Deklaratë e Partisë Demokratike Dega Vlorë, nga anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, z.Rezenbrik Serjani
Të nderuar qytetarë dhe qytetare vlonjate, të nderuar prindër, mësues, nxënës, gjimnazistë, që sot filloni vitin e ri shkollor. Në emër të Partisë Demokratike, Dega Vlorë, ju shpreh suksese në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që formon breza dhe ju bën individë të shkëlqyer për të ardhmen e këtij vendi, që sot më shumë se kurrë ka nevojë për breza të kalitur me dije dhe qytetarë të mirë që e duan këtë vend. Një urim të përzemërt për të gjithë vogëlushët e klasave të para që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Sukseset dhe urimet më të përzemërta.
Edhe pse ky urim kurrsesi nuk mund të mungonte nga Partia Demokratike, Dega Vlorë, drejtuar çdo nxënësi, fëmije dhe vogëlushi vlonjat që sot fillon rrugëtimin e dijes dhe të bërit qytetar i mirë, por edhe ndaj prindërve që, mes sakrificave, investojnë në arsimin e fëmijëve; nuk mund të lëmë pa përmendur kolapsin dhe dëmin e madh që politikat e sektit Rama kanë bërë këto 12 e kusur vite në sektorin e arsimit, nëpërmjet politikave antikombëtare të zgjedhura qëllimisht për të rrënuar arsimin në vend, si sektori më i goditur këto 13 vite keqqeverisje.
Fakti më tronditës në sistemin arsimor në Shqipëri dhe në Vlorë specifikisht është ulja e numrit të nxënësve. Çdo vit kemi rënie drastike. Shifrat klithin dhe dëshmojnë këtë realitet të zymtë. Sot shkollat në të gjithë vendin vuajnë mungesën e nxënësve. Sipas statistikave, sot në Bashkinë Vlorë, në harkun kohor të kësaj dekade, kemi një rënie që varion nga 40 deri në 50%. Pra, sot bankat e shkollave në Bashkinë Vlorë kanë 40 deri në 50% më pak nxënës se disa vite më parë.
Statistikat në zonat rurale dhe njësitë administrative janë edhe më tronditëse. Dhe kjo vjen si pasojë e shpopullimit. Politikat antikombëtare të sektit Rama këto 13 vite kanë bërë që shpopullimi të jetë vrastar dhe element disfavorizues në të gjitha hallkat e shoqërisë.
Shpopullimi si projekt antikombëtar i Edi Ramës dhe politikave të tij ka mbyllur dhjetëra shkolla të arsimit parauniversitar, shkolla 9-vjeçare apo të mesme. Pothuajse në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Vlorë, kemi klasa ku mësimi zhvillohet kolektiv, kemi klasa që kanë më pak se 5 nxënës.
Testimi i PISA është një tjetër tregues, ku në shumicën e shkollave nuk u zhvillua, për faktin se nuk përmbushej kriteri i prezencës së nxënësve të grupmoshës 15 vjeç, grupmosha që testohet nga ky test.
Edi Rama dhe sekti i tij në pushtet, jo vetëm që e ka rrënuar arsimin, që ka shpopulluar vendin, që ka mbyllur shkolla, që ka kolektivizuar klasa e që nuk shpenzon asnjë qindarkë për këtë sistem, që duhet të ishte sektori më jetik për këtë shoqëri, ka zgjedhur që shkollat, nëpërmjet drejtorëve, t’i kthejë në vatra patronazhimi, t’i shndërrojë në vatra elektorale. Nëpërmjet presionit të heqjes nga puna, ai mbush sheshet elektorale, sa herë ka zgjedhje apo sa herë atij i duhen për fushatat e propagandës që bën nëpër Shqipëri. Nga ana tjetër, mësuesit janë lënë vetëm në gjithçka; shtypen, depersonalizohen, duke u ngarkuar me burokraci, të cilat kanë ndikuar dhe cilësinë e mësimdhënies.
Edi Ramës nuk i intereson arsimi, atij nuk i intereson asgjë që është jetike dhe e domosdoshme për të ardhmen e këtij vendi. Ai ka zgjedhur që investimet në arsim dhe politikat në këtë sektor të jenë gjithmonë për formë dhe asnjëherë në përmbajtje. Politikat e tij janë regresive dhe të dëmshme, sepse ato kanë zgjedhur të jenë politika fasade dhe jo politika që reformojnë në qelizë sektorin jetik, siç është arsimi. Sot politikat në sistemin arsimor nuk prekin thelbin e problemeve dhe nuk janë politika afatgjata, por janë politika dritëshkurtra. Në vend të bëhen ndryshime thelbësore në politikat e arsimit, bëhen vetëm retushime. Sot Vlora dhe mbarë Shqipëria kanë më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor dhe shpopullim masiv, të cilat janë pasojat afatgjata në ekonomi dhe shoqëri.
Gazeta RD