Jo më mitingje, tani duhet strategji!

Nga Bislim AHMETAJ

Nëse shqiptarët në Kosovë dhe kudo ku jetojnë besojnë se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, ishte politik dhe i padrejtë dhe se narrativa serbe ka qenë shumë më i organizuar në arenën ndërkombëtare, atëherë përgjigjja nuk mund të jetë përsëritja e të njëjtit model: edhe një miting, edhe një pankartë, edhe një marshim, edhe një valë tjetër postimesh në rrjetet sociale.

Tani duhet bërë ajo që duhej bërë shumë më herët: organizimi profesional.

Sikur paratë e shpenzuara për dhjetëra manifestime në Prishtinë, Tiranë, Shkup, New York e Hagë të ishin mbledhur në një fond të fuqishëm juridik.

Sikur paratë e udhëtimeve, hoteleve, pankartave, billbordeve, reklamave dhe simboleve të ishin investuar në studiot më të specializuara të së drejtës ndërkombëtare.

Sikur energjia e harxhuar në rrjetet sociale të ishte kthyer në një mekanizëm të qëndrueshëm kërkimi, dokumentimi dhe komunikimi ndërkombëtar — sot do të kishim një kapacitet krejt tjetër përballjeje.

Nuk mund ta dimë nëse një strategji e tillë do ta kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë.

Por është e arsyeshme të mendohet se një çështje kaq e rëndësishme kërkon më shumë se sa solidaritet emocional.

Kërkon ekspertizë.

Dhe tani nuk është koha për të përsëritur gabimin e viteve të shkuara.

Duhet ngritur urgjentisht një fond profesional për mbrojtjen juridike dhe për komunikimin ndërkombëtar, me financim transparent dhe me ekspertë të pavarur.

Në qendër duhet të jetë ekipi juridik që përfaqëson të akuzuarit: të studiojë vendimin rresht për rresht, të identifikojë gabimet e pretenduara në ligj, vlerësimin e provave dhe procedurën dhe t’i paraqesë ato në mënyrën më të fortë të mundshme në apel.

Paralelisht, mund të ketë një ekip të veçantë për dokumentimin historik, komunikimin publik dhe diplomacinë civile.

Washingtoni dhe Brukseli janë qendra të rëndësishme ku duhet të kuptohet konteksti historik dhe politik i Kosovës, por kjo nuk duhet ngatërruar me përpjekjen për t’u bërë presion gjyqtarëve apo për të zëvendësuar argumentin juridik.

Sepse një gjykatë nuk ndryshon një vendim nga numri i njerëzve në shesh.

E ndryshon vetëm nëse argumentet e apelit bindin se vendimi i shkallës së parë ka qënë i gabuar në ligj, në procedurë ose në vlerësimin e provave.

Prandaj, nëse duam të bëjmë diçka tani, le të mos bëjmë më zhurmë për hir të zhurmës.

Le të bëjmë dosje.

Le të mbledhim ekspertë.

Le të financojmë mbrojtjen.

Le të dokumentojmë faktet.

Le të ndërtojmë argumentin juridik.

Le të komunikojmë me botën me profesionalizëm.

Sepse nëse beteja e parë është humbur, përgjigjja nuk është të bërtasim më fort nëpër mitingje.

Përgjigjja është të organizohemi më mirë.

Pasi druaj që Serbia duhet ta ketë filluar punën për në Apelin e dhomave të specializuara, ndërsa ndër shqipe akoma vazhdohet me mitingje dhe orgazma folklorike.

Tiranë me 18 Shtator 2026

Mund të jetë një imazh i turmë dhe teksti që thotë "euro news. Nis vendimi! Shfaqen ish krerët é UÇK-sẽ, Prishtina brohoret: 'UÇK, UÇK, UÇK"

About Redaksia

Check Also

Bëhu si Roni të kesh sukses në Shqipëri!

Nga Belind KËLLIÇI Në një shfaqje si hije afër mesnatës në Parlament, Edi Rama bëri …