Ndërsa drejtësia po përpiqet të gjurmojë milionat e kokainës së klanit ndërkombëtar “Aruba”, paratë e taksapaguesve të Tiranës po rrjedhin drejtpërdrejt te njerëzit e lidhur me këtë rrjet kriminal.
Bashkia e Tiranës ka shpallur fituese të dy tenderave me vlerë totale prej 8 milionë eurosh kompaninë “Erald-G” sh.p.k. një me kanale financiare të lidhura me dosjen më të nxehtë të narko-trafikut në vend.
Pavarësisht alarmeve të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka vijuar procedurat duke ia besuar fondet e Rindërtimit në Kombinat kompanisë së Gëzim Ismailit, i cili akuzohet zyrtarisht se ka shërbyer si “lavatriçe” për pastrimin e parave të pista të klanit të drogës.
Nga kërkesa e SPAK-ut për arrest, te kontratat me Bashkinë
Në qershor të këtij viti, SPAK goditi rrjetin e narko-trafikut të njohur si “Grupi Aruba”, i udhëhequr nga emra si Luçiano Koçeku dhe Artur Shehu. Sipas hetuesve, ky grup kishte investuar qindra milionë euro të fituara nga trafiku i kokainës nga Amerika Latina drejt Europës, duke i futur ato në industrinë e ndërtimit në Shqipëri.
Në këtë skemë, sipas SPAK-ut, roli i Gëzim Ismailit (pronar i “Erald-G”) kishte qenë kyç në fshehjen dhe investimin e parave të Koçekut. Për këtë arsye, prokurorët kërkuan arrest shtëpie për Ismailin për të parandaluar vazhdimin e pastrimit të parave.
Por kjo nuk e ka penguar Bashkinë e Tiranës. Në dokumentet e publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP), kompania “Erald-G” (në bashkim operatorësh) është shpallur fituese për dy objekte kryesore në Kombinat:
Godina Nr. 10: Fond limit 288 milionë lekë të reja (~3 milionë euro).
Godina Nr. 11: Fond limit 471 milionë lekë të reja (~5 milionë euro).
Ajo që e bën akoma më dyshuese këtë procedurë është fakti se, përveç problematikës me dosjen penale, fituesit nuk kishin paraqitur as ofertën më të ulët ekonomike në garë.
Lidhjet me Karaibet dhe hijet mbi zyrtarët e lartë
Emri i grupit “Aruba” u faturua nga takimet sekrete që krerët e klanit zhvillonin në ishullin luksoz të Karaibeve. Por dosja e mbërritur nga autoritetet belge zbuloi një detaj edhe më tronditës: në ato takime dyshohet se kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare.
Derisa SPAK nuk ka dhënë ende emra zyrtarësh të përfshirë nga ajo dosje, fakti që 8 milionë euro të rindërtimit po kalojnë në llogaritë e njerëzve të hetuar për lidhjet me Artur Shehun dhe Luçiano Koçekun ngre pikëpyetje të mëdha.
A është kjo thjesht një paaftësi administrative e Bashkisë së Tiranës apo një vazhdimësi e rrjetit të ndikimit që me paratë e taksapaguesve po ushqen subjekte të përfshira në dosjet e narko-trafikut?
Gazeta RD