Nga Luçiano BOÇI
Ka lojëra që zhvillohen në errësirë, me letra të shënuara, kode të fshehta dhe dëshmitarë të blerë. Por loja që luhet prej vitesh në tryezën e pushtetit shqiptar i ka kapërcyer edhe rregullat e pokerit klasik të hajdutëve.
Këtu vjedhja quhet “qeverisje”, blofi quhet “vizion” dhe krupieri i quan hajdutët “partnerë strategjikë”.
Në tavolinën kryesore ulen dy emra.
Erion Veliaj, me letrat e Bashkisë së Tiranës në njërën dorë dhe manikyrin e viktimës në tjetrën.
Dhe Edi Rama, me letrat e qeverisë, të partisë dhe të gjysmës së shtetit të stivosura krah tij, sikur t’i kishte fituar me merita e jo me shantazh institucional.
Përballë tyre duhet të qëndronte drejtësia, jo si lojtare, por si krupiere e paanshme: të shpërndante letrat sipas rregullit, të kontrollonte lojën dhe të ndëshkonte mashtrimin.
Por krupieri shqiptar nuk njeh ligjin. Ose, më saktë, bën sikur nuk e njeh.
Rregullat e kësaj tavoline përpiqet t’i imponojë Veliaj. Ai ka ndërtuar një perandori asfalti dhe betoni, ku çdo interes është një kartë me vlerë dhe çdo metër katror një bast i vendosur mbi kurrizin e qytetarëve.
Inceneratorët, tenderat, pasuritë e padeklaruara dhe rrjeti i drejtorëve të kapur,
nuk janë episode të veçuara.
Janë duart e së njëjtës lojë. Janë pjesë të një sistemi që e ka kthyer Tiranën në kazinonë personale të kryebashkiakut.
Veliaj luan me blof. Kur kapet, nxjerr mesazhe, audio dhe video.
Pastaj i fshin, i manipulon ose i mohon. Kur faktet e rrethojnë, ai shton propagandën. Kur provat rëndohen, ai shumëfishon viktimizimin. Kur humbet një dorë, përpiqet të blejë kohë për dorën tjetër.
Çdo projekt i tij është një bast që e paguan Tirana, me taksa më të larta, me beton, me trafik, me ajër të ndotur dhe me hapësira publike të grabitura.
Lojtari tjetër është Edi Rama.
Ai nuk kënaqet vetëm duke luajtur. Ai kërkon të zotërojë dhe de facto zotëron tavolinën, sallën, kamerat dhe rregulloren e kazinosë.
Kryeministri që premtoi “rilindje” e ka kthyer shtetin në një kumarhane politike, ku ai vendos kush fiton, kush humbet, kush hetohet, kush amnistohet dhe kush lihet jashtë loje.
Rama e mban Veliajn në tavolinë jo sepse i beson, por sepse i duhet.
I duhet si bashkëfajtor, si peng politik dhe si borxhli i përjetshëm.
Mes tyre nuk ka besnikëri. Ka vetëm dosje, interesa dhe frikë të ndërsjellë.
Secili ia njeh letrat tjetrit. Secili e di se çfarë fshihet pas blofit. Secili e kupton se rrëzimi i njërit mund të zbulojë të gjithë lojën.
Prandaj Rama nuk e largon Veliajn plotësisht nga tavolina. E dobëson, e poshtëron, e përdor dhe e mban të varur. Sepse një Veliaj i lirë mund të flasë, ndërsa një Veliaj i kapur vazhdon t’i shërbejë.
Sa herë drejtësia bën sikur afrohet te maja e pushtetit, Rama ndërhyn me një deklaratë publike, me një “reformë” të re, me një kërcënim të koduar apo me një goditje ndaj prokurorit të radhës. Dhe loja rifillon sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Ai sillet si lojtari që e di se askush nuk do ta nxjerrë nga tavolina, sepse gjykatësit i ka emëruar vetë, institucionet i ka kapur dhe kontrollin politik e ka shtrirë mbi çdo hallkë të shtetit.
Por personazhi më tragjik i kësaj farse është krupieri. Drejtësia e ashtuquajtur “e re” me në ballë SPAK.
Ajo i sheh letrat e shënuara. I dëgjon marrëveshjet nën tavolinë. I njeh sekserët. I numëron paratë. I ka përpara tenderat, inceneratorët, lejet e ndërtimit, komunikimet dhe pasuritë e fshehura.
Megjithatë, vazhdon të shpërndajë letrat, sikur loja të ishte e ndershme.
SPAK-u ka bërë disa “hapa”.
Ka marrë në pyetje, ka kontrolluar banesa, ka sekuestruar telefona, ka mbledhur dokumente dhe ka ngritur akuza. Por sa herë që hetimi afrohet te dera e pushtetit të lartë, ai stepet largohet sepse i fanepset një mur, dryn ligjor, presion politik dhe frikë institucionale.
Prokurorët që guxojnë izolohen. Ata që heshtin promovohen. Ata që prekin degët lejohen të vazhdojnë. Ata që tentojnë të arrijnë trungun paralajmërohen të ndalen.
Kështu drejtësia nuk e mbron më rregullin e lojës. Ajo mbron tavolinën.
Krupieri herë mbyll sytë, herë vonon dorën, herë fsheh letrën vendimtare dhe herë u jep kohë lojtarëve të ndryshojnë bastet. Nuk është më arbitër i paanshëm. Është garancia që loja të vazhdojë pa u prekur pronari i vërtetë i kazinosë.
Megjithatë, pokeri ka një rregull që Rama, Veliaj dhe krupieri i tyre nuk e kanë lexuar deri në fund.
Publiku nuk mund të mbetet spektator përgjithmonë.
Qytetari shqiptar e ka kuptuar se tavolina është e mbushur me hajdutë, se letrat janë të shënuara dhe se krupieri është blerë. Ai e ka kuptuar se, pavarësisht se cili lojtar merr dorën, humbësi është gjithmonë i njëjti, qytetari.
Ai humbet taksat. Humbet pronën. Humbet qytetin. Humbet shtetin. Humbet besimin te drejtësia.
Por vjen një çast kur publiku nuk pranon më të paguajë lojën e të tjerëve. Ngrihet nga karrigia dhe e përmbys tavolinën siç po bën në shesh.
Atëherë nuk vlejnë më blofet, propaganda, letrat e shënuara dhe marrëveshjet e fshehta.


Gazeta RD