Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, ka deklaruar nga Pogradeci se protestat janë një e drejtë e qytetarëve dhe se çdo qeveri duhet të dëgjojë mesazhin që vjen prej tyre.
Gjatë një takimi me të rinjtë, diplomati kroat foli gjithashtu për procesin e integrimit në BE, reformat dhe gjeneratën e re shqiptare.
Takimi në Pogradec u zhvillua në kuadër të një projekti të Ambasadës së Kroacisë dhe Këshillit të Studentëve të Shqipërisë, që synon t’u prezantojë të rinjve shqiptarë përvojën e Kroacisë në hapat përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kramariç tha se fokusi i këtij projekti është përgatitja e brezit të ri, ndërsa shprehu bindjen se të rinjtë shqiptarë do të jenë ata që do t’i japin fund tranzicionit.
“Gjenerata e re do të jenë ata që do t’i japin fund tranzicionit shqiptar”, deklaroi ambasadori.
Sipas tij, të rinjtë shqiptarë janë të arsimuar dhe të përgatitur për të marrë përgjegjësi në ekonomi dhe politikë. Ai theksoi se qëllimi i projektit nuk është që Kroacia të luajë rolin e pedagogut, por të ndajë përvojën e saj me Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.
Ambasadori vuri në dukje gjithashtu mbështetjen e lartë që integrimi në BE gëzon në Shqipëri, duke thënë se në asnjë vend tjetër evropian nuk ka një nivel të tillë mbështetjeje.
I pyetur për protestat në Shqipëri, Kramariç tha se nuk është çështja nëse qytetarët kanë apo jo të drejtë të protestojnë, por nëse ata janë të lirë të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre.
“Protesta është një e drejtë e qytetarëve. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre”, u shpreh ai. Sipas ambasadorit, protestat duhet të shërbejnë edhe si një mesazh për qeverinë.
“Çdo qeveri duhet të marrë mesazhin që i shkon në aspektin politik”, tha Kramariç, duke shtuar se reagimet qytetare tregojnë edhe nivelin e sensibilitetit të shoqërisë për çështje të ndryshme, nga mjedisi te qeverisja dhe funksionimi i institucioneve.
Sa i përket reformave që duhet të ndërmarrë Shqipëria në kuadër të integrimit evropian, diplomati kroat tha se ato nuk duhet të perceptohen thjesht si detyrime që vijnë nga Brukseli.
“Reformat nuk duhet të shikohen si gjoba, pra nuk duhet të shikohen siç i kërkon Brukseli dhe duhet bërë, sepse mbi të gjitha janë qytetarët që jetojnë në këtë vend”, deklaroi ai.
Kramariç theksoi se në procesin e reformave mund të nevojiten kompromise dhe marrëveshje, ndërsa ligjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mos zbatohen në mënyrë selektive.
Sipas tij, reformat që kërkohen në kuadër të procesit të integrimit në BE janë në interes të qytetarëve shqiptarë.
Gazeta RD