Vasili: Dy pushteti Rama-Veliaj, asgjësimi i shtetit për llogari të shantazhit!

Nga Petrit VASILI

Tashmë dy pushteti Rama-Veliaj është fakti më shkatërrimtar që historia e shtetit shqiptar ka parë, një Haxhi Qamilizëm i vërtetë.

Edi Rama, që klithte e ulëriste se do bënte shtetin, është autori de facto i shpërbërjes totale të shtetit.

Kur Veliaj u arrestua, të gjithë kujtojnë vajtjen triumfatore të Ramës, që rrëmbeu frenat e Bashkisë së Tiranës dhe hoqi e vuri kryetar e sekretar të përgjithshëm e drejtorë, duke dhënë mesazhin se është ai zoti i asaj bashkie.

Veliaj vazhdonte të ishte në burg, por po shkarkon e emëron çfarë i do qejfi.

Pyetja që shtrohet është: ku përfundoi triumfatori Rama?

Loja e shantazhit reciprok për zhdukjen reciproke në funksion të pushtetit sa më të madh të secilit prej tyre, është pikërisht vetëm ajo që ka triumfuar, ndërsa shteti, respektimi i ligjit dhe serioziteti shtetëror kanë përfunduar në gropë të plehrave.

Tashmë karshillëku mes këtyre të dyve është i hapur, por ndërkohë paratë e taksave vazhdojnë të vidhen e shpërdorohen, ndërtimi i kullave është çfrenuar krejt, inceneratori inekzistent vazhdon të paguhet, pra, në finale, qytetarët janë viktima e kësaj loje të pisët pushteti, ku këta dy i kërcasin dhëmbët njëri-tjetrit.

Tashmë është e qartë edhe për më të fundit qytetar të këtij vendi se zyra e kryeministrit dhe e kryetarit të Bashkisë janë dy zyra biznesi me paratë dhe interesin publik dhe nuk janë aspak institucione të larta shtetërore, ku veprohet me ligj e Kushtetutë dhe që i nënshtrohen kontrollit të qytetarëve dhe opozitës.

Historia e këtij dy pushteti si rivalitet i egër interesash tepër të errëta ka shkatërruar totalisht besimin e qytetarëve tek shteti dhe ka bërë një dëm kaq të madh në strukturën e besimit publik tek institucionet, sa do të kërkojë një kohë të gjatë që të rikuperohet.

Pra, s’bëhet fjalë për debat politik dhe as shtetëror, por vetëm shantazh i pastër reciprok interesash të pista, si në një lojë shahu, ku secili përdor trafikun e influencave dhe interesave ku ndihet më i fortë brenda dhe jashtë vendit apo grupit të të fortëve që ndeshen në terren për të kapur llokma interesash financiare.

Kjo agoni dy pushteti tregon më mirë se gjithçka fytyrën e Rilindjes si një mekanizëm mafioz pushteti, që nuk ka vija të kuqe, por ka doktrinë pastrimin e parave, narkoshtetin dhe krimin elektoral.

Ndaj edhe rrëzimi i Rilindjes është hapi i parë jetik, së paku për të rikthyer shtetin normal të ligjit në funksion, dhe më pas për rikuperimin e dëmit kolosal financiar që shkon në miliarda euro, të shkaktuar nga këta.

Shfaqja Rama-Veliaj si dy pushtet i vagabondizmit shtetëror do të mbetet një nga faqet më të zeza të historisë së shtetit.

About Redaksia

Check Also

Veliaj shkarkon nga burgu edhe kaqolin tjetër të Ramës

Veliaj vijon të ndërhyjë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës edhe nga paraburgimi. Sipas burimeve …