Edi Rama mungoi dje në çeljen e sesionit të ri parlamentar. Por nuk munguan civilët e pushtetit në rrugët e Tiranës, kundër qytetarëve që prej mbi 100 ditësh protestojnë për të drejtat, liritë dhe largimin e kësaj qeverie.
Pamjet ishin tronditëse: protestues të kapur e të tërhequr zvarrë, sikur të ishin terroristë dhe jo qytetarë që ushtronin një të drejtë kushtetuese. Këto ndërhyrje ngrenë dyshime serioze për proporcionalitetin e forcës dhe respektimin e lirisë së tubimit paqësor. U shoqërua edhe gazetari Shpend Gashi, i cili më pas u lirua.
Vetëm pak ditë më parë, një qytetar që filmonte ndërhyrjen e autoriteteve përfundoi 72 orë në qeli, ndërsa gjykata e konsideroi arrestimin të paligjshëm.
Ndërkohë, audiopërgjimet e publikuara nga Syri TV dhe të atribuuara Arben Ahmetajt ngrenë dyshime jashtëzakonisht serioze për persona pranë qeverisë dhe veprimtari të lidhura me tregtinë ndërkombëtare të armëve. Akuza të tilla kërkojnë hetim urgjent dhe transparencë të plotë.
Asnjë reagim serioz nga mazhoranca.
Asnjë reagim nga Presidenti.
Vetëm forcë ndaj qytetarëve.
Mbrëmë në Tiranë u cenuan seriozisht liria e protestës, e tubimit, e shprehjes dhe e informimit.
Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli gjithnjë e më autoritar, ku pushteti përpiqet të trembë dhe heshtë çdo zë kundërshtues.
Institucionet e Bashkimit Europian duhet të reagojnë. Shqipëria nuk mund të kërkojë Europën në Bruksel dhe të kufizojë liritë themelore në Tiranë.
Gazeta RD