FJALA E SEKRETARIT ORGANIZATIV NË PD, KLEVIS BALLIU NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD
Mendoj që të gjitha problematikat të cilat sot i vuajnë qytetarët dhe Shqipëria, kanë dalur në pah. Veçanërisht nga lajmet e fundit për arrestimin e kryemafiozit Ergys Agasi, faktoi të gjitha akuzat e ngritura nga Partia Demokratike. Kapjen e shtetit, kapjen e sistemit të drejtësisë, kapjen e policisë, bashkëpunimin me krimin e organizuar. Kjo kërkon nga ne dhe na tregon se ne jo vetëm duhet të jemi të organizuar, por na duhet të jemi super të organizuar për t’i bërë ballë një makinerie kriminale të cilët sot kanë qejf ta quajnë Partia Socialiste. Në këtë aspekt, mendoj që pavarësisht gjithçka që Partia Demokratike ka bërë, strukturat e Partisë Demokratike kanë bërë, që nuk kanë qenë pak, duke marrë parasysh që kemi qenë nën një sulm konstant për ekzekutimin e opozitës nga falangat ekstremiste të majta, strukturat e Partisë Demokratike pavarësisht problematikave që mund të kemi pasur, arritën të mbrojnë opozitarizmin, arritën të mbrojnë Partinë Demokratike nga kthetrat e pushtetit aktual kriminal të Edi Ramës.
Sot, këto struktura do të kërkohet që ne, si më të privilegjuarit të partisë, Këshilli Kombëtar, të zbresin në terren në kuptimin jo thjesht të grupeve të lidershipit të degëve, por te seksioni. Organizimi i partisë duhet të kthehet tek seksioni. Aty është fuqia e vërtetë e Partisë Demokratike dhe aty janë burime njerëzore të jashtëzakonshme që do mund të ndihmojnë, të udhëheqin aksionet e opozitës në çdo degë, në çdo qytet dhe në çdo zonë. Gjithashtu aty janë dhe rojtarët më të mëdhenj të çdo vote të demokratëve. Por ne duhet me patjetër të zbresim në çdo seksion, në të gjithë Shqipërinë. Diçka të cilën ne mund ta bëjmë shumë më mirë se ç’e kemi bërë deri më sot. Në të gjitha rastet, organizimi i partisë pa diskutim që do të ketë bëjë dhe do të jetë pjesë e përçimit të mesazhit të Partisë Demokratike, tek çdo anëtar i saj. Dhe kjo patjetër do të bëhet nëpërmjet edhe zhvillimit të partisë, modernizimit të partisë nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës digjitale të Partisë Demokratike, e cila do të shërbejë që çdo anëtar i joni të jetë i informuar për aksionin tonë, të jetë i informuar për detyrat tona, por gjithashtu kjo infrastrukturë tejet e nevojshme për ne, do të jetë aty dhe për të na monitoruar të gjithëve ne bashkë, për të bërë ne sa më shumë kemi mundësi.
Të gjitha burimet njerëzore të Partisë Demokratike kanë treguar ndër vite, se ato burime janë të jashtëzakonshme dhe janë të fuqishme, dhe më se të mjaftueshme, për ta shpëtuar vendin nga kthetrat e kalbura të Edi Ramës. Në këtë aspekt, sot si Sekretar Organizativ, do të kërkoja ndihmën e këtij grupimi elitar që është anëtar i Këshillit Kombëtar. Gjithsecili nga ju, jeni dhe do të jeni të deleguar në zona të caktuara. Të punojmë bashkarisht për të qenë sa më të vërtetë dhe të sinqertë në punën dhe në detyrat që ne duhet të kryejmë si anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe si përfaqësues të mesazheve politike të Partisë Demokratike dhe të udhëzimeve që nxjerr Partia Demokratike. Por mbi të gjitha, të rikthejmë kontaktin konstant me çdo anëtar, sepse e vërteta është që në sado salla të mblidhemi, e vërteta është që në sado kryesi të ndahemi, thelbi dhe fuqia e Partisë Demokratike dhe e aksionit opozitar do të jetë gjithmonë tek anëtari i cili është tek baza. Shpresa, vrulli, organizimi, ndryshimi i partisë, nuk mund të vijë nga zyrat, por mund të vijë vetëm nga terreni.
Dhe këtë duhet ta bëjmë bashkarisht në ndihmë të çdo sekretariati, të zbresim në bazë, të takojmë demokratët dhe të fillojmë organizimin në çdo seksion për t’u përballur me betejën e ardhshme. Modernizimi i partisë, në aspektin e ripërtëritjes nuk është më thjesht një ide politike, por është një nevojë kombëtare, pasi e vetmja shpresë për të sjellë ndryshimin është Partia Demokratike dhe ne e kemi jashtëzakonisht të mundshme ta kryejmë këtë detyrë që na e kanë caktuar qytetarët, duke filluar me protestën e jashtëzakonshme të trimave dhe të rejave. Ne si parti, pas udhëzimit, kërkesave të dala nga lidershipi i Partisë Demokratike, do të duhet të angazhohemi maksimalisht që çdo seksion, çdo anëtar i Partisë Demokratike nga të katër anët e vendit të jetë në mbështetje të asaj proteste.
Por kjo pa diskutim do të duhet një bashkëpunim i të gjithëve ne. Sepse është Partia Demokratike që e ka infrastrukturën organizative të nevojshme për ta mbajtur, siç e ka mbajtur gjallë gjatë gjithë kësaj kohe, me mbështetjen e saj, këtë protestë të jashtëzakonshme e cila ka arritur një çështje thelbësore: e zhveshi propagandën e Edi Ramës në të katërta anët e botës. Sot gjithkush e di të vërtetën për Shqipërinë, në krye të qeverisë tonë është një narko-kryeministër që ka ngritur një narko-sistem që nuk lejon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, unë po e mbyll fjalën time edhe njëherë duke ju falënderuar dhe njëkohësisht duke ju kërkuar bashkëpunimin që bashkarisht të zbresim në terren, te seksionet tona për t’u organizuar për betejat e ardhshme elektorale dhe aksionin tonë opozitar.
Gazeta RD