Protesta qytetare kundër qeverisë Rama hyn sot në ditën e saj të 93-të radhazi, duke shënuar mbi tre muaj mobilizim të pandërprerë në rrugët e Tiranës.
Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin ‘Skënderbej’, për të marshuar më pas përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ drejt Kryeministrisë, aty ku prej më shumë se tre muajsh është artikuluar e njëjta kërkesë: largimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij nga pushteti.
Prej 93 ditësh, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen dhe se protesta do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Përveç dorëheqjes së kryeministrit dhe largimit të kabinetit qeveritar, qytetarët kërkojnë ngritjen e një qeverie transitore.
Edhe protesta e një dite më parë u shoqërua me thirrje të forta kundër qeverisë. Qytetarët marshuan nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt Kryeministrisë me pankarta, bilbila dhe thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës.
Gjatë marshimit qytetarët kanë bërë thirrje ‘arresto Ballukun’, ndërsa protestuesit akuzuan qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
Pas 93 ditësh, mesazhi i qytetarëve mbetet i pandryshuar: protesta do të vazhdojë dhe presioni ndaj qeverisë do të rritet, ndërsa kërkesa për largimin e Edi Ramës mbetet në qendër të revoltës qytetare.
Gazeta RD