Nga Ylli ASLLANI
Të Hënën, Këshilli Bashkiak i Klosit ka përpara një sprovë historike.
Si ekspert mbi qeverisjen vendore, por mbi të gjitha si qytetar që e njeh territorin, burimet dhe nevojat e kësaj zone, dëshiroj të ndaj me ju disa fakte të pakontestueshme teknike që vërtetojnë se pse Klosi duhet të jetë bashki më vete.
Mendoj se kjo nuk është një betejë partiake. Kjo është një betejë për mbijetesën e një komuniteti. Prandaj, të hënën, këshilltarët bashkiakë të të gjitha ngjyrave politike dhe qytetarët duhet të jenë NJË TRUP i vetëm në këtë qëndresë.
Sipas Analizës së Shërbimeve Publike: Ku ndodhemi sot?
Raportet e fundit të ekspertizës mbi pushtetin vendor tregojnë se territori i bashkisë së Klosit ndodhet në një situatë kritike sa u përket shërbimeve bazë. Le t’i shohim shifrat ftohtë:
- Ujësjellës: Klos ~34% (Mesatarja kombëtare: 43%)
- Kanalizime: Klos ~9% (Mesatarja kombëtare: 16%)
- Mbulim mbetjesh: Klos ~50% (Mesatarja kombëtare: 76.5%)
Nëse sot, me administratën dhe qendrën e vendimmarrjes brenda Klosit, performanca e shërbimeve është në këtë nivel kritik, çfarë do të ndodhë kur fondet dhe vendimet të transferohen në Burrel?
LOGJIKA TEKNIKE THOTË SE ZONAT PERIFERIKE JANË TË PARAT QË HARROHEN KUR PUSHTETI CENTRALIZOHET.
FAKTE, JO POLITIKË:
Kater Argumentet e Ekspertizës Kundër Shkrirjes
- Shkelja e Parimit Kushtetues të Autonomisë dhe Konsultimit me qytetarët.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale sanksionojnë se ndryshimi i kufijve territorialë nuk mund të bëhet pa u konsultuar dhe pa marrë pëlqimin e komunitetit lokal.
Beteja për mbrojtjen e Klosit u takon qytetarëve, jo qeveritarëve. Nuk mund të merren vendime kaq jetike mbi hartat tona nga zyrat e largëta administrative pa dëgjuar zërin e njerëzve që jetojnë këtu.
- Pasuria Minerare e Klosit: Renta minerare po i ikën në drejtim të paditur!
Një nga shtyllat më të forta të ekonomisë se Klosit që po anashkalohet qëllimisht është potenciali i jashtëzakonshëm minerar i kromit në territorin e Klosit.
- Zonat tona si Suçi, Qafë-Burreli, Cerruja dhe fshatrat përreth mbartin leje shfrytëzimi, miniera aktive dhe fabrika të pasurimit të kromit që punësojnë dhjetëra banorë.
- Si bashki më vete, Klosi gëzon të drejtën ligjore të arkëtojë rentën minerare dhe taksat vendore nga këto subjekte private.
- Nëse Klosi shkrihet, këto miliona lekë të ardhura do të transferohen direkt në buxhetin qendror të Bashkisë Mat. Pasuria do të nxirret nga nëntoka e Klosit, ndërsa paratë për investime do të menaxhohen nga Bashkia e Madhe!
- Rruga e Arbrit Ndryshon Ekuacionin Ekonomik
Modelet e vjetra të decentralizimit nuk marrin parasysh realitetet e reja të infrastrukturës. Me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Klosi nuk është më një zonë e izoluar malore. Ai është kthyer në një nyje strategjike me potencial të lartë për zhvillimin e agroturizmit, bujqësisë dhe blegtorisë drejt tregut të kryeqytetit.
Klosi ka burime të mjaftueshme për të garantuar vetëqëndrueshmëri ekonomike.
- Kostoja e Largësisë dhe Rreziku i Shpopullimit
Nëse qendra zhvendoset, banorët e fshatrave të thella (si Ketë apo njësia Xibër) do të penalizohen rëndë. Për një shërbim bazë apo një dokument, atyre do t’u duhet të udhëtojnë më gjatë dhe me kosto më të lartë drejt Burrelit, sesa koha dhe kostoja që u duhet për të shkuar në Tiranë përmes Rrugës së Arbrit. Për më tepër, shkrirja rrezikon të mbyllë 100 deri në 150 vende pune lokale, duke u kthyer në një shtysë direkte për emigrimin e familjeve.
Do të uroja që Këshilltarët dhe Qytetarët të jenë të bashkuar për Klosin!
Zgjidhja për problemet e menaxhimit të bashkive të vogla nuk është fshirja e tyre nga harta, por forcimi i kompetencave dhe rritja e financimit nga qeveria qendrore.
Të hënën, logjika politike duhet t’ia lëshojë vendin përgjegjësisë qytetare:
PËR KËSHILLTARËT BASHKIAKË (pa dallim partiak): Vota juaj të hënën nuk përfaqëson partinë, përfaqëson fqinjët tuaj, familjet tuaja dhe historinë e kësaj krahine. Mbani një qëndrim të qartë dhe të prerë KUNDËR shkrirjes!
PËR QYTETARËT: Tregoni qytetari dhe vendosmëri në protestën tuaj. Çdo reagim i juaj demokratik – nga peticioni, bojkoti i administratës deri te paralajmërimi për bllokimr Rrugësh apo bojkotin e zgjedhjeve të vitit 2027 – është një thirrje legjitime për të mbrojtur të drejtën tuaj kushtetuese.
FATI I KLOSIT VENDOSET NË KLOS, NGA VETË BANORËT E KLOSIT!





Gazeta RD