Nga Andi BEJTJA
Nuk ka nevojë të shikosh të dhënat e Eurostat ku nënvizohet se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur 5 herë më shumë se mesatarja europiane.
Mjafton të marrësh mundimin të besh një xhiro, sidomos përgjatë fundjave në zonat kufitare dhe do shikosh duzina njerëzish nga Veriu i Shqipërisë që dynden për të bërë pazar në Prizren, madje shumica vizitohen në spital në Prishtinë, madje kanë filluar dhe makinat i çojnë të mekanikët në Kosovë; E njëjta situatë është edhe me jugun që zbarkon në Janinë apo Igumenicë; po ashtu dhe Shkodra në Mal të Zi; vetëm Vlora nuk ka çfare ti bëjë detit…..
Është e tragjike dhe e trishtë njëkohësisht, po nëqoftese do të bëhej një ndarje e ndershme territoriale bazuar në kritere ekonomike sipas standardeve të BE do ishte e udhës që Kukësi të ishte në një zonë me Prizrenin, Shkodra minimumi me Tuzin, e Saranda me Gjirokastrën nuk po na e zë goja, po e kuptoni vetë….
Make Albania Affordable mund të duket ide e vjedhur nga Mandami, mund të duket majtiste apo sorosiste, por është imperative. Mund të duket dhe utopike se që të ulen çmimet duhet të funksionoje minimumi bujqësia e blegtoria që janë në ditët më të këqia, por serish kjo lëvizje duhet të fillojë se rrugës do kuptohen dhe gjithë gabimet, defektet, sigurisht bashkë me vjedhjet dhe korrupsionin….Make Albania Affordable nuk është thjesht një parullë, por është një pasqyrë dhe një mekanizëm njëkohësisht për të parë, evidentuar dhe në të njëjtën kohë për të korrektuar llumin, korrupsionin si gjithë paaftësinë e qeverisjes. Fundja fundit kështu si ka ardhur puna është e vetmja mënyrë jo thjesht për të ulur varfërinë, jo vetëm për të luftuar shpopullimin, por dhe për ta mbajtur këtë vend të bashkuar territorialisht….Ndryshe ëndrra e Haxhi Qamilit do të plotësohet shumë shpejt!
Gazeta RD