FJALA E BASHKËKRYETARIT TË REFORMËS ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE, LUÇIANO BOÇI, NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD
Sepse në fund të fundit është mënyra si ndërtohet arkitektura e vetë shtetit në territor, si shërbehet qytetari, si përfaqësohet ai dhe si ushtrohet demokracia lokale. Për këtë arsye vendosëm bashkë me kryetarin e PD-së të bëjmë një panoramë të shkurtër të asaj çfarë ka ndodhur në komisionin e reformës territoriale, por dhe për të përcaktuar qëndrimet tona në raport me situatën që ka ndodhur për arsye të zhvillimeve për reformën territoriale. Dhe, duhet t’i japim përgjigje disa pyetjeve. E para është, pse Partia Demokratike mori pjesë në komision? Është pyetje e cila sundon edhe këtë sallë, edhe sot, edhe në këto momente. Ka qenë pjesë e debateve tona të brendshme, vazhdon të jetë pjesë dhe e debateve në mjedisin publik por dhe atë mediatik.
Ka një arsye bazike që ne morëm pjesë. Të jeni të sigurt që nuk morëm pjesë për të legjitimuar pikërisht atë hartë që kishte parapërgatitur Edi Rama. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm për këtë, kemi mbajtur qëndrimet tona, e kemi relatuar në të gjitha takimet dhe me ndërkombëtarët. Ne u bëmë pjesë e këtij komisioni sepse këtë e kërkojnë dhe e kanë kërkuar qytetarët. Secili nga ju, në një formë apo në një tjetër, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, në takime të ndryshme, qoftë edhe të ngushta, është ndeshur me këtë kërkesë. Që Partia Demokratike të ishte pjesë e komisionit të reformave, përfshirë reformën territoriale.
U bëmë pjesë sepse realisht reforma e 2015-ës dështoi në objektivin e saj kryesor. Nuk e afroi pushtetin dhe shërbimin me qytetarin. Ndërtoi bashki të mëdha, por imponoi qytetarin e vogël. Uli përfaqësimin, madje e zhduku fare përfaqësimin e qytetarëve sidomos të zonave rurale. Drejtoi investimet në zonat urbane, dhe transferoi kompetenca pa paketë financiare. Në shumicën e territoreve shërbimet u larguan tërësisht nga qytetari, ndërsa njësitë administrative, ju e dini shumë mirë, ata që jetojnë në një njësi administrative e dinë shumë mirë, nuk kanë më as pushtet, as përfaqësim dhe asnjë lloj buxheti. Janë thjesht formale. U bëmë pjesë e këtij komisioni për të mos ia lënë fushën e lirë ndaj PS? E cila do të vepronte e lirë për të sjellë një hartë zgjedhore për interesat e saj elektorale sepse numrin e votave ju e dini shumë mirë që ajo e disponon dhe i ka këto vota.
Dhe u bëmë njëkohësisht pjesë e kësaj reforme që procesin ta bëjmë publik. Nëpërmjet analizave, nëpërmjet kritereve të kërkuara nga përfaqësuesit tanë politikë dhe ekspertët, dhe ç’është më e rëndësishmja nëpërmjet konsultimeve publike. Dhe, e fundit, u bëmë pjesë sepse e dini shumë mirë që nga 2014-a në opinionin publik Partia Demokratike është penalizuar nga një akuzë që në fakt nuk qëndron aq, që ne braktisëm komisionin e 2014-ës dhe PS-ja bëri çfarë të donte, çfarë deshi, më falni, me hartën e 2014-ës. Në fakt, PD-ja u largua për shkak se kërkoi të drejtën e vetos. Nuk iu dha, dhe kreu një veprim politik. Por vetoja u harrua dhe na ngeli akuza që ne braktisëm komisionin.
Një ndër arsyet politike. Çfarë u bë në këto nëntë muaj? Për mua, një punë e jashtëzakonshme e ekspertëve dhe e deputetëve të Partisë Demokratike. Së pari, ne qartazi rrëzuam propagandën që reforma e 2014-2015-ës ishte medemek një histori suksesi. Jo, ishte histori e dështuar. E vumë theksin tek pasojat e centralizimit, mungesa e decentralizimit, mungesa e shërbimeve, largësia e qytetarit nga qendra, mungesa e kompetencave e funksioneve, nga centralizimi politik sidomos i pushtetit lokal, që vazhdimisht përdoret si magazinë votash për pushtetin qendror. Së dyti, ne debatin e transferuam nga zyrat e kuvendit drejt publikut.
Realizuam 11 dëgjesa përveç Tiranës. Dëgjesa që, ju e dini shumë mirë, kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm publik dhe kanë shërbyer si shkëndi edhe për shpërthimin e protestave, sepse në fazën e parë qytetarët mosdakordësinë e tyre në raport me shkrirjen e bashkive e kanë shprehur pikërisht në dëgjesat publike që u insistuan nga deputetët e Partisë Demokratike në atë komision. Së treti, ne realizuam një analizë shumë të mirë të reformës 2014-2015, dokument zyrtar i dorëzuar nga ekspertët tanë, i cili përcaktonte edhe modelin e qeverisjes për reformën tjetër të 2026-ës, të mbështetur në katër shtylla: në funksionalitetin e territorit, në qeverisje dhe në kompetenca, në financa dhe autonomi fiskale, dhe sigurisht në demokraci dhe autonomi vendore.
Ne arritëm tek e fundit që të paraqisim alternativën tonë. Me dy nivele qeverisje: nivelin e bashkive 100 dhe nivelin e rajoneve ose nivelin e qarqeve, që është një rregullator dhe që mbron funksionalitetin e pushtetit lokal në raport me dhunën, presionin, trysninë që ushtron pushteti qendror ndaj tij. Pra ishte një punë e jashtëzakonshme për të cilën gjej rastin t’i falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Dhe, ne kërkuam shtyrjen e komisionit. Dhe patjetër ka një pyetje: Pse PD-ja e kërkoi? Nuk donim që të vononim procesin fare.
Donim ta konkludonim procesin, madje në vendimin e krijimit të komisionit, vendimi që është në parlament, parashikohet që në qoftë se komisioni nuk realizon hapat e tij, atëherë patjetër parashikohet një shtyrje e mundshme e këtij komisioni. Dhe qëllimi ynë ishte që të finalizonim një proces dëgjesash tërësor, konsultativ, rrahje mendimesh, debati për projektet e paraqitura nga ekspertët dhe dalja me dokumenta zyrtarë, sikurse kanalizimi dhe marrja në konsideratë e mendimit të institucioneve ndërkombëtare, sikurse dhe të opinioneve të sjella nga grupet e interesit, që në fokusin e tyre kanë pikërisht mënyrën e funksionimit të pushtetit local.
Cili është projekti ynë? Që u arrit të konkludohej si dokument zyrtar që u paraqit në publik. E parathashë, projekti parashikon dy nivele të qeverisjes. Nivelin e bashkive 100 dhe nivelin e rajoneve ose të qarqeve, e cila shërben si rregullator, por jo në mënyrën si e paraqet PS-ja apo si është tashi. Me qarqe ose rajone që kanë kompetenca të përcaktuara dhe janë njësi administrative dhe financiare, që marrin kompetencat që mbulojnë punën e shumë bashkive dhe realizojnë koordinimin bashkiak dhe fondet e solidaritetit.
Mbulojnë planifikimin urban, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, sikurse dhe kompetenca të tjera që bashkitë ndoshta të vogla, në parashikimet e funksionalitetit të tyre nuk mund t’i realizojnë dot dhe që janë përdorur si argumente nga Partia Socialiste për të shkrirë bashkitë ekzistuese. Kemi qenë shumë të qartë në mënyrën si e kemi ndërtuar procesin. Numri 100 nuk është numër magjik kundrejt numrit djallëzor 61. Nuk është shpikje, nuk është lojë kungulleshkash ‘pse 100 e jo 94 dhe jo 120’. Është një numër logjik që erdhi nga një proces tërësor ekspertize.
Gazeta RD