Mustafaj: Anëtari është çelësi i Partisë Demokratike, ndaj duhet të fuqizohet dhe të ketë një rol të qartë në aksionin opozitar

FJALA E SEKRETARIT TË BURIMEVE NJERËZORE, ANDI MUSTAFAJ, NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, i nderuar kryetar i Këshillit Kombëtar, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, të dashur miq. Kemi bërë një rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu. Gjatë kësaj rruge jemi përplasur, jemi lodhur, jemi mërzitur.

Jemi ballafaquar me regjimin të gjitha format e mundshme. Imagjinoni vetëm një moment, pa tifozllëk, thjesht në mënyrë faktuale: si do ishte demokracia shqiptare nëse gjatë viteve të fundit do mungonin denoncimet e Partisë Demokratike dhe protestat e Partisë Demokratike? Do kishim pak, shumë më pak denoncime dhe gati asnjë protestë. Partia jonë është një parti pasioni, në të ka shumë pasion.

Pasioni është në të vërtetë i nevojshëm në luftën për ekzistencë, por si çdo cilësi vjen me një të metë, dhe pasioni nëse është i pakanalizuar sjell çorganizimin. E kemi bërë një hap të parë në zgjedhjet në struktura, të cilat mundësuan si asnjëherë më parë përfaqësimin e grave dhe të rinjve. E quajtëm ripërtëritje. Ju në këtë sallë jeni shembulli më i rëndësishëm i saj sot. Por duhet të shkojmë më larg, duhet të ndryshojmë veten më shpejt. Për të ndryshuar veten, në radhë të parë duhet të kuptojmë pak më mirë të tjerët, duhet të kuptojmë pak më mirë sistemin.

Në këtë drejtim dua të ndahem në dy pika të cilat i vlerësoj themelore, të cilat më pas shërbejnë për vendosjen e strategjisë. E para, Edi Rama nuk frymëzon. Është krijuar një perceptim i gabuar ku na kërkohet neve të frymëzojmë, ndërkohë që ai nuk e ka instaluar sistemin e vet nëpërmjet frymëzimit, por e ka instaluar nëpërmjet ndërlidhjes së interesave të ndryshme ku shumica e tyre janë interesa kriminale. Dhe mos gabojmë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse duke i përqendruar përpjekjet tona tek frymëzimi, veprojmë në plane të ndryshme nga ai ku ekziston dhe imponohet sistemi.

Nëse kjo kuptohet, zhvendoset qendra e rëndesës nga individi tek ekipi. Çështja nuk qëndron te sa shumë mund të frymëzojë secili prej nesh individualisht, por si mund t’i përgjigjemi të gjithë sistemit bashkërisht. E dyta, çfarëdo të themi, çfarëdo të bëjmë, kudo të emërojmë, ne nuk do e kënaqim asnjëherë propagandën e regjimit. Për çdo herë nuk ka një skenar të vetëm ku lajmi që do dalë nga ne, nga këtu apo kudo qoftë tjetër, do të jetë një lajm i favorshëm. Jo sepse nuk ka gazetarë të ndershëm në vendin tonë, por sepse nga mënyra se si është ndërtuar sistemi, proksit e regjimit kanë depërtuar kudo dhe kanë zë kudo. Për shembull, nëse ne bëjmë protesta pa dhunë, na thonë se dalim xhiro në bulevard.

Nëse i bëjmë me dhunë na thonë barbarë. Nëse mbështesim protestat e tjera, prapë nuk është mjaftueshëm, nuk do jetë asnjëherë e mjaftueshme për ta. Sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që ne, Partia Demokratike, të jemi gjithmonë në mbrojtje. Dhe kjo mbrojtje e vazhdueshme, kjo dëshira jona për t’u përgjigjur dhe për të marrë pëlqimin është si uji i kripur i detit, do të thahemi duke e pirë.

E vetmja mënyrë për ta thyer këtë qartë është që ne të veprojmë të pakompleksuar dhe të dalim jashtë rregullave që na ka imponuar sistemi. Vendimet e kryetarit të Partisë Demokratike zotit Sali Berisha na kanë mundësuar të jemi bashkë këtu sot, të bashkuar në të gjitha rrymat e partisë, me derën e hapur për të gjithë opozitarët e vendit, me të vjetër, të rinj dhe gra si asnjëherë më parë në strukturat e ndryshme. Kjo ishte rruga.

Por çfarë do të bëjmë tani? Këtu është përqendruar puna jonë përgjatë kësaj vere me grupin e punës të drejtuar nga zoti Berisha, dhe ky është vizioni që duhet të jetë në qendër të strategjisë sonë në muajt në vijim. Anëtarët e Partisë Demokratike kanë qëndruar në të gjitha furtunat që kemi përjetuar. Por ne, si përfaqësues politikë, kemi bërë shpesh gabimin të qëndrojmë përpara tyre, duke u bërë një hije kaq të madhe saqë u ka zbehur rrezatimin e tyre. Militanti, anëtari është çelësi, dhe nuk është rastësi që zjarri i propagandës bie fort mbi të, duke u përpjekur ta ulë në sytë e shoqërisë.

Patronazhisti është njeri i mirë, militanti është njeri i keq. Dhe politika, ne e dimë, bëhet gjithmonë në rrafshin gjuhësor. Në kapitullin që duam të hapim, anëtari duhet të jetë në epiqendër. Partia është, duhet dhe do të jetë e tija. Që ai të luajë rolin që i takon duhet të fuqizohet dhe çdo demokrat duhet të ketë hapësirën e vet. Kjo arrihet nëpërmjet tri gjërave: qëllimit, informimit dhe veprimit. Qëllimi në radhë të parë. Profesion protestues thuhet me humor nga shumë demokratë, por është një humor që të thyej zemrën, sepse pas çdo shakaje qëndron një e vërtetë. Dhe e vërteta këtu është se shumë njerëz janë detyruar për vite të tëra, militantët tanë, të mbajnë mbi supe një peshë jashtëzakonisht të madhe.

Të protestojnë, të denoncojnë, të përballen me bandat dhe me një pushtet që ka depërtuar në çdo hallkë të shoqërisë. Ndryshimi nis me një pyetje: Cili është në fund të fundit qëllimi i një anëtari të Partisë Demokratike? Pyeteni sot një militant. Në një formë ose në një tjetër, përgjigja do të jetë gjithmonë e lidhur me Edi Ramën. Të rrëzojmë Edi Ramën, ta çojmë në burg Edi Ramën. Është përgjigje e sinqertë, por nuk është përgjigjja e duhur. Rrëzimi i Edi Ramës në vetvete nuk është detyra e anëtarit, por vjen si rrjedhojë e veprimtarisë së tij brenda Partisë Demokratike.

Ne duhet të mendojmë jo për një qëllim, por për qëllime të ndryshme sipas profileve të tyre. Duhet të krijojmë një hapësirë për çdo demokrat ku gjithsecili të angazhohet sipas aftësive të veta. Nuk ka një mënyrë për të bërë opozitë. Është një koncept ngushtues që përjashton nga veprimi shumë demokratë. Ka po aq mënyra të të bërit opozitë sa ka vetë demokratë. Qëllimi i një anëtari mund të jetë lidhja me njerëzit, t’i ndihmojë dhe t’u gjejë zgjidhje problemeve të tyre, mund të jetë formësimi i opinionit publik, mund të jetë dhe të vazhdojë të jetë rezistenca dhe denoncimi i skandaleve të regjimit.

Ka dhe të tjera, dhe na takon neve t’i gjejmë të gjithë së bashku. Informimi në radhë të dytë. Ne kemi një problem me zbritjen e informacionit dhe me shpjegimin e strategjisë. U tha gjerësisht, çalojmë qoftë në mjetet që disponojmë, qoftë në ndarjen e detyrave. Prodhon çdo ditë mendim politika, analizë, qëndrim, denoncim, dhe ky mendim niset në të shumtën e rasteve drejt publikut të gjerë pa bërë ndalesat e nevojshme te anëtarësia jonë. Anëtari i thjeshtë atë mendim ose nuk e merr fare, ose e merr tri ditë me vonesë, ose e merr me versionin e të ndryshuar të tij, të deformuar nga kalimi gojë më gojë. Kur ai nuk e gjen mesazhin tonë, e mbush boshllëkun me atë që gjen në televizor, domethënë me narrativën e kundërshtarit. Ne po e lëmë anëtarin tonë të informohet nga vetë propaganda që po luftojmë. Prandaj na duhet zbritja kapilare e informacionit. Por informimi nuk mjafton.

Një mesazh i dërguar nuk është një mesazh i kuptuar, prandaj zgjidhja e dytë është pedagogjia. Ne kemi një zakon, ndoshta trashëguar nga ritmi i madh i betejës, është se shpallim qëndrime por ndoshta nuk kalojmë kohën e duhur për t’i shpjeguar ato. Një anëtar që merr një qëndrim pa shpjegim mund ta përsërisë atë, por nuk do jetë i aftë ta mbrojë atë. Dhe politika fitohet gjithmonë nga njerëz që kuptojnë, jo nga njerëz që thjesht përsërisin.

Veprimi në radhë të tretë. Duhet të pranojmë se ne si parti presim më shumë seç duhet nga kryetari. Dhe në pritje, partia humbet nervin e veprimit. Duhet rigjetur shpirti i iniciativës në të gjitha nivelet, në të gjitha qelizat e partisë. Kë ka penguar Sali Berisha të veprojë? Kë ka penguar të mbledhë njerëz në lagjen e vet, të shkojë derë më derë, të përgatisë një dosje për një abuzim mbi bashkinë e vet? Askënd. Këto janë punë që nuk kërkojnë leje, nuk kërkojnë miratim dhe nuk kërkojnë buxhet. Kërkojnë vetëm vendimin e një njeriu për t’i bërë. Dhe pikërisht këto punë, që janë tërësisht në dorën tonë, janë ato që bëhen më pak.

Kjo problematikë shkon dorë për dore me faktin që ne harxhojmë shumë kohë duke u marrë me politikën e madhe, kur them ne gjithë anëtarësia deri në nivelin tonë, si dhe me punën që duhet të bëjnë të tjerët. Në të dyja këto raste nuk bëhet politikë por flitet për politikë. Duhet që ky dallim të kuptohet qartë dhe kultura jonë, veprimtaria jonë politike të përqendrohet tek gjërat e vogla që ne kemi në dorë për të ndryshuar. Së fundmi, po jo nga rëndësia. Duhet të krijojmë një mekanizmat që mos përballemi më me disa nga shprehjet që janë më të dëmshme për Partinë Demokratike. E kemi dëgjuar të gjithë: ‘Sa kam bërë unë për Partinë Demokratike? Çfarë kam unë për Partinë Demokratike? S’kam përfituar unë asgjë nga Partia Demokratike.’ Janë të gjitha të njëjtës faqe, të së njëjtës monedhë. Në situatën ku jemi mund t’i thotë pothuajse çdokush. Por është shumë e vështirë t’i verifikohen, dhe prej kësaj lindin konflikte të panumërta. Prandaj veprimi politik i një anëtari, me një qëllim të qartë dhe me informacionin e duhur, duhet të gjejë edhe pasqyrimin e vet.

Jo për të krijuar burokraci, por për të vlerësuar ata që punojnë, për të krijuar konkurrencën e shëndetshme në radhët tona dhe për të sjellë dinamika pozitive në të gjitha degët e Shqipërisë dhe jo vetëm në Tiranë. Qëllim, informim, veprim. Janë tri parime të thjeshta, por nëse arrijmë t’i kthejmë në kulturë organizative, mund të ndryshojmë mënyrën e funksionuarit të Partisë Demokratike. Mjetet do t’i gjejmë dhe do t’i ndërtojmë së bashku. Por përpara mjetit duhet të kemi të qartë idenë, dhe ideja është kjo: një parti ku anëtari nuk pret por vepron, nuk përsërit por kupton, nuk humbet në turmë por ka një rol. Një parti ku energjia e mirë e demokratëve nuk shpërndahet, por kanalizohet drejt një drejtimi të përbashkët.

Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë nuk do kemi vetëm një parti më të organizuar, por do kemi forcën që i duhet Shqipërisë për t’iu përgjigjur një sistemi me një sistem tjetër. Me kundërshembullin pozitiv, me organizimin më të mirë dhe mbi të gjitha me anëtarësinë më të fuqizuar. Ju faleminderit.

About Redaksia

Check Also

Berisha në SHBA/ Një kapitull i ri mes opozitës shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara

“RD” Pesë vite më parë, Sali Berisha u përball me një nga goditjet më të …