Nga Ylli ASLLANI
Sot, Këshilli Bashkiak i Klosit përballet me një përgjegjësi të jashtëzakonshme:
Të shprehë qëndrimin për shkrirjen e bashkisë së vet!
Pra me një gjuhë më të thjeshtë, këshilltarëve po u kërkohet të bëjnë një lloj “harakiri” politik në emër të interesit të partisë:
Të votojnë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Ndërkohë, mijëra banorë kanë dalë në protestë dhe po firmosin kundër shkrirjes së Bashkisë Klos.
Të vetëdijshëm për katastrofën humane që pret dhe shpopullimin e trojeve historike, ata po i kërkojnë shtetit të tyre ti mbrojë nga shrirja që ky i fundit ka projektuar për ta!
Përveç tubimeve në qendër të qytetit ku morën pjesë qindra qytetarë, edhe punonjës të administratës vendore kanë bojkotuar punën në shenjë kundërshtimi.
Gjatë dëgjesave publike dhe protestave, banorët kanë kërkuar nga kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, dhe Këshilli Bashkiak që të mbajnë qëndrim të prerë kundër projektit, duke kritikuar gjithashtu mungesën e mbështetjes nga segmente pranë qeverisë!
ÇFARË FUQIE KA VOTA E KËSHILLIT?
Këshilli Bashkiak nuk ka kompetencë ta ndryshojë vetë hartën administrativo-territoriale. Sipas nenit 90 të Ligjit nr. 139/2015, ai jep mendimin zyrtar për riorganizimin, i cili më pas i përcillet Kuvendit.
Por edhe pse ky mendim ka peshë të madhe politike dhe institucionale, sjellja e këshillit nuk mund të ndahet nga zëri i qytetarëve të Klosit.
Neni 108/2 i Kushtetutës kërkon që, përpara ndryshimit të kufijve të njësive vendore, të merret mendimi i popullsisë që banon në to.
Po kështu, Neni 5 i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore kërkon që ndryshimi i kufijve të autoriteteve vendore të bëhet vetëm pas konsultimit paraprak me komunitetet e prekura.
Karta e lidh vetëqeverisjen vendore edhe me të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në administrimin e çështjeve publike.
Prandaj, reagimi dhe firmat kundër e Klosit nuk janë thjesht një protestë politike.
Ato janë një shprehje e qartë e opinionit të komunitetit që preket drejtpërdrejt nga ky ndryshim.
SOT NUK VOTOHET NËSE KLOSI EKZISTON APO JO.
Këshilltarët do të përcjellin opinionin zyrtar të Këshillit Bashkiak për një vendim që përfundimisht i takon Kuvendit.
Por vota e tyre do të tregojë diçka shumë më të madhe:
A do të dëgjojnë zërin e qytetarëve që i kanë zgjedhur, apo zërin e partisë?
Nesër nuk sprovohet vetëm një votë.
Sprovohet karakteri.
Sprovohet integriteti.
Sprovohet përgjegjshmëria.
Sepse mandati i këshilltarit nuk është pronë e partisë.
Është besim i qytetarëve.
Dhe Klosi nuk kërkon privilegj.
Kërkon që, përpara se të ndryshohet harta e tij dhe të preket e ardhmja e komunitetit, zëri i tij të dëgjohet realisht.
KLOSI NUK DUHET TË FSHIHET NGA HARTA PA U DËGJUAR ZËRI I NJERËZVE QË JETOJNË ATJE!
FATI I KLOSIT NUK ËSHTË THJESHT NJË VIZË NË HARTË.
ËSHTË FATI I NJË KOMUNITET



Gazeta RD