Deputeti i PD në qarkun e Fierit, Luan Baçi ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga bashkia e Fierit për të ngritur dy grupe pune për vlerësimin e dëmeve në zonat e prekura nga zjarri i pak ditëve më parë.
Baçi ngre shqetësimin se grupet e ngritura janë krijuar nga njerëzit të thekur si militantë, patronazhistët e partisë, janë të gjithë ata që paguhen për të spiunuar bashkëfshatarët e vet. Ai bën thirrje që të mos ketë hakmarrje ndaj fermerëve.
Reagimi i deputetit të PD, Luan Baçi
Bashkia Fier njofton se do të krijojë dy grupe pune për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të zjarreve të ditëve të fundit në Levan, Frakull dhe Qendër, tre njësitë vendore të prekura ndjeshëm nga batërdia e zjarreve!
Në grupet e punës do të jenë kryetarët e njësive vendore dhe kryetarët e fshatrave, njofton Bashkia Fier.
Të gjithë këta janë të emëruar nga PS dhe janë njerëzit më të thekur si militantë, janë patronazhistët e partisë, janë të gjithë ata që paguhen për të spiunuar bashkëfshatarët e vet, për t’i survejuar ata, për t’i presionuar dhe shantazhuar, për të marrë votën në çdo palë zgjedhje…
Grupet e punës duhet të krijohen dhe të përbëhen nga individë me integritet dhe përfaqësues nga të gjitha palët politike.
Këshillat bashkiakë kanë përfaqësues nga disa forca politike dhe duhet të ishin këta në përbërje të çdo grupi pune, dhe të ishte Këshilli Bashkiak organi që duhet të vendoste përfundimisht për vlerësimin dhe mënyrën e shpërndarjes së dëmshpërblimeve.
Përvoja e deritanishme ka qenë e tillë dhe, në këto raste, ka treguar se vlerësimi i dëmeve është bërë në mënyrë selektive, duke i ndarë njerëzit në “tanët” dhe të “atyre” dhe duke përjashtuar padrejtësisht shumë banorë nga dëmshpërblimi që e meritonin ta merrnin, për të vetmin “faj” se nuk janë votues të PS. Dhe kjo duket edhe vetëm nga FB i çdo qytetari, kur e kanë një gjë të tillë, por më shumë nga info që jepet nga patronazhistët e shumtë rrogëtarë në shtet, si dhe nga kryepatronazhistët, që janë kryetarët e njësive vendore dhe kryetarët e fshatrave, që do të jenë dhe shefat e përcaktimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarri!
Me të drejtën që më jep ligji për informim, me cilësinë e deputetit, do të kërkoj:
Informacion për emrat e grupeve të punës pranë Bashkisë Fier.
Emrat e gjithë të dëmtuarve dhe masën e dëmshpërblimit për secilin prej tyre.
I bëj thirrje çdo banori të dëmtuar nga zjarret e ditëve të fundit në territorin e Bashkisë Fier, që ndihet i përjashtuar dhe i pavlerësuar nga grupet e punës, të njoftojë në nr. e tel. 0684083753 dhe unë do të jem pranë tyre pa asnjë dallim!
P.S. Një nga fermerët e shumtë të dëmtuar rëndë, me rreth 1500 ullinj të djegur, quhet Flamur Fejzulla nga Peshtani i Vogël.
Fermeri që ka dhënë intervistë reale në FB tim.
Mos u hakmerreni, por vlerësoni me objektivitet çdo banor dhe banore, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj pushtetit!
Gazeta RD