Revolta ka fytyrë dhe zë!

Nga Elona CASLLI
E dashur E.
E lexova mesazhin tënd në mesenxher. E rilexova përsëri dhe meqënëse ngulmon për një përgjigje, po ta jap.
Në mesazhin tënd ti shkruan se punon në X institucion në një qytet të Shqipërisë.
Shkruan se titullari i institucionit përdor si kartvizitë emrin e një ministri për të pohuar para të gjithë vartësve paprekshmërinë e tij.
Shkruan se njëri prej vartësve e kallëzoi këtë titullar në organet e drejtësisë dhe ai në formë hakmarrjeje e hoqi nga puna.
Shkruan se ky titullar ka krijuar njê mjedis terrorri dhe askush prej vartësve nuk ngre zërin se kanë frikë për vendin e punës.
Në fund më dërgon mua kopje të kallëzimit që është bërë për këtë titullar dhe me kërkon që ta postoj këtë denoncim në profilin tim, pa emrin tënd se ke frikë nga një hakmarrje e mundshme nga titullari.
Në fund më thua se je gati të më dërgosh edhe kartën tënde të identitetit për të më dëshmuar vërtetësinë e fjalëve të tua duke më nënvizuar faktin se po e postova këtë denoncim do të marr urimet e gjithë stafit të nënshtruar prej titullarit.
E dashur E,
titullari është vetëm një. Në staf jeni të paktën 40 vetë. Çfarë do të ndodhte nëse 40 vetë do të bëheshit bashkë dhe njëzëri do të thonit; Ti nuk mund të na poshtërosh. Mjaft më!
Ti do të më përgjigjesh se do t’ju hiqte nga puna. Nuk mund të heqë 40 vetë nga puna. Nëse bëheni të gjithë bashkë, e hiqni ju nga puna atë titullar.
Çfarë bëtë ju si staf me atë vartës që guxoi të bënte një kallëzim kundër titullarit?! E mbështetët në luftën e tij, apo ai u gjend krejt i vetëm në luftën e tij pasi të gjithë të tjerët heshtën?!
Drama në këtë vend është se në luftën për dinjitet dhe për liri individi gjendet krejt i vetmuar.
Titullari juaj e fiton betejën e përditshme me ju,falë heshtjes suaj dhe jo falë fuqisë së tij. Heshtja juaj është fuqia e tij.
Hartoni një shkresë ku të protokolloni revoltën tuaj. Firmoseni të gjithë dhe dorëzojeni te ky titullar. Nëse ky i fundit nuk reagon,denoncojeni në media dhe jepini revoltës suaj një fytyrë dhe një zë. Kur revolta juaj tê ketë fytyrë dhe zë atëherë do t’ju bashkohem me shume dëshirë.
Në rast të kundërt, nuk ju bashkohem sepse nuk i shërben askujt një revoltë e fshehur.
Unë nuk mund të jem mediumi i pafuqisë suaj.
E di se ti tani do më thuash se është rroga që ju pengon të revoltoheni, por unë po të bëj nje pyetje: A e shpërblen ajo rrogë poshtërimin e përditshëm që gëlltisni çdo ditë?!
Ky vend do të shohë dritën e shpresës kur çdo shqiptar do të vrasë frikën dhe do të marrë guximin të fitojë betejën kundër përgjegjësit të sektorit ose thënë ndryshe kundër patronazhistit qè ka mbi krye dhe kjo betejè nuk fitohet nga lufta e njè individi ,por nga vetëdija e stafit për dinjitet.
Post Scriptum- Buka e gojës do të vazhdojë të na mbajë peng për bukën e gojës nëse nuk vrasim frikën. Revolta ka fytyrë dhe zë.
Mund të jetë një imazh i teksti

About Redaksia

Check Also

Shqipëria që duam, një Shqipëri ku puna të lejon të ndërtosh jetën tënde këtu!

Nga Nikola KEDHI Propaganda thotë vazhdimisht se ekonomia është rritur. Se PBB-ja është rritur. Se …