Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj ka ironizuar nismat e qeverisë së Edi Ramës, “Besën” dhe “PasqyrAlbania”, gjatë mbledhjes së sotme me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.
Ai ironizon Kryeministrin Edi Rama teksa thotë se iu deshën 13 vite në pushtet për të kuptuar se “Shqipërisë i kishte munguar pasqyra”.
“Zoti kryetar, kolegët e mi ikën thelbit në diskutimet e veta, kush për pasion, kush për bindje dhe kush për informacion. Unë besoj që vera që lamë pas ishte bizarre, tejet interesante. Unë kam medituar shumë, kam sqaruar vetveten pse për 13-14 vjet kam jetuar në ankth të trazuar, djersitesha natën. Kisha jetuar në pabesi, e kuptoni ju më kishte munguar “Besa”…ec e ec rrugës u shfaq edhe “Prania Besnike” ku ka më mirë. Pastaj pamë veten në pasqyrë dhe pashë që isha thinjur që Shqipërisë i kishte munguar pasqyra”, tha ai.
Më tej, ai ironizon duke thënë se këto nisma duhet t’i kthejnë në ligje dhe madje të konceptohen nga Ergys Agasi, Ron Yeffet dhe të tjerë.
“Por jemi treguar të papërgjegjshëm që nuk i keni futur në kalendar për t’i bërë ligje. Ligji “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyra”. Kam një propozim që ligjin e parë ta konceptojë Gysi, të dytin Ron Yeffeti, marifeti, ndërsa pasqyrën le të na e sjellë ai Beqiraj stil rokoko nga ato të kështjellave. Na e sjell me balon dhe shiheni si zotërinj.
Më vjen keq që një politikane me kaq përvojë si zonja Tabaku kërkon të kenë prioritet ligjet e integrimit, madje do edhe informacion, e çfarë i duhen Shqipërisë ligjet e integrimit para “Besës” , “Pranisë besnike” dhe Pasqyrës. Ato janë pesë me hiç, para këtyre koncepteve të epërme, për të cilat duhet t vrapojmë t’i bëjmë ligje.
Dhe e fundit. Zoti Bardhi “bëri gabim” kur anuloi se qeveria dhe kryeministri imponohen orë çaste duke cenuar pavarësinë e parlamentit. E ke gabim Gazment, këta ja bëjnë tetë me dy siç e ke parë atij dhe qeverisë, Ramës i fërgëllojnë poturet si perdet nga era kur dritarja rri hapur, kur kalon para këtyre zonjave dhe zotrinjve. Këta e kanë aq për zemër parlamentarizmin që ja i bëjnë tërbimet pa gajle Kryeministr dhe aradhen e tij”, tha Gjekmarkaj.
Gazeta RD