Fjalimi i ish-senatorit Joe Bidenit para komunitetit shqiptaro-amerikan në vitin 2002 ku ai shpjegon pse u afrua me çështjen shqiptare dhe se sa realiste ishin sfidat që ai parashtroi në atë kohë.
Joe Biden e nisi duke thënë se ishte e rëndësishme që shqiptarët amerikanë të përfshiheshin thellë në jetën politike amerikane. Sipas tij, ishte gjithnjë e më e vështirë që presidenti dhe qeveria amerikane t’i kushtonin vëmendje një çështjeje të caktuar, sepse në Uashington kishte shumë çështje të tjera që konkurronin për vëmendje. Prandaj, mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë: shqiptarët duhet ta paraqesin vetë çështjen e tyre dhe të sigurohen që ajo të mos harrohet.
Ai theksoi se problemi nuk ishte domosdoshmërisht ekzistenca e një personi apo institucioni “anti-shqiptar”, por fakti se politika amerikane mund të përqendrohej diku tjetër dhe çështjet shqiptare e ballkanike të liheshin pas dore.
Për këtë arsye, Biden theksoi nevojën që “drita” të vazhdonte të qëndronte mbi çështjen shqiptare. Ai vlerësoi veçanërisht punën e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe të Shirley Cloyes DioGuardi për mbledhjen e fakteve dhe paraqitjen e tyre në Uashington.
Pse Biden ishte angazhuar me shqiptarët Biden shpjegoi se ai nuk ishte afruar me çështjen shqiptare vetëm në mënyrë akademike apo si një çështje e politikës së jashtme. Ai e përshkroi angazhimin e tij si emocional dhe personal.
Ai kujtoi prejardhjen e stërgjyshërve të tij irlandezë, të cilët nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin dhe që, sipas rrëfimit të tij, kishin përjetuar shtypje të rëndë. Kjo përvojë familjare e kishte bërë të kuptonte më drejtpërdrejt çfarë do të thotë që një popull të jetë nën shtypje.
Biden tregoi gjithashtu se takimi i tij me Joe DioGuardin dhe senatorin Claiborne Pell në vitin 1991 ndikoi në angazhimin e tij ndaj krizave të Ballkanit.
Më pas ai kishte kundërshtuar në Senat embargon e armëve që prekte viktimat myslimane të Bosnjës dhe kishte kërkuar një politikë më të ashpër ndaj regjimit të Slobodan Millosheviçit.
Në vitet 1998–1999, Biden kishte paraqitur rezoluta në Senat kundër sulmeve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake kundër Serbisë. “Të ndryshojmë 500 vjet histori”
Një nga idetë kryesore të fjalimit ishte se qëllimi i tij në politikën ndaj Ballkanit kishte qenë ndryshimi i një historie prej 500 vjetësh. Biden kundërshtoi perceptimin e Ballkanit si një zonë e prapambetur dhe periferike e Evropës.
Ai paralajmëroi se, nëse Ballkani vazhdonte të shihej si një “rrugicë e humbur” e Evropës, bota mund të mos reagonte edhe në rast se miliona shqiptarë përndiqeshin. Sipas tij, për sa kohë Ballkani mbetej i izoluar, popujt e tij do të vazhdonin të ishin në mëshirën e fuqive të jashtme.
Ai kundërshtoi gjithashtu idenë që shqiptarët të trajtoheshin si piona në një tabelë shahu, të cilët fuqitë e tjera mund t’i lëviznin sipas interesave të tyre. Biden u bëri thirrje shqiptarëve që të ndihmonin në ndryshimin e mënyrës se si bota e shihte Ballkanin dhe shqiptarët.
“Drita” mbi Kosovën
Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme ishte shqetësimi i tij se vëmendja ndërkombëtare ndaj Kosovës po zbehej. Ai tha se drita që kishte ndriçuar fuqishëm gjatë fushatës së NATO-s po fillonte të zbehej. Sipas Bidenit, sa më pak që bota të shihte vuajtjet dhe problemet e shqiptarëve, aq më e rëndë do të bëhej gjendja e tyre. Për këtë arsye, ai argumentoi se shqiptarët duhej të bëheshin pjesë e Evropës dhe se Shtetet e Bashkuara duhej të vazhdonin angazhimin e tyre në Ballkan.
Biden u shpreh se “luftën në Kosovë e bëmë ne dhe dhe detyra e juaj eshte te ndalni çdo tentative per hakmarrje”.
Ai shkoi edhe më tej, duke argumentuar se për sigurinë përfundimtare të shqiptarëve në Ballkan duhej të kishte prani konkrete amerikane, jo vetëm deklarata diplomatike: trupa, mjete ushtarake dhe angazhim në terren.
Sipas tij, pa siguri fizike dhe pa zhvillim ekonomik nuk mund të ndërtoheshin shoqëri të qëndrueshme dhe demokratike në Ballkan. Ai argumentoi se përparimi në Ballkan po paraqitej si më i madh nga sa ishte realisht, me qëllim që SHBA-ja të mund të tërhiqej më shpejt nga Kosova, Maqedonia dhe Bosnja.
Për Serbinë
Biden bëri një dallim mes qeverisë së atëhershme të Vojislav Koštunicës dhe Zoran Gjingjiçit dhe regjimit të Millosheviçit, duke e konsideruar ndryshimin pozitiv, por tha se Serbia duhej të përmbushte kushte të rëndësishme për të marrë mbështetje amerikane. Ai kërkoi, ndër të tjera: * ndalimin e ndërhyrjes negative të Beogradit në Kosovë dhe Bosnje; * përfundimin e ndarjes de facto të Mitrovicës; * kthimin e shqiptarëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre në veri dhe të serbëve në shtëpitë e tyre në jug; * dorëzimin e kriminelëve të luftës në Tribunalin e Hagës; * dhe një kërkim publik faljeje për fushatat e luftës në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Për Serbinë dhe të kaluarën Biden argumentoi se serbët duhej të përballeshin me të kaluarën e tyre dhe të hiqnin dorë nga miti se ata ishin gjithmonë viktimat. Sipas tij, pa një përballje me atë që kishte ndodhur, brezat e ardhshëm rrezikonin të përsërisnin të njëjtën histori.
Maqedonia
Biden e përshkroi situatën në Maqedoni si një shpërthim që priste të ndodhte. Ai tha se SHBA-ja nuk mund ta braktiste Maqedoninë dhe ta linte çështjen vetëm në duart e Evropës pa u vendosur një paqe reale. Ai foli për diskriminimin institucional dhe dhunën policore ndaj shqiptarëve dhe këmbënguli që Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej plotësisht. Nëse Marrëveshja e Ohrit dështonte, ai paralajmëroi se ekstremistët e të dyja palëve mund të merrnin kontrollin e situatës. Në të njëjtën kohë, Biden kritikoi edhe grupet shqiptare që përdornin dhunën dhe vrasjen e policëve. Ai argumentoi se një sjellje e tillë i jepte botës mundësinë t’i paraqiste shqiptarët si të njëjtë me ekstremistët që ata po kundërshtonin.
Shqipëria
Për Shqipërinë, Biden ishte gjithashtu shumë kritik. Ai tha se sistemi politik shqiptar i asaj kohe ishte larg të qenit i lirë dhe i drejtë. Ai e konsideroi zgjedhjen e Alfred Moisiut si president konsensual një shenjë përparimi, por kritikoi faktin që Partia Socialiste e paskomunizmit, sipas tij, vazhdonte të kishte brenda saj figura të vjetra të periudhës komuniste.
Biden propozoi që SHBA-ja ta përdorte perspektivën e anëtarësimit në NATO si nxitje për Shqipërinë, duke e lidhur atë me pastrimin e sistemit politik nga korrupsioni dhe ndërtimin e demokracisë. Ai përmendi Rumaninë dhe Poloninë si shembuj të vendeve ku perspektiva e NATO-s kishte ndihmuar në shtyrjen përpara të ndryshimeve politike dhe shoqërore.
Në fund, mesazhi i tij për Shqipërinë ishte i qartë: të përmbushte kushtet për NATO-n dhe të afrohej me Perëndimin, ose të rrezikonte të mbetej edhe një shekull tjetër në periferi të botës perëndimore.
Kosova
Pjesa më e fortë e fjalimit Pastaj Biden u përqendrua te Kosova. Ai tha se donte ta bënte të pamundur që George W. Bush të mund ta mohonte pavarësinë e Kosovës si pjesë të Evropës. Por ai vendosi edhe një kusht: Kosova duhej t’i tregonte botës se ishte e aftë të qeverisej dhe të funksiononte sipas standardeve themelore evropiane.
Nëse Kosova do ta dëshmonte këtë aftësi, Biden besonte se pavarësia e Kosovës do të bëhej e pashmangshme.
Për Ramush Haradinajn dhe UNMIK-un Biden foli edhe për situatën politike në Kosovë dhe shprehu pakënaqësi për aktakuzën ndaj Ramush Haradinajt.
Au e shihte ndërhyrjen e administratës së UNMIK-ut në këtë çështje si një përfshirje të papërshtatshme në debatin politik të Kosovës. Sipas tij, kjo mund të thellonte ndarjet politike dhe të vështirësonte procesin e ndërtimit të institucioneve kosovare. SHBA-ja nuk duhej të largohej
Biden ishte veçanërisht i shqetësuar se pas 11 shtatorit 2001 vëmendja amerikane ishte zhvendosur drejt luftës kundër terrorizmit dhe Irakut. Ai argumentoi se kjo po bënte që drita mbi Ballkanin të zbehej, pikërisht në një kohë kur, sipas tij, duhej të ruhej. Ai paralajmëroi se largimi i parakohshëm amerikan nga Kosova dhe Maqedonia mund të krijonte kushtet për një tjetër konflikt.
Mesazhi për Evropën dhe Amerikën
Ne pjesën përfundimtare, Biden e lidhi çështjen shqiptare me interesin strategjik amerikan. Ai argumentoi se interesi jetik i Shteteve të Bashkuara kërkonte një Evropë të plotë, të pandarë dhe të bashkuar. Arsyetimi i tij ishte se sa herë Evropa zhytet në kaos, amerikanët paguajnë një çmim: humbasin jetë njerëzish, ekonomia dëmtohet dhe SHBA-ja përballet me pasoja strategjike. Ai tha gjithashtu se Amerika, për shkak të historisë, kulturës dhe lidhjeve të saj me Evropën, nuk mund të shkëputej nga ajo që ndodhte në kontinent.
Përfundimi i Bidenit për shqiptarët
Në përfundim, Biden u kthye te shqiptarët. Ai tha se, edhe pse numri i shqiptarëve në Ballkan ishte relativisht i vogël në krahasim me popujt e tjerë të botës, fati i tyre ishte i rëndësishëm për interesin jetik amerikan.
Thelbi i përfundimit të tij ishte se, nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihej dhe nuk mbrohej, atëherë pjesët e tjera të rajonit do të destabilizoheshin dhe, nëse Ballkani nuk do të stabilizohej, Shtetet e Bashkuara do të paguanin një çmim të rëndë.
Pra, në këtë fjalim të vitit 2002, Biden e lidhte në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës, stabilitetin e Shqipërisë, integrimin evropian me interesin strategjik amerikan.
Material i Shirley Cloyes DioGuardi, botuar më 20 shtator 2002 në Illyria dhe i publikuar nga Albanian American Civic League.
Gazeta RD