Deputeti i PD, Igli Cara ka denoncuar situatën në tregun e televizioneve me pagesë, duke akuzuar AMA-n se nuk po mbron interesin publik.
Cara shprehet se ADTN është kthyer në ndërmjetësin e vetëm mes platformave Digitalb dhe Tring dhe operatorëve kabllorë, duke përcaktuar kanalet, çmimet dhe kushtet e kontratave.
Ai ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës nisjen e një hetimi të thelluar për të verifikuar nëse tregu po funksionon në kushte monopoli dhe nëse ekzistojnë praktika abuzive me çmimet.
Deklarata
Shqetësime serioze të ngritura nga operatorët kabllorë në të gjithë vendin, pas përqendrimit në një dorë të vetme, me qëllim krijimin e një tregu monopol.
Më në fund erdhi dhe reagimi i AMA-s (Autoriteti i Mediave Vizive). Fatkeqësisht, deklarata e AMA-s, i ngjante më shumë një përgjigjje të një avokati, sesa përfaqësimit të një institucioni publik që mbahet nga taksat e shqiptarëve. Megjithëse, faktet janë kokëfortë, në dritë të diellit, AMA zgjodhi të mbante anën e gabuar. Kundër interesit publik dhe në kundërshtim me ligjin, madje shkoi edhe më tej, duke e cilësuar qëndrimin e PD, si qëndrim të aksionierëve të shoqërive të kabllorëve.
Për këdo që ka njohuri mbi mënyrën si operohet në këtë treg e kupton më së miri, reagimin e AMA-s. Përgjigjja e AMAS-s përforcon dyshimin e PD, se përqendrimi i këtij tregu deri në monopolizimin e tij është Projekt i “Shefit” të AMA-s Pra i kryeministrit RAMA.
Për ta thënë me fjalë të thjeshta: ADTN sh.a. zyrtarisht ka marrë rolin e ndërmjetësit të vetëm mes platformave dhe operatorëve. Si pasojë është krijuar një situatë e pastër monopoli midis platformave ( Digitalb e Tring) kundrejt operatorëve kabllorë. Tashmë kemi një treg, ku ADTN kontrollon dhe përcakton vetë: 1- Listën e kanaleve Pra, përzgjedh TV që do të ketë paketa transmetuese.
(Nuk do të jetë e largët dita kur disa TV-e, që nuk janë pro Ramës do të shpallen “non grata”, duke mos u përfshirë në listë.
2- Përcakton vetë çmimet e paketave televizive Do të thotë që nuk do të ketë konkurentë.
3- Përcakton vetë përqindjen përfituese me secilin operator Pa analizë kostosh.
4- Përzgjedh vetë operatorët kabllorë, me të cilët do të lidhi kontratën (Mos harrojmë që investimin në terren, kontaktet, shërbimin ndaj klientit janë Investime të operatorëve të shtrira ndër vite!)
65 operatorë kabllorë janë në mëshirën e ADTN, që është tashmë ent i vetëm. Ose do të pranojnë kushtet e ADTN, ose do të falimentojnë! ADTN tashmë operon de facto si përfaqësues ligjor i Digtalb dhe Tring njëkohësisht.
Ajo i ka detyruar shoqëritë kabllore të nënshkruajnë kontratën,në të kundërt do t’ju ndërpriste sinjalin. Kjo situatë është de facto monopol dhe abuzim me pozitën dominuese në treg. A ka situatë më të pastër monopoli se kjo, kur mungon alternativa? Çfarë i pengon institucionet (AMA dhe AK), mos ta shohin këtë treg Monopol? Ku është Shteti? Ku janë institucionet që paguhen nga taksat e shqiptarëve? Interesat e kujt mbrojnë ato ?
AMA ka mandatin dhe autoritetin ligjor për të mbrojtur pluralizmin mediatik dhe konkurrencën e shëndetshme në tregun e shpërndarjes audiovizive. Ky mandat nuk përmbushet, duke konfirmuar ekzistencën formale të kontratave! Përmbushet duke garantuar që kushtet e atyre kontratave janë të drejta dhe se asnjë operator nuk mbetet pa alternativë! Po Autoriteti i Konkurrencës ku është? Prej muajsh i kemi ngritur këtë shqetësim kryetarit të A.K. dhe nuk kemi një përgjigje zyrtare!
Ndaj, sot kërkojmë: 1. A.K. të fillojë menjëherë proçedurën e hetimit të thelluar mbi situatën monopolistike në tregun audioviziv 2. Të verifikojë strukturën reale të pronësisë dhe kontrollit mes DigitalB, Tring dhe ADTN, për të kuptuar nëse janë entitete realisht të pavarura ose njësi të koordinuara të së njëjtës strukturë 3. Të vlerësojë politikën çmimore dystandarte Çmime trefishe për operatorët kabllorë (palë të treta),ndërkohë që çmimet direkte te konsumatori janë ulur.
Praktikë e njohur si ‘margin squeeze’ dhe e ndaluar nga ligji. 3. I kërkojmë AMA-s që të zbatojë ligjin dhe t’i shërbejë interesave të qytetarëve, jo të monopoleve! AMA duhet t’i vendosi në dispozicion A.K. të gjitha të dhënat dhe gjetjet shqetësuese dhe të bashkëpunojë plotësisht, me qëllim zgjidhjen afatgjatë të këtyre shqetësimeve! Prej muajsh shqiptarët paguajnë më shumë për të njëjtin shërbim dhe nëse nuk do të ndërhyhet pa dyshim do të paguajnë edhe më shumë!
Gazeta RD