Fabula e re e Edi Ramës: Shqiptarëve pasqyrën, për vete milionat!

Nga Armand SHKULLAKU

Qeverisja e vendit ka hyrë në një fazë terminale, ku kryeministri bën sikur drejton dhe ata që ka poshtë bëjnë sikur e dëgjojnë. I shteruar nga idetë dhe i konsumuar nga skandalet kriminale, Edi Rama po përpiqet të thurrë një rrëfim të ri për të shtyrë fundin e tij të afërt. Por as për këtë, një talent i dikurshëm i tij, nuk është më në gjendje.

Sallat ku ai flet u ngjajnë shtëpive funerale, ku të pranishmit mbajnë kokat ulur nga sikleti ndërsa i zoti shtëpisë nuk e kupton se kur duhet të heshtë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se realiteti jashtë atyre sallave është krejt ndryshe nga pallavrat e liderit për rritjen e pritshëmrive të qytetarëve, mungesën e empatisë së administratës e dokrra të tjera skizofrenike të një njeriu, të cilit, frika nga e nesërmja pa pushtet, po ia rrënon edhe dinjitetin.

Edi Rama po flet këto ditë për një qeverisje që duhet të jetë pranë halleve të qytetarëve, për punësime me meritë dhe jo me sekserë partie, për administratë që mbaron punë sipas ligjit dhe jo sipas xhepit.

Po prezanton teza e platforma, radarë e pasqyra sikur ka zbuluar më në fund, pas 15 vjetësh, se si mund ta shpëtojë Shqipërinë. Kur dëgjon argumentimin e mjerë të kryeministrit, se si me besë e me empati do zgjidhë krizën ku e ka futur vendin, pyetja e parë që të vjen ndërmend është: a i beson edhe ai vetë këto sajesa banale?

Sado të ketë pësuar transformime nga dhjamosja dhe paranoja e pushtetit, truri i Edi Ramës e proceson faktin se pasqyra nuk mund ta ndryshojë fatin e qeverisë së tij. Përkundrazi, sa herë të hedhësh sytë do të të tregojë njollat e kalbësisë së një sistemi që u ngrit mbi vjedhjen dhe krimin. Kryeministri e di këtë, ashtu siç e di se është i pafuqishëm të drejtojë vendin me punë dhe jo me fjalë.

Ai nuk ka as aftësi e as energji të realizojë ndonjë grimcë të atyre që premton apo ka premtuar. Ndaj ai vetëm flet dhe ata që ka poshtë bëjnë sikur e dëgjojnë. E ndërkohë askush nuk punon. Qeveria, bashkitë, administrata… prej kohësh nuk funksionojnë, përveçse kur bëjnë paratë e tyre. Rama gjendet përballë monstrës që ka krijuar vetë, duke tentuar ta yshtë me fjalë, me shpresë se do ta zgjasë fundin.

E gjithë armata rilindase, që për momentin mban kokën ulur dhe bën sikur mban shënim direktivat e liderit, e lexon boshllëkun dhe degradimin e tij. Ai u kërkon atyre të sillen si konkuistadorët spanjollë me indianët e Amerikës, shqiptarëve t’u japin pasqyra ndërsa vetë iu rrëmbejnë milionat.

Të tregojnë empati ndërsa i rrjepin përditë me tarifat e inceneratorëve, tecet lundruese, kostot e sterilizimit, taksat e rrugëve e gjobat skandaloze. Të mbajnë shënim hallet e qytetarëve, ndërsa numërojnë apartamentet, vilat, hotelet madje edhe avionët privatë që me shumë empati i ndajnë me biznesmenët e tenderave e konçensioneve.

Mënyra si ka qeverisur Edi Rama dhe përpjekja idiote për ta shitur atë si diçka me vlerë por që nuk është kuptuar si e tillë për shkak të mungesës së aftësive komunikuese e emocionale të administratës, është gjurma më e qartë e skizofrenisë së fundpushtetit. Mjafton një njeri i vetëm, nga ata që bëjnë sikur e dëgjojnë me kokën ulur, të ngrihet dhe t’i bëjë disa pyetje liderit që grin sallatë i bindur se s’do guxojë askush ta kundërshtojë.

Në këto 15 vjet, kush i ka përzgjedhur ministrat, deputetët, drejtorët e lartë apo kryetarët e bashkive që përfunduan burgjeve si hajdutë e kriminelë ordinerë? Po ergysët që kontrollonin nga shërbimi sekret e deri te drejtuesit kryesorë të policisë, mungesa e empatisë i prodhoi? Po trafikantët e drogës që u bënë investitorë strategjikë dhe mbuluan Shqipërinë me beton, pasojë e mosmbajtjes shënim të halleve të qytetarëve janë?

Në sallat mortore të rilindjes, të gjithë e dinë se pallavrat e kryeministrit nuk mund ta ndryshojnë realitetin ku ata e kanë sjellë vendin. Asnjë pasqyrë nuk reflekton dot një Shqipëri tjetër nga ajo që ekziston në të vertetë. Ata që janë prej tre muajsh në bulevard kanë parë aq shumë në këto 15 vite sa asnjë copë xhami nuk ua merr sytë. Përpjekjet e Ramës, për të prodhuar në sallë e në letër një narrativë që mund ta mbajë ende në pushtet, vetëm sa e shtojnë përplasjen me ata që e jetojnë përditshmërinë e qeverisjes së tij.

Shenja më e qartë kur një regjimi i vjen fundi, është pikërisht kur lideri flet për një realitet virtual, të tijët bëjnë sikur i japin të drejtë, ndërsa qytetarët janë në rrugë. Shqipëria jashtë sallave të rilindjes, është pasqyra ku Edi Rama tmerrohet të shohë veten./Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Udhëzues express për “Praninë Besnike”; Turi 60-minutësh i halleve!

Nga Lutfi DERVISHI Ideja për të takuar popullin çdo të premte pasdite, për t’i mbajtur shënim …