Deputetja e PD, Jorida Tabaku, anëtare dhe nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, ngriti shqetësimin për dobësimin e rolit të Kuvendit në procesin ligjvënës dhe në rrugën e integrimit europian.
Gjatë mbledhjes së radhës të KPSA-së, të zhvilluar në Tiranë, Tabaku, u ndal veçanërisht te përkeqësimi i procesit ligjvënës. Ajo deklaroi se Kuvendi, pasi u shndërrua fillimisht në një noter të qeverisë, sot po përdoret edhe si promotor i nismave të porositura, të paraqitura formalisht nga deputetët për të shmangur konsultimin publik, debatin parlamentar dhe procedurat e zakonshme ligjore.
Tabaku përmendi kompaninë KAYO, tenderat në fushën e teknologjisë së informacionit, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve. Sipas saj, këto struktura po shndërrohen në ishuj që u shmangen kontrollit të Kuvendit, auditimit dhe rregullave të prokurimit publik.
Fjala e Jorida Tabakut
Duke qenë se jam folësja e parë nga opozita dhe Partia Demokratike, dua ta përshëndes këtë takim dhe, mbi të gjitha, të shpreh mbështetjen e plotë që opozita dhe Partia Demokratike i kanë dhënë procesit të integrimit europian.
Ne kemi qenë dhe jemi në mbështetje të këtij procesi. Do të vazhdojmë ta mbështesim, por njëkohësisht do të jemi kritikë sa herë që ai nuk ecën në binarët e duhur.
Sikurse theksoi edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në fjalën e saj, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Megjithatë, shqetësimi ynë lidhet me disa zhvillime që tregojnë mungesën e zbatimit në praktikë të ligjeve që miratohen në letër.
Roli i Kuvendit në procesin e integrimit lidhet ngushtësisht me rolin që parlamenti duhet të ketë në një demokraci funksionale. Gjatë këtyre viteve kemi parë se si procesi ligjvënës është përkeqësuar.
Fillimisht pamë një parlament që miratonte ligje pa debat, përmes procedurave dhe afateve të përshpejtuara, shpesh në kundërshtim me ligjin. Sot kemi kaluar në një fazë tjetër, ku deputetë të mazhorancës përdoren për të paraqitur nisma ligjore me afate të shkurtra dhe pa dëgjuar grupet e interesit.
Në këtë mënyrë, mazhoranca dhe qeveria shmangin debatin e shëndetshëm parlamentar, konsultimin publik dhe procedurat që duhet të ndjekë normalisht një projektligj.
Roli i parlamentit duhet të jetë pikërisht garantimi i përfshirjes së qytetarëve në procesin e integrimit europian. Por kjo sjellje ka sjellë mungesë diskutimi dhe dialogu me sindikatat dhe grupet e interesit, duke anashkaluar proceset demokratike dhe kërkesat më minimale për konsultim publik.
Fatkeqësisht, parlamenti, i cili duhet të jetë mbrojtësi i interesit publik, është shndërruar në promotor të interesave të pakicës dhe në shkelës të ligjit dhe frymës së Kushtetutës.
Kjo sjellje e pandershme ndaj qytetarëve shqiptarë dhe aspak në linjë me procesin e integrimit është vërejtur edhe nga Komisioni Europian. Në raportin e vitit 2026 për shtetin e së drejtës ngrihet sërish shqetësimi për konsultimet joefektive dhe për nismat që paraqiten në momentin e fundit nga deputetët, duke cenuar transparencën dhe kontrollin parlamentar.
Pra, ky nuk është më vetëm një shqetësim i opozitës. Problemi është dokumentuar edhe nga partnerët tanë europianë.
Së dyti, kjo mënyrë funksionimi e Kuvendit ka prodhuar një sërë agjencish dhe shoqërish që bien ndesh me parimet e procesit të integrimit dhe të shtetit ligjor. Në këto struktura mungojnë transparenca dhe llogaridhënia, duke e kthyer demokracinë tonë në një demokraci deficitare.
Krijimi i këtyre agjencive ka ndërtuar një mekanizëm ku mungon gara në prokurimet publike. Njëkohësisht, Kuvendi nuk ushtron kontrollin dhe mbikëqyrjen parlamentare që i takon. Mungojnë analiza e plotë financiare dhe hapësira që institucionet e tjera, duke nisur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditimi i brendshëm, të ushtrojnë funksionet e tyre sipas praktikave më të mira europiane të menaxhimit.
Jemi njohur me rastin e kompanisë KAYO dhe me problematikat e tenderave në fushën e teknologjisë së informacionit. Këto janë shembuj të asaj që rrezikon të ndodhë edhe me një tjetër agjenci që po planifikohet pranë qeverisë dhe që lidhet me sektorin e shëndetësisë.
Nëse mendoni se bëhet fjalë për raste të izoluara, duhet të kemi parasysh se ato janë vazhdimësi e të njëjtit model që po zbatohet edhe me Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve: krijimi i “ishujve” institucionalë për t’iu shmangur llogaridhënies dhe transparencës, në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi.
Fatkeqësisht, këto agjenci cenojnë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga kapitujt që Shqipëria po negocion.
Më lejoni të rikthehem te rasti i KAYO-s, i cili është një shembull shumë i freskët i asaj që po ndodh. Ky model po krijon problematika edhe në sektorë të ndjeshëm, siç është sektori i mbrojtjes.
Nuk besoj se ekziston një parlament tjetër që pranon vullnetarisht të heqë dorë nga funksionet e veta, duke krijuar njëkohësisht pengesa për procesin e integrimit.
Janë të paktën 17 nisma për të cilat ne, si opozitë, kemi ngritur shqetësimin se janë ligje me porosi. Mund të përmendim ligjin për investimet strategjike, të cilin kolegët tanë në Parlamentin Europian e kanë trajtuar në rezolutën e tyre të fundit; ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara falë dobësimit të rolit të Kuvendit; si dhe ligjin për të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”.
Këto dhe shumë nisma të tjera janë përmendur edhe në rezolutat e parlamenteve europiane. Këto rezoluta nuk janë thjesht deklarata politike, por duhet të jenë pjesë e punës dhe reflektimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Elementi tjetër ku procesi i integrimit duhet të përfshijë parlamentin lidhet me kontrollin parlamentar, hapësirën e opozitës dhe zhvillimin e reformave të rëndësishme.
Rasti më i fundit ishte refuzimi i kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen KAYO. Ky nuk është rasti i parë kur opozitës i mohohet një e drejtë parlamentare.
Kësaj i shtohet fakti se dy reforma të rëndësishme, reforma zgjedhore, e cila duhet të mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dhe reforma territoriale, po zhvillohen në mënyrë të njëanshme.
Një reformë pa konsultim dhe në dëm të interesit publik nuk sjell decentralizim. Ajo i shërben përqendrimit të mëtejshëm të pushtetit.
Këto janë çështje kyçe që do t’i kemi parasysh edhe në diskutimet me partnerët dhe homologët tanë në Parlamentin Europian.
Shpresoj që mungesa e hapësirës për opozitën, e vërejtur gjatë viteve të fundit, t’i përkasë së shkuarës. Opozita duhet të ketë mundësi të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese dhe të kontribuojë në reformat konsensuale që kërkon procesi i integrimit europian dhe që u shërbejnë qytetarëve shqiptarë.
Gazeta RD