ndjen këtë mrekullinë që paraqet propaganda?
Ata 21% në varfëri thonë jo. 55% që nuk mbyllin dot muajin thonë jo.
Edhe shifrat më të fundit për ushqimin tregojnë të njëjtin realitet. Sipas FAO-s, 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë. Pra, pothuajse 1 në 3 shqiptarë.
Jo çdo lek që qarkullon në ekonomi e që e kap përllogaritja e shifrave është mirëqenie për qytetarët. Edhe paratë e drogës që futen në ekonomi, edhe një transaksion kriminal, edhe një kullë e ndërtuar me para të pista mund të shtojnë aktivitetin ekonomik. Por nuk e bëjnë më të pasur familjen shqiptare.
Prandaj ekonominë duhet ta masim edhe me pyetje shumë më të thjeshta. A mundet një 30-vjeçar shqiptar të ndërtojë një jetë normale me punën e tij?
A mund të paguajë jetesën, të kursejë, të blejë shtëpinë e parë, të krijojë familje apo të hapë biznesin e vet? Po një familje shqiptare mesatare, a jeton si të ngjashmit e vet në vende të tjera?
Nëse përgjigjja për shumicën është jo, atëherë të flasësh për rritje ekonomike është të tallesh me shqiptarët. Siç kjo qeveri e bën shumë shpesh.
Rritja e vërtetë duhet të ndihet në jetën e qytetarit.
Punë → kursim → pronë → familje → liri.
Kjo është rruga që duhet të rindërtojmë.
Ne duam një Shqipëri me sa më shumë pronarë, sa më shumë sipërmarrës të ndershëm dhe sa më shumë qytetarë ekonomikisht të pavarur. Një Shqipëri ku kapitali nuk grumbullohet në duart e një pakice të lidhur me pushtetin, por krijohet nga puna dhe sipërmarrja e shqiptarëve.
Shqipëria që duam është një Shqipëri ku puna të lejon të ndërtosh jetën tënde këtu.
Dhe këtë Shqipëri mund ta ndërtojmë së bashku.

About Redaksia

Check Also

Revolta ka fytyrë dhe zë!

Nga Elona CASLLI E dashur E. E lexova mesazhin tënd në mesenxher. E rilexova përsëri …