Berisha: Partia nuk është burimi parësor i mesazheve të sa, prandaj duhet ripërtëritje dhe vetëm ripërtëritje në komunikim

Kryetari i PD, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar u ndal tek hendeku midis strukturës dhe praktikës dhe theksoi nevojën për ripërtëritje.

Berisha tha se, Partia nuk është burimi parësor i mesazheve të saj prandaj duhet ripërtëritje dhe vetëm ripërtëritje në komunikim.

Berisha: Hendeku midis strukturës dhe praktikës.

Arkitektura organizative e partisë është në terma formale, është e plotë arkitektura. Ajo përfshin organet drejtuese të përcaktuara, nivele hierarkike vendimmarrje dhe një strukturë territoriale që lidh lidershipin qendror me degët lokale dhe anëtarësinë.

Kjo kornizë pasqyron një model tradicional dhe solid të organizimit politik, të aftë për të mbështetur veprimin e koordinuar dhe harmonizimin strategjik të paktën në teori. Megjithatë, analizat e brendshme tregojnë se kjo strukturë nuk funksionon në mënyrë të qëndrueshme praktike. Rolet ekzistojnë, por nuk janë gjithmonë funksionale. Përgjegjësitë janë të përcaktuara, por nuk zbatohen në mënyrë sistematike.

Organet vendimmarrëse veprojnë, por produktet e tyre nuk përkthehen gjithmonë në komunikim të strukturuar dhe në veprim të koordinuar në të gjithë organizatën’.

E kuptoni besoj se po të doni e lexoj dhe më ngadalë…
‘Siç vuri në dukje një pjesëmarrës në diskutimet që kanë bërë: Struktura ekziston, por më shumë në letër se në praktikë. Ky konstatim zbërthen një dinamikë qendrore. Partisë nuk i mungon organizimi si rrjet formal, por i mungojnë mekanizmat që ta bëjnë organizimin funksional’.
Ta bëjnë organizimin funksional, edhe një herë.

‘Rrjedhoja është një sistem në të cilin individët veprojnë në një shkallë të lartë autonomie shpesh përtej asaj që është e dobishme në aspektin strategjik. Ndërsa kjo autonomi pasqyron vlerat historike dhe kulturën politike të partisë, ajo në mungesë të strukturës ka evoluar në fragmentim.

Në vend të veprimit të koordinuar, partia prodhon aktivitete paralele që nuk janë gjithmonë të harmonizuara me një mesazh apo drejtim të përbashkët’.

Shpërbërja e komunikimit si një çështje strukturore është pika tjetër e këtij raporti.

‘Sfidat e komunikimit të partisë nuk janë thjesht një çështje mjetesh apo frekuence. Ato janë të natyrës strukturore. Komunikimi zhvillohet vazhdimisht, por ai nuk udhëhiqet nga një sistem që garanton qartësi, përparësi dhe qëndrueshmëri. Kanalet joformale dominojnë. Grupet e WhatsApp-it, rrjetet personale, flukset ad-hoc të komunikimit janë bërë mjeti kryesor përmes të cilit shpërndahet informacioni. Ndonëse këto kanale mundësojnë përhapje të shpejtë, ato nuk ofrojnë një mekanizëm për strukturimin e informacionit apo për të siguruar që ai kuptohet në mënyrë uniforme. Në mënyrë uniforme’.

‘Pjesëmarrësit përshkruan një situatë ku mesazhet janë të shumta por jo domosdoshmërisht efikase’.

Shumë e vërtetë. Po le që tendenca është, merr mesazhin nga kryetari, kur shkon atje në fund, s’ka asnjë lidhje me atë që ka thënë kryetari. Absolutisht, vetëm i partisë nuk është ai mesazh, se si pëson metamorfozë. Në një kohë kur mesazhi duhet të ketë striktësinë e tij, ky është ligji i mesazhit. ‘Informacioni qarkullon gjerësisht, por pa një hierarki dhe përparësi të qartë. Si rezultat, anëtarët shpesh përjetojnë mbingarkesë informacioni në vend të qartësisë’.

Prandaj është anëtari që duhet të jetë themeli, themeli i procesit të ripërtëritjes.

‘Mesazhet e rëndësishme konkurrojnë me informacione më pak të rëndësishme dhe nuk ka asnjë sistem për t’i siguruar që prioritetet kryesore të identifikohen si të tilla. Mbi të gjitha, nuk ka një proces të strukturuar për përcaktimin e mesazhit të partisë për një ditë të caktuar. Lidershipi komunikon shpesh, shpesh përmes konferencave për shtyp, deklaratave publike, në mediat tradicionale sociale, por këto komunikime nuk përkthehen në mënyrë sistematike në udhëzime’.

Ja pra ku fillon, më thoni ju mua, a duhet të fillojë ripërtëritja nga unë? Po pa diskutim, sepse vërtet dal dhe mbaj një konferencë shtypi, por në raste të caktuara ajo do udhëzim, ajo duhet të shoqërohet me udhëzim dhe t’i shpërndahet, jo gjithnjë, por t’i shpërndahet të gjithë partisë.

‘Por këto komunikime nuk përkthehen në mënyrë sistematike në udhëzime koncize dhe të zbatueshme për organizatën më të gjerë, për partinë. Anëtarët lihen t’i interpretojnë këto mesazhe individualisht, çka çon në variacione në ton, theks dhe përmbajtje’.

Përsëri anëtari, përsëri në epiqendër anëtar.

‘Përndryshe kjo dinamikë sjell paqëndrueshmëri jo vetëm brenda strukturës, por dhe jashtë saj, kur përfaqësues të ndryshëm komunikojnë interpretime të ndryshme të të njëjtit mesazh. Pozicioni publik i partisë bëhet i paqartë. Në këtë kuptim, mungesa e strukturës së brendshme ndikon drejtpërdrejt në kredibilitetin e jashtëm’

‘Humbja e pronësisë mbi mesazhin.

Një nga gjetjet më me peshë të diskutimeve të brendshme është se partia nuk është më në mënyrë të qëndrueshme burimi parësor i mesazheve të veta’.

E kuptoni?

‘Në vend të kësaj, anëtarët shpesh mbështeten tek përmbledhjet mediatike, përmbledhjet në rrjetet sociale ose interpretime të palëve të treta për të kuptuar qëndrimin e partisë për çështje kryesore’.

Ripërtëritje, ripërtëritje dhe vetëm ripërtëritje në komunikim. Shiko ku jemi.

‘Në vend që partia të përcaktojë mesazhin e saj dhe ta shpërndajë atë brenda strukturave përpara se ai të dalë në hapësirën publike, shpesh ndodh e kundërta. Lidershipi komunikon publikisht, mediat e interpretojnë dhe e rifitojnë mesazhin dhe vetëm atëherë anëtarët bien në kontakt me të, shpesh përmes informacioneve të fragmentuara, për të mos thënë edhe të manipuluara nga mediat’.

Është shtesa ime kjo, se të paplotë thotë ky.

‘Rezultati është humbja e kontrollit. Rezultati është humbja e kontrollit. Narrativa e partisë nuk formësohet më ekskluzivisht nga brenda, por ndikohet nga autorë të jashtëm që veprojnë sipas prioriteteve dhe logjikës së tyre. Kjo jo vetëm që krijon paqëndrueshmëri, por gjithashtu minon aftësinë e partisë për të vepruar në mënyrë strategjike.

About Redaksia

Check Also

Nesër protestuesit para selisë së PS/ Rama do mbledhë qeverinë në Parti

Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se do të mblidhen nesër  përpara selisë së PS-së në …