Nga Bujar Leskaj
Sot mbushen 100 ditë të protestës qytetare më të gjatë dhe më paqësore në historinë e Shqipërisë. Të gjithë të marrim pjesë në proteste, në ditën e 100-të të saj!
Një shoqëri demokratike nuk mund të jetë vetëm spektatore e mënyrës se si qeveriset vendi. Qytetaria aktive nënkupton edhe të drejtën për të kërkuar llogari, transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet publike të vendit, sidomos nga ky sekt i neveritshëm dhe thellësisht korruptiv, që është sekti Rama në pushtet.
Protesta 100 ditore është dëshmi e gjallë se demokracia nuk përfundon vetëm tek vota, por vazhdon edhe me pjesëmarrjen, debatin, kritikën dhe kërkesën qytetare për llogaridhënie.
Protesta po tregon përgjegjshmëri, atdhetarizëm , rezistencë të lartë dhe kërkesa të dreja, si kryekërkesa, largimi i Ramës dhe shfuqizimi i katër ligjeve korruptive dhe të qepura me dorë të sektit të tij: ligji për Investitorin Strategjik, Paketa e Maleve, ligji për Zonat e Mbrojtura dhe ligji për Trashëgiminë Kulturore.
Në këto 100 ditë, qindra qytarë kanë përcjellë mesazhe qytetarie dhe dhjetëra mijëra të tjerë i kanë mbështetur ata. Shqetësimet e protestuesve janë të drejta dhe të thella. Ato reflektojnë problematikat e gjera të jetës qytetare dhe të ekonomisë së vendit nën thundrën e sektit Rama në pushtet.
Korrupsioni galopant, aferat dhe vjedhjet e rënda përmes koncesioneve korruptive në infrastrukturë e energjetikë, grabitja e pasurive publike si kromi dhe nafta, përfshirë rastin e Bankers Petroleum, si dhe prokurimet korruptive, si rasti i TEC-eve lundruese në Vlorë, që rëndojnë çdo ditë mbi buxhetin e shtetit miliona euro, janë bërë ndër kryefjala e 100 ditëve të kësaj revolte të drejtë popullore, dhe çdo mesazh kundër sektit Rama e ka zanafillën nga sistemi korruptiv është ndërtuar e konsoliduar këto 13 vite.
Protestuesit theksojnë njëzëri domosdoshmërinë e zhbërjes së zgjedhjeve të manipuluara të viit 2025, përmes një kodi të ri zgjedhor dhe një qeverie teknike. Përgjigjja e kësaj qeverie të korruptuar dhe të papërgjegjshme që kemi mbi kokë është përvijimi i arrogancës me qytetarët dhe thellimi i korrupsionit të sektit në qeverisje, duke prodhuar me qindra skandale të reja në këto 100 ditë.
Mjafton të përmendim aferat korruptive të KAYO, tenderat e trukuar të pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, vijimin e korrupsionit në tenderat e AKSHI-t, etj.
Për të gjitha këto arsye, sot duhet të jemi të gjithë në protestë. Protesta qytetare më paqësore dhe më e gjatë e vendit është e dobishme për Shqipërinë, për të ardhmen e saj, për fuqinë që duhet të kemi si qytetarë për t’i thënë “JO!” mashtrimit, abuzimit dhe korrupsionit qeveritar.
Ashtu siç kërkesat e protestuesve këto 100 ditë po gjejnë mbështetje te çdo qytetar, kemi detyrimin për t’i mbështetur edhe ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe si opozitë në tërësi. Kjo është mbi të gjitha një detyrë qytetare, të qëndrojmë pranë qytetarëve dhe të mbështesim protestën e tyre, pavarësisht nëse kjo mund të prekë ndonjë interes të vogël politik apo personal.
Objektivi ynë parësor duhet të jetë që këtë frymë ta përcjellim kudo, duke u mbështetur te kërkesat e protestuesve qytetarë dhe rinorë: krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, krijimi i një qeverie teknike dhe çuarja deri në fund e shfuqizimit të katër ligjeve antikombëtare ( ligji për Investitorin Strategjik, Paketa e Maleve, ligji për Zonat e Mbrojtura dhe ligji për Trashëgiminë Kulturore).
Protestuesve duhet t’u krijojmë gjithashtu hapësirën dhe mundësinë që, të krijojnë edhe formacione të reja opozitare, në rastet kur nuk ndihen të përfaqësuar apo kur strukturat ekzistuese nuk i përmbushin pritshmëritë e tyre.
Drejtuesit e protestës (të cilët të gjithë duhet të nderohen e respektohen) janë nën një presion të vazhdueshëm nga qarqe të caktuara të qeverisë. Megjithatë, ashtu siç kanë vepruar deri tani, duke e menaxhuar me shumë kujdes e përgjegjësi këtë lëvizje të madhe rinore e qytetare, duhet të vazhdojnë të tregohen të matur dhe të mos bien pre e provokimeve. Për shembull, parrulla “Ju erdhi fundi” nuk ka kuptim të shpaloset në dyert e ambasadave perëndimore, siç e kanë paraqitur dje në disa media. Personalisht, nuk e besoj se një veprim i tillë ka ardhur nga drejtuesit e protestës, por pikërisht për këtë arsye duhet treguar edhe më shumë kujdes.
Me shpopullimin masiv dhe grabitjen sistematike të pasurive publike nga sekti Rama, jemi në një moment kritik si shoqëri dhe ndërgjegje qytetare. Pjesëmarrja në protestë është nisja e zgjidhjes së problemeve tona madhore sot dhe në të ardhmen.
Në ditën e 100-të duhet të marrim pjesë në protestë dhe të bëhemi bashkë me protestuesit guximtarë, të cilët prej 100 ditësh kanë denoncuar dhe kanë nxjerrë në pah, para qytetarëve shqiptarë dhe opinionit ndërkombëtar, dështimin dhe keqqeverisjen e sektit Rama, e cila për 13 vite është kthyer në një sistem të frikshëm korruptiv e antikombëtar.
Në ditën e 100-të të protestës dhe për çdo ditë që kjo revoltë popullore do vazhdojë duhet të jemi aty, të bëhemi pjesë e saj dhe ta mbështesim me vendosmëri. E kemi detyrim të jemi në krah të qytetarëve, për t’u bashkuar dhe për të përcjellë frymën e tyre dhe për të dëshmuar se opozita, deputetët e saj në veçanti janë mbështetës së saj dhe e betejës kundër sistemit të sektit Rama.

Gazeta RD