Ambulanca që nuk erdhi është aktakuzë ndaj Ramës dhe qeverisë së tij!

Nga Luçiano BOÇI

David Deda dhe Sokol Preka dolën për të pirë një kafe. Nuk u kthyen më.

Ranë në kontakt me energjinë elektrike në Karmë, ndërsa banorët dëshmojnë se ambulanca mbërriti rreth një orë e gjysmë pas njoftimit.

Ata denoncojnë hapur se Vau i Dejës ka prej muajsh pa ambulancë, pa urgjencë funksionale dhe pa mjekë gjatë 24 orëve.

E ky është një tmerr i parrëfyer.

Një orë e gjysmë me vonesë, nga Shkodra!

Në emergjencë, kjo nuk është thjesht vonesë. Është një pambarimësi ankthi midis jetës dhe vdekjes.

Ardhja në kohë do i kishte shpëtuar jetët, por shteti i Ramës ua ka mohuar mundësinë banorëve për ta marrë ndihmën e duhur.

Ky është realiteti që fshihet pas propagandës së ‘shëndetësisë falas’. Qeveria ka miliona për koncesione, zyra, fasada dhe filma propagandistikë, por nuk gjen një ambulancë për një zonë me dhjetëra mijëra banorë.

Ja çfarë do të thotë njëherazi ‘efikasiteti’ i centralizimit të shërbimeve, largim i shërbimit nga qytetari dhe mospërfillje e tij.

E gjithçka më pas paguhet me ankth, dhimbje, largime masive dhe, ndonjëherë, me jetë njerëzish.

Salaj e Ramës që ende hesht, duhet të publikojë menjëherë orën kur është marrë telefonata për ndihmë, orën e nisjes dhe të mbërritjes së ambulancës, vendndodhjen e ambulancave në atë moment, arsyen pse Vau i Dejës ka mbetur pa mjet urgjence dhe emrat dhe përgjegjësitë e drejtuesve që e lejuan këtë gjendje, duke filluar nga vetë Ministrja.

Duhet hetim i plotë, përgjegjësi administrative dhe penale e qartë.

Qytetarët e Vaut të Dejës nuk kërkojnë luks. Kërkojnë të drejtën elementare që, kur luftojnë për jetën, shteti të mos mbërrijë pasi gjithçka ka marrë fund e vdekja ka vendosur ligjin e saj.

Ngushëllimet më të ndjera familjeve Deda dhe Preka!

Dhimbja e tyre nuk duhet të mbulohet nga heshtja institucionale e mosndëshkimi i përgjegjësve të drejpërdrejtë dhe të atyre që sot qeverisin me harbutëri dhe arrogancë ekstreme.

About Redaksia

Check Also

Shpëthen revolta te Kryeministria: “Polici këtu na ke, ti mbron krimin dhe jo ne”!

Protestuesit bllokuan hyrjet e Kryeministrisë, ulen në shesh Pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë, protestuesit …