Nga Bislim AHMETAJ
(Loja e pasqyrave)
***
Brezit tim të viteve ’80 i kujtohet fort mirë ajo lojë.
Me copa të vogla pasqyrash dilnim pranë pallateve ku banonin vajzat që dashuronim dhe zinin ndonjë pozicion prej nga mund t’i përthyenim rrezet e diellit drejt dritares ku mendonim se ishte “fshehur” e dashura jonë hipotetike.
E bënim këtë derisa të merrnim ndonjë sinjal.
Hapej dritarja.
Hapej ballkoni.
Shfaqej për një çast vetë vajza e kërkuar.
Ndonjëherë vinte një tundje dore në ajër.
Në raste më të rralla, mjaftonte edhe një lëvizje perdeje.
Kjo ishte një përgjigje.
Por ndodhte edhe që nga ajo dritare të mos vinte asnjë shenjë.
Prisnim, përthyenim rrezet, lëviznim pasqyrën, provonim përsëri… deri sa dielli ndryshonte vend dhe e humbnim atë mundësi të artë për t’i treguar vajzës së zemrës se dikush ishte aty dhe mendonte për të.
Të nesërmen loja vazhdonte.
Sidomos në pranverë, kur shpërthenin lulet, ndjenjat dhe rrezet e buta të diellit.
Ishte një lojë naive, por e bukur.
Dhe, si çdo lojë dashurie, kishte dy përfundime të mundshme: ose djali dhe vajza binin në dashuri, ose djali i pasqyrës përfundonte duke marrë ndonjë të rrahur nga vëllezërit e vajzës që kishte zgjedhur si objekt të dashurisë së tij.
***
Kjo lojë më erdhi ndërmend kur pashë me sy dhe dëgjova me veshë paketën e re të komunikimit me qytetarin që Edi Rama e ka pagëzuar “Pasqyra Unike”, apo “Pasqyra Albania”.
Me djallëzi, Rama i referohet Lasgushit dhe jo Enverit kur thotë: “Nga Pogradeci, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta… kemi diskutuar për ‘Besën’, për ‘Praninë Besnike’ dhe për ‘Pasqyrën Unike’.”
Por ai ishte pikërisht në vilën e diktatorit.
Në atë vend ku këmba, mendja dhe shpirti i Lasgush Poradecit nuk shkelën kurrë.
As me këmbë, as me mendje.
Ishte vendi ku diktatori projektonte varfërinë, skamjen dhe mjerimin e popullit të vet; ku përgatiteshin grupet “armiqësore” dhe dënimet e tyre; ku hartoheshin planet për degradimin moral, ekonomik dhe politik të një kombi.
Prandaj referenca ndaj Lasgushit tingëllon më shumë si një përpjekje për t’i dhënë një aureolë poetike një vendi që mbart një histori krejt tjetër.
“Pasqyrës Unike” të Ramës, njëlloj si “Besës” dhe “Pranisë Besnike”, i ka perënduar dielli prej kohësh.
Pasqyra është thyer, baltosur dhe ciflosur aq keq sa nuk pasqyron më realitetin.
Përkundrazi, në atë pasqyrë Rama duket se sheh vetëm njerëzit që i duhen pushtetit të tij: bashkëpunëtorë të korruptuar, oligarkë të lidhur me politikën e krimin, njerëz të pushtetshëm, ministra të përfshirë në skandale e procese gjyqësore, diplomatë të huaj që, sipas kritikëve të tij, ushqehen me copëza të atdheut.
Këta janë “populli i lumtur” i pasqyrës së tij.
Këta personifikojnë “rritjen ekonomike”.
Këta janë banorët e kullave dhe resorteve që, përmes mediave të pushtetshme, i paraqiten Shqipërisë si fytyra e prosperitetit.
Ndërsa pasqyra e vërtetë është tjetërkund.
Është para zyrës së tij, aty ku prej javësh e muajsh, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij.
***
Dhe ja ku, vetëm pak ditë pas shfaqjes së “Pasqyrës Unike” nga vila e diktatorit Hoxha në Pogradec, në Tiranë dhe pikërisht
nga Selinë e Partisë Demokratike, rishfaqet loja e pasqyrave në një ngjashmëri të frikshme.
Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh dje për të miratuar një “Platformë Digjitale” për komunikimin me strukturat dhe qytetarët.
Sipas shpjegimit të dhënë, platforma do të mundësojë matjen e punës së drejtuesve politikë, deputetëve dhe anëtarëve të partisë, si edhe krijimin e një kanali komunikimi mes partisë dhe qytetarëve.
Në pamje të parë, gjithçka duket moderne.
Digjitalizim.
Inteligjencë artificiale.
Platformë.
Matje performance.
Komunikim.
Por problemi nuk është teknologjia.
Problemi është mungesa e njeriut pas teknologjisë.
Ngjashmëria mes “Pasqyrës Unike” të Rilindjes dhe “Platformës Digjitale” të Partisë Demokratike është, të paktën në simbolikën e saj, shqetësuese.
Lojë pasqyrash.
Të dyja flasin për komunikimin me qytetarin në një kohë kur të dyja strukturat politike kanë kohë që po përballen me të njëjtin problem:
Distancën nga qytetari dhe hallet e tij.
Teknologjia mund të masë.
Mund të regjistrojë.
Mund të analizojë.
Mund të prodhojë grafikë, statistika dhe raporte.
Por teknologjia nuk të shtrëngon dorën.
Nuk të sheh në sy.
Nuk të dëgjon dhimbjen.
Nuk të thotë “më fal”.
Nuk kërkon falje.
Nuk të vendos dorën në sup.
Nuk të buzëqesh.
Nuk të jep kurajë.
Dhe mbi të gjitha, nuk të do.
***
Këto boshllëqe të teknologjisë çka duket nuk mund t’i përmbushë më asnjë nga emrat që sot përfaqësojnë establishmentin politik shqiptar.
Sepse qytetari nuk është një pikë në një platformë.
Nuk është një numër në një grafik.
Nuk është një “user” që regjistrohet në një sistem.
Është njeri.
Dhe njeriu kërkon të dëgjohet.
Dikur Edi luante me Lulin e doktorash.
Tani po luan pasqyrash.
Ndryshojnë personazhet.
Ndryshojnë platformat.
Ndryshon teknologjia.
Por loja mbetet e njëjtë.
Dhe ata kanë harruar diçka shumë më të rëndësishme:
Nuk mjafton të kesh pasqyrë për të përthyer dritën.
Duhet të kesh edhe diell.
Pasqyrat e tyre mund të jenë të reja, digjitale, inteligjente e të sofistikuara.
Por janë ndryshkur nga mungesa e qytetarit.
Dhe më keq akoma:
dielli nuk ndriçon më për ta.
Tiranë me 28 Gusht 2026.
Gazeta RD