Nga Luçiano BOÇI
Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të njëqindtë, duke e përballur politikën me një qëndresë që nuk mund të anashkalohet. Këto ditë kanë forcuar kërkesën për llogaridhënie dhe kanë rrëzuar bindjen se shqiptarët janë dorëzuar apo se pakënaqësia mund të mbyllet brenda mureve të shtëpisë.
Qytetarët po dëshmojnë se reagimi publik ka vullnetin dhe ritmin e vet. Ai buron nga nevoja për t’u dëgjuar dhe nga refuzimi për ta pranuar padrejtësinë si mënyrë jetese. Për një pushtet që përpiqet të kontrollojë debatin dhe ta paraqesë kundërshtimin si pengesë për zhvillimin, kjo prani në shesh është një shqetësim i përditshëm. Ajo prish imazhin e qetësisë së propaganduar dhe kërkon përgjigje për qeverisjen, pasurinë publike dhe të ardhmen e vendit.
Forca e protestës qëndron te vazhdimësia. Të rikthehesh për njëqind ditë, përballë shpërfilljes dhe lodhjes, kërkon bindje. Pikërisht kjo e ka kthyer protestën në një provë për marrëdhënien e politikës me qytetarin.
Kjo provë na përfshin edhe ne në opozitë. Detyrimi ynë është ta dëgjojmë zërin qytetar, ta respektojmë pavarësinë e tij dhe ta mbështesim me veprim. Çdo kërkesë e drejtë e ngritur në shesh duhet të përfaqësohet dhe të ndiqet me këmbëngulje në institucione dhe jashtë tyre.
Njëqind ditët nuk e kanë përfunduar betejën, por kanë tronditur rehatinë e politikës. Kanë treguar se durimi qytetar ka një kufi dhe se përtej tij fillon qëndresa.
Sot politika duhet të përgjigjet. Qytetarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre prej njëqind ditësh.
Ata janë ende aty!
Gazeta RD