Dy fjalë për “të riun me perspektivë”, i cili së fundmi ka lënë edhe mustaqe!

Nga Atird Hoxha – Kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë në Keshillin Bashkiak Vlorë

Po emërtimin “Rruga e Hebrenjve”, Atird Hoxha edhe këshilltarët e opozitës në Këshillin e Bashkisë Vlorë në 2026 e kanë bërë??

E fillove kështu për të treguar se Vlora ka histori dhe atë nuk e kam bërë as unë dhe as kolegët e mi në këtë mandat në Këshillin e Bashkisë Vlorë. Historia shkruhet ndër vite.

Kanë kaluar disa ditë që një “i ri me perspektivë”, i cili së fundmi ka lënë edhe mustaqe për t’u dukur burrë, pasi nuk u dallua dot për të në vitin 1997, përpiqet të bëjë me katolikun se Papa.

Që të jem pak më konkret dhe i qartë për ju që do të keni durimin ta lexoni këtë shkrim, po ju shpjegoj shkurtimisht më poshtë se për çfarë bëhet fjalë.

Në mars të vitit 2024, në Këshillin e Bashkisë Vlorë është propozuar nga administrata e bashkisë Projektvendimi “Për shprehjen e dakordësisë të kalimit në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës, sipërfaqen 548 m² truall, nga sipërfaqja totale e pasurisë së paluajtshme nr. 20/60/2, pronë e Bashkisë Vlorë, për realizimin e objektit “Muzeu Hebraik Shqiptar në Vlorë”.

Lidhur me këtë, “i riu me perspektivë” që përshkrova më sipër, i cili meriton shumë epitete që, për efekt edukate, nuk jam duke i thënë, por në të ardhmen, nëse do të “lipset” (thoshte gjyshja ime), do t’ia them, ka ngritur akuza se Këshilli i Bashkisë, e sidomos opozita, paska “shitur” historinë dhe interesat kombëtare dhe paska miratuar prishjen e ish-Klubit Labëria, sot Muzeu Etnografik, në favor të ndërtimit aty, në atë vend, të Muzeut Hebraik.

Totalisht gënjeshtër!

Meriton vetëm përbuzje, por duhet t’ua sqarojmë qytetarëve, që në këto kohë të turbullta dhe me shumë informacione të gënjeshtërta, shqetësohen me të drejtë.

E para, ish-Klubi Labëria, sot Muzeu Etnografik, nuk preket.

E dyta, për të gjithë ata që ndoshta nuk e kanë informacionin, Këshilli Bashkiak nuk ka kompetencë për të dhënë leje ndërtimi. Ato i jep Bashkia Vlorë ose Agjencia e Zhvillimit të Territorit (Edi Rama).

E treta, kur nuk ka kompetencë, si mundet që ne, këshilltarët e opozitës, të shpallur “shitës” të Vlorës, Shqipërisë dhe historisë së saj, mund të kemi marrë një vendim të tillë?

Për më tepër, unë personalisht dhe kolegët e mi, që përfaqësojmë qytetarët dhe opozitën, këtë shqetësim e kemi bërë prezent në atë kohë dhe, konform dokumentacionit të paraqitur, është sqaruar se ish-Klubi Labëria, sot Muzeu Etnografik, nuk prekej në asnjë centimetër nga sipërfaqja që do të vendosej në dispozicion të Ministrisë dhe më pas do të zhvillohej Muzeu Hebraik.

Duke u nisur nga ky fakt dhe nga sqarimet konkrete të bëra në atë kohë, nuk kishte asnjë arsye që Këshilli Bashkiak, ne si opozitë, të ishim kundër ngritjes së një muzeu, qoftë ai hebraik në atë ditë, muze turk nesër apo dhe muze anglez në një të ardhme.

Ndër të tjera, Vlora dhe Shqipëria janë të shënuara në historinë botërore për ndihmën, mikpritjen dhe faktin se u bënë strehë për shpëtimin e jetëve të familjeve hebreje që ishin vendosur në vendin tonë gjatë viteve të pushtimit gjerman, në vitin 1943.

Kjo sjellje shqiptare lidhet me besën, por edhe me traditën e solidaritetit dhe mikpritjes sonë.

Ky, besoj, mjaftonte si fakt për ngritjen e një muzeu.

Sot, “i riu me perspektivë”, mendjeshtruar, kërkon të bëjë politikë revolucionare duke hedhur baltë mbi mua personalisht, por edhe mbi kolegët e mi të nderuar opozitarë, të cilët kanë qenë dhe janë shumë dinjitozë për çdo çështje, përfshirë edhe këtë, në përfaqësimin e qytetarëve që na kanë besuar.

Reagimi im vjen për faktin se më ka përmendur në publikimin e listës së gjatë të të gjithë këshilltarëve. E ndieja të nevojshme të sqaroja pozicionin tim, për dashamirësit që mendojnë se kam “gabuar”, por edhe atë të kolegëve të mi, që, me sens pozitiv dhe pa asnjë prapavijë, dhanë dakordësinë rreth 3 vite më parë për këtë gjë.

Për këdo që vërtet është dashamirës i Vlorës dhe i historisë së saj, kam vetëm një këshillë miqësore, çdo shqetësim për çdo leje ndërtimi abuzive, qoftë edhe për muzeun në fjalë, dhe çdo shkelje që pretendohet, duhet t’u adresohet institucioneve përkatëse dhe nuk duhet të bini pre e dashakeqësve që ju drejtojnë ta gjeni fajin te opozita.

Opozita ka rreth 30 vite që nuk qeveris Bashkinë e Vlorës, që nga “dezertimi” i “të riut me perspektivë”.

Opozita ka 13 vite që nuk drejton qeverinë qendrore.

Ndërkohë, ky person, me sulmet e tij të orkestruara djallëzisht dhe me tezën se “të gjithë janë njësoj”, indirekt i shërben Edi Ramës.

Dhe këtë e bën me një shejtan budallallëk, që ai mendon se i shkon, por që për të gjithë ata që e njohin, jam i sigurt se vetëm u shton neverinë që kanë pasur dhe kanë për të. (Jo më kot).

 

About Redaksia

Check Also

Berisha kthehet sot nga SHBA/ PD thirrje demokratëve: Të gjithë bashkë në Rinas për një pritje madhështore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rikthehet sot në Shqipëri pas vizitës së tij në …