Noka në 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës: Liria nuk dhurohet, për të duhet luftuar!

Në 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, nderoi kujtimin e martirëve të kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar kryengritjen e vitit 1946 si simbol të qëndresës dhe sakrificës për lirinë.

Në fjalën e tij, Noka tha se amaneti i burrave të Postribës mbetet aktual edhe sot, duke e lidhur atë me situatën politike në vend.

“Për lirinë ia vlen çdo lloj sakrifice, për lirinë duhet të luftosh”, u shpreh Noka, duke bërë thirrje për kurajë qytetare përballë asaj që ai e cilësoi si “narko-regjim”.

“Kryengritja e Postribës sot duhet të jetë kushtrim për çdo shqiptar”, deklaroi ai, duke theksuar se Shqipëria nuk është pronë e askujt, por e qytetarëve të saj.

Fjala e plotë

Të nderuar familjarë të martirëve të Postribës. I nderuar zoti kryetar i Partisë Demokratike Dega Shkodër, të nderuar kolegë deputetë, të nderuar zonja e zotërinj këshilltarë të bashkisë, të nderuar qytetarë të Postribës dhe rrethinave përreth. Të nderuara zonja e zotërinj, sot është një nder i veçantë për mua si përfaqësues i Partisë Demokratike të jem këtu në Postribë. Në këtë tokë që 80 vite më parë u bë simboli i qëndresës, u bë simboli i betejës, u bë simboli i rezistencës dhe i kryengritjes ndaj një padrejtësie, ndaj një diktature që po instalohej.

Me këtë rast unë kam kënaqësi t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta ju familjarëve të martirëve, qytetarëve të Postribës dhe të gjithë Shkodrës, pra t’ju përcjell përshëndetjet e përzemërta të kryetarit të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishës, i cili është në një tur takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ai do të ishte këtu me rastin e 80-vjetorit. Më porositi që t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe më të sinqerta. Ne sot miq përkujtojmë jo thjesht një datë në historinë tonë, ne përkujtojmë sot me rastin e 80-vjetorit të kësaj kryengritjeje, një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe burrërie, gjithashtu dhe fisnikërie.

Ne sot përkujtojmë një akt që megjithëse kanë kaluar 80 vite, ai funksionon, ai është adekuat për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Më 9 shtator të vitit 1946, në një Shqipëri ku regjimi komunist po instalohej, ku bisha marksiste po mbillte terror natë e ditë, ishte e vështirë të kundërshtoje, ishte e vështirë të ngriheshe, pa lëre më të luftoje. Por burrat e Postribës nën drejtimin e Jup Kazazit dhe Osman Haxhisë, e sfiduan këtë terror. Sikur e gjithë Shqipëria ta kishte bërë këtë që bëri Postriba, mbase komunizmi do të jepte shpirt shumë shpejt.

Por ne ju takon ju, ju takon paraardhësve tuaj, ju takon burrave të Postribës që rezistuan dhe luftuan. Ata u ngritën në betejë megjithëse e dinin që do paguanin një çmim shumë të shtrenjtë. Ata u ngritën në betejë megjithëse e dinin që i priste në rastin më të mirë burgu, por në rastin më të keq pushkatimi dhe tortura, sigurisht dhe persekutimi i familjeve. Por ata brenda shpirtit të tyre kishin një mision shumë më të madh sesa ajo, ata kishin një mision t’i dilnin zot familjes së tyre, tokës së tyre, vendit të tyre, Postribës, Shkodrës, gjithë Shqipërisë. Prandaj u ngritën dhe prandaj ata sakrifikuan.

Miq, kryengritja e Postribës ka dhënë një mesazh shumë të qartë, për lirinë ia vlen çdo lloj sakrifice, për lirinë ia vlen çdo lloj mundimi, për lirinë duhet të luftosh. Ndaj sot ne jemi këtu të përulur përballë emrit të tyre, veprës së tyre, historisë së tyre. Postriba sot 80 vjet më parë la ndër shqiptarë një amanet: liria kurrë nuk dhurohet, për lirinë luftohet dhe liria vetëm në betejë fitohet. Ky ishte mesazhi që la Postriba këtu e sot e 80 vjet më parë. Të dashur miq, 80 vjet më pas atëherë kur normalisht demokracia duhet të kishte hyrë në rrugët normale të zhvillimit të saj, shqiptarët për fatin e keq po përballen përsëri me një diktaturë. Jo si ajo e para, jo diktaturë thjesht ideologjike, por një diktaturë narko-diktaturë, diktaturë të krimit dhe të korrupsionit.

Sot në Shqipëri liritë nuk kufizohen me ligj, me ligj ka liri ju, ne, çdo qytetar ka liri dhe ka të drejta, por ata kufizohen me terrorin e shtetit dhe të bandave të pushtetit. Sot me ligj, në dokumenta, në letra në Shqipëri demokracia ekziston dhe duket në letra funksionale. Por në realitet, në realitet nuk funksionon, pasi pushtetin e qytetarëve sot e ka krimi, pasi paratë e djersa e mundi i shqiptarëve sot vidhet nga bandat e pushtetit dhe nga kreu i narkos në pushtet. Sot skandalet, kemi një pushtet që skandalet zëvendësojnë njëri-tjetrin. Sot jetojmë në një Shqipëri ku liria dhe demokracia janë të rrejshme, por ka një autokraci e cila po i merr frymën çdo shqiptari, e cila po i merr pasurinë dhe pronën çdo shqiptari, e cila po e pamundëson jetën çdo shqiptari. Pra sot ne jemi jo në një diktaturë ideologjike, por jemi në një narko-diktaturë.

Ndaj miq, kryengritja e Postribës sot duhet të jetë kushtrim, jo vetëm për banorët e Postribës, jo vetëm për qytetarët e Shkodrës, por kushtrim për çdo shqiptar që i thotë lirisë liri dhe dinjitetit dinjitet, familjes familje dhe kombit komb. Duhet të jetë një kushtrim i madh, duhet të jetë ndërgjegje, duhet të jetë ndërgjegje se vetëm duke u shndërruar në ndërgjegje qytetare, në të gjithë mundësitë për të reaguar dhe për të kundërshtuar këtë narko-regjim. Sot kushtrimi dhe thirrja e asaj dite duhet të jenë stimulant për kurajon qytetare, sepse vetëm duke nxitur kurajon qytetare ne do të mund të përballemi përsëri me narko-regjimin. Ata burra na treguan se guxuan, na treguan se u ngritën në kohën kur përballë kishin plumbin dhe litarin.

Ata u ngritën sepse e donin Postribën, ata u ngritën sepse i donin familjet e tyre, ata u ngritën sepse e donin këtë vend të bekuar, ata u ngritën sepse donin Shkodrën, ata u ngritën dhe sakrifikuan se e donin Shqipërinë.

Ndaj edhe sot ky frymëzim do të jetë udhëheqje për çdo një shqiptar nga Vermoshi në Konispol, sepse sot miq e vetmja rrugë është bashkimi i qytetarëve dhe protesta. Protesta që ka nisur, sot 100 ditë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ju siguroj që është e vetmja rrugë dhe ajo duhet mbështetur, është e vetmja formë në demokraci për të rrëzuar një narko-regjim si ky që kemi sot.

Ndaj sot pas 80 vitesh ata martirë të Postribës na bëjnë apel, të mos pajtohemi kurrë me padrejtësinë kurdo që të vijë dhe nga do që të vijë, të mos heshtim kurrë përballë korrupsionit sido që të vijë dhe nga do që të vijë.

Të mos pranojmë kurrë të zëvendësojmë sundimin e qytetarëve me sundimin e krimit, të mos pranojmë kurrë vendin tonë të zbrazet e të zbrazet dhe të kthehet në një tokë të djegur. Ndaj ne sot këtë mesazh duhet ta përcjellim në çdo votër shqiptare, sepse sot ky mesazh është adekuat.

Ky mesazh është thirrje e madhe për çdo shqiptar, sepse Shqipëria sot nuk është pronë e askujt, është pronë e shqiptarëve, e qytetarëve të saj. Shqipëria nuk është pronë e një partie, as pronë e një bande në pushtet, Shqipëria nuk është pronë as e të fortëve dhe bandave që qarkullojnë gjithandej, jo. Shqipëria është dhe do të ngelet e shqiptarëve. Sot këtu në Postribë le të përulemi dhe një herë para atyre që patën kurajon sot e 80 viteve më parë dhe të thonë jo ne nuk nënshtrohemi, jo ne nuk pajtohemi me të keqen, jo ne nuk gjunjëzohemi, jo ne do ngrihemi, ne do luftojmë, ne do sakrifikojmë për vendin tonë, për familjet tona, për atdheun tonë. Zoti e bekoftë Postribën, Zoti e bekoftë Shkodrën, Zoti e bekoftë Shqipërinë.

About Redaksia

Check Also

Protesta e 102/ Profesori: Vetëm me durim dhe rezistencë do ta largojmë Ramën!

Këtë të mërkurë mbahet protesta e 102-të para kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë Rama. …