Ish-prokurori Eugen Beci, ka ngritur kritika të forta për funksionimin e institucioneve në Shqipëri, duke deklaruar se gjatë viteve të fundit është dobësuar ndarja e pushteteve dhe është forcuar roli i ekzekutivit.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, Beci u shpreh se në praktikë Shqipëria nuk funksionon më me një ndarje të qartë mes tre pushteteve, duke argumentuar se ekzekutivi dhe legjislativi janë afruar deri në pikën që, sipas tij, janë bërë një.
“Shqipëria nuk ka tre këmbë por 2, se të një pushteti ia ka futur dikush këmbët në një këpucë”, deklaroi ish-prokurori.
Sipas Becit, ekzekutivi dhe legjislativi kanë pasur më shumë dinjitet para vitit 2014, ndërsa më pas është krijuar një situatë që ai e cilëson si “relativizim të frikshëm” të institucioneve.
“Është relativizuar parlamenti, presidenti, ministri e çdo institucion i pavarur që të ngrihet kulti i pushtetit ekzekutiv”, tha Beci.
Ai kritikoi gjithashtu edhe reforma në drejtësi. Sipas Becit, problemet e krijuara nuk mund të zgjidhen më përmes ndërhyrjeve të pjesshme.
“Nuk duhet të arnohet më, por ajo duhet bërë nga e para”, u shpreh ai.
Beci u ndal edhe te organizimi i sistemit gjyqësor dhe harta gjyqësore, duke argumentuar se magjistratët duhej të ishin përfshirë më herët në diskutimet për këto ndryshime.
Gazeta RD